Ballina Bota BE, frikë nga takimi Trump-Putin

BE, frikë nga takimi Trump-Putin

Takimi i ardhshëm i Donald Trump dhe Vladimir Putin ka futur në ethe Bashkimin Europian. Nisur nga deklaratat kontradiktore të presidentit amerikan në samitin e NATO’s, Brukseli druhet se në këmbim të koncesioneve ruse ai mund të pranojë tërheqjen e trupave nga rajoni baltik.

Takimi me Vladimir Putin mund t’i shërbejë Donald Trump dhe ambicieve të tij, por jo Europës. Në shfaqjen e tij dramatike në samitin e përvitshëm të NATO’s, Trump e tha hapur se nuk e përjashton ndërprerjen e stërvitjeve ushtarake të NATO’s në shtetet baltike nëse presidenti rus ia kërkon një gjë të tillë.

“Ndoshta do të flasim edhe për këtë”, tha Trump duke iu referuar takimit me shefin e Kremlinit që do të zhvillohet në Helsinki. Deklarata e presidentit amerikan se mund të braktisë NATO’n nuk e ka trembur shumë Bashkimin Europian, për faktin se për një vendim të tillë atij i duhet të përballet edhe me Senatin. Por komentet e tij për një ndërprerje eventuale të stërvitjeve ka rritur frikën në radhët e liderëve europianë që e shohin ekspansionin rus si kërcënim.

Të kontaktuar nga CNN, burime të Departamentit të Mbrojtjes kanë deklaruar se nuk mund t’i paraprijnë asaj çka shefi i Shtëpisë së Bardhë do të thotë në takimin me Putin, por nisur nga simpatia që ai ka për homologun rus nuk do të jetë çudi nëse ia plotëson atij kërkesën, natyrisht në këmbim të një koncesioni.

Dhe në fakt, vetëm të enjten Trump refuzoi ta konsideronte Putin armik, duke e cilësuar vetëm një konkurrent.

“Ai përfaqëson Rusinë, unë Amerikën. Pra, është konkurrencë dhe miqësia apo armiqësia nuk kanë lidhje”, tha Trump. Dhe, si komandant i përgjithshëm i ushtrisë, Trump ka autoritetin për të ndërprerë stërvitjet ushtarake në Baltik, pa harruar ato në Detin e Zi. Një gjë të tillë ai e bëri me Korenë e Jugut, pak pasi u takua me liderin koreano-verior në Singapor dhe nisur nga kjo, frika e BE-së është më se legjitime, vijon CNN.