Ballina Kronika “Arrest me burg” për babain që mori peng djalin

“Arrest me burg” për babain që mori peng djalin

Gjykata e Rrethit të Beratit, vendosi sot të quajë të ligjshëm arrestimin e Admir Duro dhe vendosi ndaj tij masën e “arrestit me burg”.

Në emër të organit të akuzës, Olgert Rumnici, i kërkoi gjykatës cilësimin si të ligjshëm të arrestimit të 42-vjeçarit dhe caktimin e masës së sigurisë “arrest me burg”, ndonëse pala mbrojtëse kërkoi cilësimin e arrestimit si të paligjshëm dhe caktimin e një mase më të lehtë sigurie për shkak të gjendjes së tij të rëndë se shëndetit mendor, gjë e cila nuk është marrë parasysh nga kryetari i trupit gjykues, Durim Hasa.

Dhe në sallën e gjyqit Duro ka shfaqur probleme me shëndetin mendor, por për shkak të mos kryerjes së vizitave mjekësore nuk ka pasur prova për t’u paraqitur në gjykatë që dëshmojnë problemet e tij mendore.

42-vjeçari akuzohet tashmë për: veprat penale, “Heqja e paligjshme e lirisë”, “Dhuna në familje”, “Kundërshtimi me dhunë i punonjësit të policisë” dhe “Prishja e rendit dhe qetësisë publike”.

Ngjarja për të cilën akuzohet Duro ndodhi tre ditë më parë në lagjen “30 Vjetori”, ku 42-vjeçari mbajti peng për orë të tera djalin e tij, 17-vjeçar nga frika mos e braktiste.

Më pas, ai hipi në soletën e pallatit ku për më shumë se tre orë kundërshtoi me forcë punonjësit e policisë, hodhi tjegulla në drejtim të tyre, duke lënduar dy uniforma blu. Pas arrestimit ai qëndroi në spitalin e Beratit dhe u përball sot me gjykatën, në seancën e parë në ngarkim të tij.