Ballina Aktualitet Maqedoni, sondazh në prag të referendumit të shtatorit

Maqedoni, sondazh në prag të referendumit të shtatorit

SHPËRNDAJE

Qytetarët maqedonas janë të prirur të votojnë pro së ardhmes në BE dhe NATO në referendumin e muajit të ardhshëm. Kështu sugjerojnë të dhënat e një sondazhi të agjencisë EURACTIV, që mes të tjerash paralajmëron dallimet mes shqiptarëve dhe maqedonasve lidhur me çështjen e emrit.

Një sondazh i kryer në Maqedoni kur po afron referendumi i 30 shtatorit tregon se shumica e qytetarëve planifikojnë të votojnë “pro” ndryshimit të emrit kushtetues dhe anëtarësimit në BE dhe NATO. Sipas sondazhit të agjencisë EURACTIV, 41 për qind e pjesëmarrësve kanë deklaruar se do të votojnë në favor të marrëveshjes së arritur me Greqinë, ndërsa 35 për qind kanë paralajmëruar se do të votojnë kundër.

Rreth 20 për qind e qytetarëve të intervistuar kanë deklaruar se do ta bojkotojnë referendumin, ndërsa rreth 66 për qind do të shkojnë të hedhin votën. Sidoqoftë, dallimet mes dy grupeve më të mëdha etnike në vend mbeten të thella; 88 për qind e shqiptarëve mbështesin marrëveshjen, ndërsa në radhët e maqedonasve kuota është 27 për qind pro dhe 45 kundër.

Ministri i Jashtëm i ish-republikës Jugosllave ka deklaruar se qytetarët kanë detyrimin ta shfrytëzojnë këtë mundësi që u jepet. “Nuk mund të jesh pro BE-së dhe NATO-s dhe në të njëjtën kohë kundër marrëveshjes që heq pengesat dhe hap dyert e anëtarësimit në këto organizata”, ka thënë Nikola Dimitrov. Ministri ka theksuar se tërheqja nga përgjegjësitë për të ardhmen e vendit, duke shmangur votimin në referendum, nuk është patriotizëm./abcnews.al

Loading...