Ballina Aktualitet ANALIZA: Patriotizmi shqiptar, mburoja kundër ambicieve të Erdogan në Ballkan

ANALIZA: Patriotizmi shqiptar, mburoja kundër ambicieve të Erdogan në Ballkan

SHPËRNDAJE

Nga Stavros Tzimas, Kathimerini 

Presidenti turk, Recep Taip Erdogan ka hapur disa fronte ushtarake në Lindjen e Mesme dhe në të njëjtën kohë kërcënon në Egje dhe në Lindjen e Mesdheut, por të gjitha këto nuk e kanë zhvendosur Ballkanin nga vëmendja e tij.

Prioriteti i tij në rajon është që të ndjekë dhe të shkatërrojë të gjithë personat e lidhur me klerikun në ekzil, Fethullah Gulen, të cilët ndodhen kryesisht në institucione arsimore të lidhura me lëvizjen gyleniste. Erdogan ka ushtruar trysni ndaj qeverive të rajonit për të mbyllur këto shkolla dhe për të dorëzuar “terroristët” e dyshuar.

Vetëm muajin e kaluar, gjashtë shtetas turq u “rrëmbyen” nga agjentët e inteligjencës turke në Kosovë dhe Erdogan ka nisur një fushatë intimiduese ndaj shqiptarëve, ku i paralajmëron se gylenistët janë të rrezikshëm dhe po orkestojnë një sërë grushtesh shteti.

Megjithatë, duket se përpjekjet e Presidentit turk për të manipuluar shqiptarët në Ballkan duke përdorur besimin fetar kanë shkuar shumë larg, kjo e parë edhe në vetë sytë e shqiptarëve. Këtu ka prekur një kordë të ndjeshme; patriotizmin.

“Feja e shqiptarit është shqiptari”, shkruan poeti shqiptar Pashko Vasa. Këto vargje përshkruajnë një realitet mes shqiptarëve, por janë edhe një barrierë kundër infiltrimin neo-Otoman.

Shqiptarët mirëpresin investimet turke, mirëpresin edhe ndërtimin e xhamive, por shumë pak janë të gatshëm që të jetojnë nën një regjim demokratik të ngjashëm me atë që Erdogan ka vendosur në shtëpinë e tij.

Pjesa dërrmuese e shqiptarëve i kanë sytë nga perëndimi, ku shohin të ardhmen e tyre dhe të fëmijëve të tyre, por mbi të gjitha ndjejnë se islami radikal minon identitetin e tyre kombëtar.

Në fund të fundit, ata e dinë që paraardhësit e tyre luftuan për t’u çliruar nga Perandoria Osmane dhe për t’u zhvilluar si komb.

Pak muaj më parë, në veri të Shqipërisë (Mirditë), u përurua një hidrocentral i financuar nga një kompani turke.

Banorët vendas shkatërruan flamurin turk, që ishte vendosur në digën e këtij hidrocentrali. “Ishte një provokim! Ne luftuam kundër otomanëve që na skllavëruan për shekuj me radhë dhe nuk mund të ngrihemi në mëngjes me atë flamur këtu”, thanë banorët për televizionët vendase.

Erdogan mund ta shohë veten si udhëheqës të myslimanëve që jetojnë në Ballkan, por kur vizitoi së fundmi Maqedoninë, udhëheqësi i partisë më të madhe shqiptare atje, Ali Ahmeti refuzoi që ta shoqërojë atë në një tur vizitash e takimesh në fshatrat e banuar nga shqiptarët, madje ua ndaloi edhe ministrave të tij që ta bënin këtë.(tch)

Loading...