Ballina Planet Analysis Çfarë mund të ndodhë me kufijtë e Kosovës?

Çfarë mund të ndodhë me kufijtë e Kosovës?

Nga Bedri Islami

Kjo është kryetema e të gjithë lajmeve në mediat shqiptare dhe herë pas here, edhe të huaja. Disa janë kategorikë: tërësia territoriale e Kosovës nuk preket. Ato janë përcaktuar një herë e mirë dhe, duke shkuar më tej, janë vendosur me luftë. Njeriu më i prerë në këtë qëndrim është shefi i qeverisë së Kosovës, Ramush Haradinaj. Disa janë më elastikë: mund të ketë edhe lëvizje apo ndryshime, duke pasur në mendje ndërrime të pjesshme në veriun e Kosovës; ndonjëherë shkohet edhe më larg, Mitrovicën e Veriut dhe disa komuna thellësisht me banorë serbë, por historikisht shqiptare, pasi serbët në shumicë janë kolonë të viteve të ndryshme, duke e shkëmbyer atë me Luginën e Preshevës. Njeriu më me ndikim që përshfaq këtë ide, duke nënvizuar se status-kuoja e tashme territoriale do të sjellë edhe humbjen e Luginës përmes lënies nën shtetin serb, edhe humbjen faktike të një pjese të veriut, përmes autonomisë de fakto, jo de jure, është profesor Qosja, nëse kam arritur ta kuptoj saktësisht. Megjithëse njëri, Profesor Qosja, është i njohur për qëndrimet e ashpra ndaj presidencës dhe zotit Thaçi dhe, Haxhiu është mbështetës dhe këshilltari në hije dhe në dritë i presidentit të Kosovës, ngjasimi në mendime vjen nga bindje të ndryshme:Qosja sheh perspektivën, Haxhiu ndjek vijën e pushtetit e ndoshta është para tij.

Disa të tjerë janë për korrigjime kufitare, të cilat mund të bëhen përmes një demarkacioni shtetëror, ku, sipas mendimeve, asnjëra palë nuk do të fitojë e asnjëra nuk do të humbë. Duke pasur parasysh lëshimet që janë bërë në të shkuarën me demarkacionet, si në rastin me shtetin maqedon e aq më tepër në rastin e Malit të Zi, vështirë se Kosova nuk do të ketë humbje përmes një demarkacioni të ri. Shtetarët e Kosovës shkojnë në bisedime si në dasma, nganjëherë nxjerrin nga xhepi një fletë të shkarravitur, nuk diskutojnë dhe nuk marrin mendimet e askujt dhe, bëjnë sikur i dinë të gjitha. Në fakt, nuk dinë asgjë, sepse jo vetëm që nuk kanë mësuar, por edhe pak kanë pyetur. Serbët shkojnë në bisedime duke pasur pas vetes një tabor akademikësh.

Ka edhe të tjerë që mendojnë se do të bëhen korrigjime, paqësore kësaj here, sipas të cilave shteti serb do bëjë “mirësinë” t’ia kthejë Kosovës pjesën e mbetur jashtë kufijve të saj, që është shumë e paktë me atë çfarë ka mbetur jashtë saj në fakt. Kjo ide njeh si përfaqësues presidentin e Kosovës, Thaçi, hyrja e të cilit në këtë temë nxiti të gjitha gjërat e tashme, përplasjet, mendimet, qëndrimet etj., u bë temë në median tonë dhe jashtë saj.

Askush, ndoshta as vetë Thaçi, nuk e di se si do të zgjidhet kjo tezë e fundit dhe pse papritur serbët do të lëshojnë në rrugë paqësore, pra si zgjidhje paqësore, një Luginë që e quajnë pjesë të saj, ashtu si quajnë pjesë të saj krejt shtetin e Kosovës.

Të besosh këtë mund të jetë naivitet politik, megjithëse ende nuk dihet se si lindi kjo ide. Di vetëm se, për herë të parë, kjo dje, krejt e papritur, është hedhur nga një institucion ndërkombëtar, por që në fakt prej vitesh duket sikur kërkon ndjesë për qëndrimin e NATO-s në vitin 1999.

Cilat lëshime mund të bëhen kësaj here? Çfarë qëndrimesh do të kenë palët në këtë rast? Kush qëndron pas kësaj ideje të fundit? Është e shqiptarëve, apo e kanë servisur serbët nëpërmes institucioneve lehtësisht të shantazhueshme? Është qëndrim politik, apo hedhja e gurit politik të radhës për të zgjatur një temë që e liron atë nga temat e tjera, po ashtu të mprehta? A është trajtuar Kosova në tryezën e bisedimeve mes dy presidentëve të botës, amerikan dhe rus? Ka shanse që Europa përmes lëshimeve që mund të bëjnë dëshmon se ka tani një qasje tjetër ndaj një problem që duhej ta kishte zgjidhur me kohë?

Së fundi ka edhe një tezë tjetër, të sjellë nga një pjesë e opozitës, që qëndrimet dhe mendimet e Thaçit t’i gjykojë Gjykata Kushtetuese, e cila shpesh herë ka dëshmuar se është pjesë e kabinetit presidencial dhe mund të mblidhet vetëm kur gjërat do të kenë mbaruar.

Kosova sa herë ka shkuar në bisedime, në të shumtën e rasteve ka humbur. Sepse ka shkuar në takime ndërkombëtare, duke menduar hallet e brendshme. Sepse këshilla e Presidentit Amerikan, Klinton, “ ne luftën, ju paqen“ u kuptua si një retorikë kalimtare.

Sepse shumë herë liderët nuk kanë menduar qëndrimin, por kthimin dhe si mund të shërbejë një dialog për pozitën vetjake. Sepse , ajo që duhej të ishte e para, ka qenë e fundit, dhe se pak herë në këto bisedime dikush është kujtuar se për të vajtur ato në Vjenë, Bruksel, Washington, për t’u quajtur ata liderë, për të qenë kryeministra, ministra, presidentë, është dhënë aq shumë gjak, sa që ende nuk është tharë.

Për mendimin tim vetjak:

Kosova duhet të shkojë në bisedime e përfaqësuar denjësisht, nga të gjitha strukturat dhe kur të jetë gati e jo kur ta thërrasin “pa eja, edhe ti njëherë“!

Ajo duhet të gjejë kohën e saj, kohën e duhur dhe njerëzit e duhur, ku të jenë bashkë liberalë dhe radikalë, akademikë dhe çlirimtarë.

Mendoj se pas luftës, është koha e akademikëve, njerëzve të dëshmuar, të cilët edhe pse nuk janë liderë partiakë, kanë përsëri tagrin e njerëzve që u kanë besuar në dekada.

Kosova nuk duhet të bëjë asnjë lëshim politik, territorial, ligjor, nuk duhet të vërë fare në diskutim ndarjen e Kosovës, t’i thotë “jo” kërkesës për autonominë për pakicat serbe, të cilat kanë shumë herë më tepër të drejta se sa çdo pakicë tjetër.

Kuvendi i Kosovës duhet të marrë përparësinë dhe t’i thërrasë mendjes se sot, më shumë se kurrë, duhet të rritet roli i tij vendimmarrës dhe kontrollues.

Kuvendi, pas çdo takimi të negociatorëve duhet të thërrasë mbledhje të jashtëzakonshme, ku të diskutohen në hollësi bisedimet.

Asgjë nuk duhet të jetë sekret apo tabu për Kuvendin, aq më tepër se nuk janë tabu për zyrtarët serbë. Kuvendi,duke marrë rolin primar, përmes një grupi të posaçëm, duhet të vendosë vetë kontaktet e drejtpërdrejta me SHBA, BE dhe me shtetin shqiptar, pa asnjë pas vijë politike dhe pushtetore.

Në fund, nëse Kuvendi lirohet nga zinxhiri i pushtetit dhe i vendoset tagri i tij aty ku duhet dhe është jo i kënaqur me bisedimet, qëndrimet politike e shtetërore, të kërkojë ndryshimin e grupit negociator dhe të bëjë publik qëndrimin e tij.

Kuvendi duhet të miratojë një ligj të posaçëm, special, përmes të cilit, të bëjë të njohur vendimin e tij se, kushdo që nëpërkëmb të drejtat e popullit të Kosovës, do të ketë jo vetëm përgjegjësi historike,por edhe ligjore.

Kuvendi mund të përcaktojë qartësisht: të gjithë ata personalitete, të cilët mund të jenë pjesë e Gjykatës Speciale, të cilët janë thirrur për hetimin e ngjarjeve të ndryshme, të mos jenë pjesë e delegacionit të Kosovës, sepse mund të jenë lehtësisht të shantazhueshëm, megjithëse kjo strukturë, Gjykata Speciale, nuk do të pyesë për qëndrimet e tyre, edhe sikur ata të bëjnë lëshime të mëdha, të dëmshme ndaj shtetit të Kosovës.

Shtatori mund të fillojë vendosjen e shumë gjërave. Por, nuk është e thënë që çështjet do të zgjidhen domosdo në këtë shtator. Ata që nguten janë serbët, sepse janë në ofensivë dhe kërkojnë përfitimet e të mundurve. Ndodh edhe kjo: të mundurit kërkojnë të përfitojnë nga fitimtarët, kur këto të fundit sillen si të mundur. Nëse përmes bisedimeve mund të arrihet kthimi i Luginës së Preshevës ku është vendi i saj historik, në Kosovë, dhe nëse kjo tezë nuk është një alibi e çastit dhe lojë e rrezikshme politike, kushdo do e mbështeste këtë.

Kosova ka humbur shumë nga ajo që ka fituar në luftë. Që të mos humbë më tej duhet të mblidhet mendja, të qartësohet mendimi, të shikohet perspektiva dhe të ngulmohet deri në fund. Të ngulmohet për ruajtjen e tërësisë territoriale të shtetit të Kosovës dhe, nëse gjendet, e vështirë në mos e pamundur, një rrugë paqësore për lëvizje që e forcojnë atë dhe bëjnë pjesë të tij vise të mbetura padrejtësisht jashtë, atëherë kjo do të ishte e mirëpritur. Rreth 95 për qind e shqiptarëve në Shqipërinë Londineze e përkrahin mendimin që Kosova Lindore të jetë pjesë e Kosovës, aty ku duhet të ishte prej shumë kohësh vendi i saj./dita/