Ballina Planet Analysis ANALIZA: Si mund t’i mbijetojë Europa epokës Trump

ANALIZA: Si mund t’i mbijetojë Europa epokës Trump

Nga Dirk Kurbjuweit

Politikanët janë mësuar të përplasen në politikë me politikanë të tjerë. Tradicionalisht, politika e jashtme e një shteti kombëtar ose aleance, përballet me politikën e jashtme të një shteti tjetër kombi ose aleance. Kështu ka qenë prej qindra vjetësh.

Por nuk është kështu në këtë moment. Kur përfshihet Donald Trump, politika nuk përballet me politikën. Përkundrazi, ajo po ballafaqohet me habinë. S’ka precedent për një situatë të tillë në historinë e Perëndimit. Në historinë e demokracive, kapitulli i çudive është mjaft i shkurtër. Një person si Trump, është një “kafshë” krejtësisht e re politike, dhe që kërkon një qasje krejtësisht të re.

Ky fakt, nuk mund të vihet më në dyshim pas turit të presidentit amerikan në Europë, duke përfshirë ndalesat e tij në Bruksel, Londër dhe Helsinki. Nuk ka shumë logjikë të shpresohet, që Trump do të përmirësohet. Ai është ashtu si është, dhe politikanët e vendeve të tjera duhet të mësohen me të.

Ata duhet të zhvillojnë një strategji specifike, për periudhën gjatë së cilës ky president do të vazhdojë të jetë në detyrë. Për Bashkimin Europian, strategjia më e përshtatshme mund të shprehet me një fjalë të vetme:letargji. Por kjo nuk është dhe aq e lehtë sa mund të tingëllojë. Nuk flasim këtu për gjumin e gjatë, rigjenerues të një ariu në shpellën e vet.

Letargjia në epokën e Trump, kërkon një koncept kompleks politik, që Brukseli duhet të ndjekë në bllok me të gjitha shtetet anëtare, deri në shkallën që kjo është e mundur. Nëse kjo ndodh, ka dritë në fund të tunelit, dhe ndoshta edhe më parë nga sa pritet.

Sjellja e turpshme e Trump gjatë udhëtimit të tij të fundit ka dy shkaqe kryesore:narcisizmin e tij shpërthyes, dhe aderimin e tij në një formë jashtëzakonisht vulgare të kapitalizmit. Në vitin 1989, kur Trump nuk ishte asgjë më shumë se një manjat i pasurive të paluajtshme, ai tha papritmas gjatë një interviste televizive me Lerri King:”Goja ju vjen erë shumë të keqe? A jua ka thënë ndokush këtë?”. Më vonë, Trump e shpjegoi poshtërimin që i bëri moderatorit, duke thënë se kjo ishte një shfaqeje i strategjisë së tij negociuese:të vënit e njerëzve në pozita mbrojtëse.

Java e kaluar, tregoi se ky është një koncept që me sa duket ai e përdor edhe në politikë. Ai kërkoi t’i mbyllte gojën kancelares gjermane Angela Merkel, duke pretenduar se Gjermania është një “peng i Rusisë” në prag të takimit të tij me të. Dhe ai bëri të njëjtën gjë me kryeministren britanike Tereza Mej, duke i deklaruar ballazi se rivali i saj Boris Xhonson, do të ishte një kryeministër i mirë.

Kjo sjellje është vulgare. Dhe joefektive. Gjithçka që ai bën, është të rëndojë gjendjen, dhe ta bëjë më të vështirë gjetjen e gjuhës së përbashkët. Megjithatë, ky është qëllimi kryesor i politikës së jashtme – diçka që Trump duket i paaftë ta përdorë si duhet.

Përsa i përket narcizmit:Trump po përdor vazhdimisht superlativa për të lëvduar veprat e tij. Çfarëdo që ai bën, thotë ose mendon, duhet të jetë më e mira, më madhështorja e të gjitha kohërave.

Ditët kur ai ndjehet modest, mund të shtojë një përcaktor të tipit “ndoshta”.  Dikush mund të mendojë se po synon të izolojë veten nga dyshimi dërrmues ndaj vetvetes. Dhe kjo është ajo që e bën kaq shpërthyes narcizmin e tij. Kur lindin dyshime mbi madhështinë e tij të vetëshpallur, ai është pak a shumë i aftë për asgjë – duke përfshirë shprehjen e fjalive që shumëkush, dhe jo vetëm kundërshtarët e tij, i shohin si tradhti.

Fitorja e tij zgjedhore, nuk ishte aq e madhe sa i pëlqen ta portretizojë ai. Hilari Klinton mori pothuajse 3 milion vota më shumë, dhe Trump u bë president vetëm për shkak të veçorive të sistemit elektoral amerikan. Mbi këshilltarët e ngushtë dhe anëtarët e familjes së tij, rëndojnë ende dyshimet se kanë mbajtur kontakte me rusët gjatë fushatës elektorale.

Agjencitë amerikane të inteligjencës amerikane, kanë dëshmi se agjentët rusë kanë ndërhyrë në fushatë. Legjitimiteti i fitores së tij zgjedhore – triumfi më i madh i egos gjigante të këtij njeriu të vogël – është për pasojë i dyshimtë.

Për këtë arsye Trump, i hodhi shërbimet e tij të inteligjencës gjatë samitit të Helsinkit, dhe përse ai tradhtoi gjithçka që përfaqëson Amerika, duke vepruar si një lake i presidentin rus Vladimir Putin. Të gjitha përpjekjet e mëvonshme, për t’u tërhequr nga komentet, e përkeqësuan më tej situatën. Është një komedi dhe tragjedi në të njëjtën kohë.

Por kjo nuk do të thotë, se Trump nuk është në gjendje të hedhë në disa raste hapin e duhur dhe logjik. Në fillim të viteve 1970, Riçard Nixon ndoqi një politikë të ndjeshme ndaj Kinës, gjë që shtoi presionin ndaj Bashkimit Sovjetik, por ai kujtohet kryesisht për krimet e tij – si presidenti i skandalit Uotergejt – dhe me të drejtë. Trump është një aksident historik, dhe kështu duhet të trajtohet.

Qëndrimi i tij në detyrë është i fundëm:Mund të përfundojë për 2 vjet e gjysmë;në skenarin më të keq, mund të duhet të presim deri në vitin 2021, nëse ai rizgjidhet. Atëherë, çfarë duhet bërë? Europa nuk mund të bënte një gabim më të madh, nëse do t’i përshtasë politikat e saj ndaj qasjes së Trump, dhe duke e lejuar këtë të të fundit të diktojë agjendën.

Asgjë nuk përfundon me Trump. Asgjë nuk fillon me Trump. Ky duhet të jetë parimi udhëheqës i Europës. Ne duhet të mos e ngatërrojmë atë me Shtetet e Bashkuara. Me këtë president s’ka asnjë bashkësi vlerash, por kjo nuk do të thotë se Perëndimi është drejt kolapsit. Ndoshta është në krizë, ka shumë probleme, por SHBA-ja mbetet themeluesja e demokracisë moderne dhe traditat e saj kanë rrënjë të thella.

Trump, nuk shënon fillimin e një epoke të çuditshëm. Pasardhësi i tij, ka shumë të ngjarë të jetë një politikan i vërtetë. Ky pasues mund të vazhdojë për disa kohë linjën e Trump, për shembull, tendencën ndaj izolacionizmit. Por kjo është një prirje që ka ekzistuar shumë kohë përpara Trump, dhe vitet e fundit, ka qenë ndër prirjet afatgjata të politikës amerikane.

Europa mund të përballet me këtë, duke supozuar që politikanët europianë kanë homologë të aftë – politikanë të vërtetë – në anën tjetër të Atlantikut. Deri atëherë, Europa duhet të shmangë distancimin por edhe përshkallëzimin, veçanërisht kur bëhet fjalë për mosmarrëveshjen tregtare me SHBA-në.

Reagimet ndaj Trump, duhet të jenë të përshtatshme, por jo hakmarrëse. Nevojiten politika të ftohta. Trump një dikë do largohet, por SHBA-ja do të mbetet aty – dhe duhet të mbetet një mike e Europës. Thuhet shpesh se për shkak të Trump, Bashkimi Europian duhet të shtërngojë radhët e veta, të krijojë një politikë të përbashkët të sigurisë, dhe të jetë më agresiv në sigurimin e interesave të veta.

Ky argument i jep Trumpit më shumë të drejtë:Europa duhet t’i bëjë këto, pa marrë parasysh se kush është në Shtëpinë e Bardhë. Europa ka bërë shumë pak në frontin e mbrojtjes vitet e fundit, dhe Trump ka shërbyer vetëm për të nxjerrë në pah këtë dështim. Një tjetër interes europian, është ai i ruajtjes së marrëdhënieve të mira me Kinën.

Evropa duhet të luajë rolin e palës së tretë, me dy palët e tjera – Kinën dhe SHBA – që përballen me njëra-tjetrën si superfuqi. Europa nuk mund të rifillojë rolin e saj si aksesor, sikurse ishte gjatë Luftës së Ftohtë, një periudhë kur Amerika përcaktoi qasjen perëndimore ndaj Bashkimit Sovjetik. Europa nuk është e përfshirë në këtë përplasje, ajo është e pavarur prej

saj.

Tregtia e lirë, marrëdhëniet e drejta ekonomike, një promovim i butë por këmbëngulës i lirisë, demokracisë, të drejtave të njeriut dhe sundimit të ligjit në Kinë:Këto duhet të jenë udhëzimet e ndjekura nga BE, në marrëdhëniet e saj me Pekinin.

E njëjta gjë vlen edhe për marrëdhëniet me Rusinë, megjithëse aspekti i sigurisë për Europën, luan në këtë rast një rol shumë më të madh. Rusia është gjithashtu një fuqi ushtarake europiane, e cila mund të shkaktojë shumë shpejt një dëm të konsiderueshëm, nëse e dëshiron këtë.

Europa duhet të ndërtojë një politikë të mirë të sigurisë, e cila është po aq optimiste sa edhe pesimiste. Rusët nuk duan luftë, por nëse do të fillojë një e tillë, Bashkimi Evropian duhet të jetë i përgatitur. Brukseli duhet të planifikojë, mungesën afatgjatë të një ombrelle amerikane të sigurisë.

Këto janë detyrat e politikës së jashtme, gjatë letargjisë dhe pas saj. Ato janë detyra që duhet të adresohen nga politikanët e vërtetë. Dhe këtu është mundësia e ofruar nga epoka e Trump: rehabilitimi i politikës profesionale. Politikanët, kanë një shans për të treguar që janë të nevojshme, sepse vetëm ata mund të trajtojnë sfidat me të cilat përballemi.

“Der Spiegel International” – Në shqip nga bota.al