Ballina Aktualitet Blofi me shqipen në Maqedoni

Blofi me shqipen në Maqedoni

Ekskluzive/ Flet Prof. Dr. Qemal Murati

Ligji për përdorimin e gjuhëve në Maqedoni i miratuar nga Parlamenti i atij vendi më 11 janar nuk është për t’u përshëndetur e festuar nga ana e gjuhëtarëve dhe të tjerëve, sepse ai e avancon përdorimin zyrtar të shqipes si gjuhë të pakicës sipas Marrëveshjes së Ohrit, por nuk e zyrtarizon në tërë territorin e Republikës së Maqedonisë.

Kështu shprehet Prof. Dr. Qemal Murati, një nga gjuhëtarët më të mirë të atij komunitet shqiptar. Qemal Murati nga Kërçova, prof. dr. në Institutin Albanologjik të Prishtinës, ka shkruar herë pas here për këtë problem dhe ka qenë në vijimësi në mbrojtje të shqipes standarde nga sulmet që janë bërë pas vitit 1990. Duke analizuar ligjin maqedonas për gjuhët në Maqedoni, në këtë intervistë ekskluzive për  ‘DITA’ Prof. Murati analizon dhe shtjellon falsitetin e këtij ligji.

Ai argumenton se, sipas këtij ligji, p.sh. në Shkup shqipja do të ketë përdorim zyrtar vetëm në Komunën e Çairit ku flitet nga 20 për qind e popullsisë (ky është termi teknik që përdoret për gjuhën shqipe) por jo në tërë territorin e Shkupit. Si i tillë ky ligj nuk është mirëpritur dhe nuk është pranuar nga inteligjencia shqiptare në Maqedoni, sepse shqipja nuk e ka statusin e barabartë me maqedonishten. Shikoni p.sh. përdorimin e gjuhëve në Kosovë, ku gjuha serbe që nuk flitet as nga pesë për qind e popullsisë ka status plotësisht të barabartë me gjuhën shqipe, apo Ligjin e përdorimit të gjuhëve në Mal të Zi, ku shqipja ka status të barabartë zyrtar me gjuhën malazeze.

Më në fund, sipas Prof. Muratit ligji për përdorimin e gjuhëve në Maqedoni ka qenë shumë më i avancuar me Kushtetutën e vitit 1974 ku gjuha shqipe ka pasur status të barabartë me maqedonishten, madje në viset me popullsi shumicë shqiptare shqipja ka pasur statusin e gjuhës së parë, kurse maqedonishtja statusin e gjuhës së dytë. Pse nuk ka vend për ekzaltim në këtë rast dhe cila është arsyeja e vërtetë që presidenti maqedonas e ktheu për rishqyrtim ligjin në fjalë?/ Bisedoi: Xh. Shehu

 

– Prof. Murati, para pak ditësh në Parlamentin e Maqedonisë u miratua një ligj mbi përdorimin e shqipes si gjuhë zyrtare, i cili u trumbetua si një arritje historike. A është vërtetë një arritje historike kjo?

– Ligji për përdorimin e gjuhëve i miratuar nga Parlamenti i Maqedonisë (11 janar 2018), por i cili më pas nuk u dekretua nga presidenti Gjorgje Ivanov dhe u rikthye për rishqyrtim në Parlament, u trumbetua si një fitore e madhe demokratike e, madje, historike, por në fakt nuk është i tillë, ky ligj lë shumë për tëdëshiruar.

Pas miratimit të këtij Ligji nisën dhe urimet e përshëndetjet e jargavitjet se kush e “zyrtarizoi” përdorimin e shqipes në Maqedoni. Se këtë Ligj e bëri LSDM-ja, BDI-ja, Aleanca për Shqiptarët apo Lëvizja Besa. Deri edhe kryeministri i Shqipërisë Edi Rama do të shprehej pa ngurrim se pa Partinë Socialiste të Shqipërisë gjuha shqipe nuk do të ishte gjuhë zyrtare në Maqedoni!

Ndërsa ish-presidenti i Shqipërisë Sali Berisha do të deklaronte se “Ky ligj është një fitore e madhe historike për shqiptarët në Maqedoni!”. E kështu me radhë, e kështu pa fund me absurditete të tilla. E gjitha kjo do të ishte në rregull sikur gjuha shqipe të ishte vërtet gjuhë zyrtare në Maqedoni. Por faktet flasin ndryshe, se përdorimi i shqipes është avancuar, por nuk është zyrtarizuar.

 

– Si mund ta argumentoni këtë avancim, por jo edhe zyrtarizim të shqipes në Maqedoni?

– Me këtë Ligj shqipja është “zyrtarizuar” pikërisht sipas Marrëveshjes kornizë të Ohrit, ku gjuhë zyrtare është vetëm maqedonishtja, por jo dhe gjuha shqipe. Pra, Ligji për përdorimin e gjuhëve në Maqedoni i miratuar nga Parlamenti nuk është për t’u përshëndetur e festuar nga ana e shqiptarëve, sepse ai ligj e avancon përdorimin zyrtar të shqipes si gjuhë të pakicës sipas Marrëveshjes së Ohrit, por nuk e zyrtarizon në tërë territorin e Republikës së Maqedonisë.

P.sh. në Shkup shqipja mund të ketë përdorim zyrtar vetëm në Komunën e Çairit ku flitet nga 20 për qind e popullsisë (ky është termi teknik që përdoret për gjuhën shqipe) por jo në tërë territorin e Shkupit.

Si i tillë ky ligj nuk është mirëpritur dhe nuk është pranuar nga inteligjencia shqiptare në Maqedoni, sepse shqipja nuk e ka statusin e barabartë me maqedonishten. Ky Ligj madje as nuk e njeh shqipen si gjuhë zyrtare me emrin e saj të vërtetë, por si “Gjuha e 20 %”, që, sikurse shprehet edhe publicisti Nijazi Muhamedi, “ky është një mohim skajshmërisht racist i identitetit dhe i popullit shqiptar nga ana e maqedonasve”.

– Pse jeni skeptik? A nuk ishte përdorimi i gjuhës shqipe si gjuhë zyrtare në Marrëveshjen e Ohrit më 2001?

– Marrëveshja e Ohrit e vitit 2001 e ka avancuar përdorimin e gjuhës shqipe në nivelin lokal e pjesërisht dhe në atë qendror, por nuk e ka zyrtarizuar plotësisht, ashtu siç nuk e zyrtarizon as Ligji për përdorimin e gjuhëve në Maqedoni (2018) që del po nga Marrëveshja kornizë e Ohrit. Ndonëse, në fakt, ky ligj as nuk ka gjetur zbatim të plotë deri më tani dhe është larg standardeve me ligjet e përdorimit të gjuhëve në shtetet e tjera të rajonit, për të mos shkuar më larg në Zvicër a në Finlandë.

Shikoni p.sh. përdorimin e gjuhëve në Kosovë, ku gjuha serbe që nuk flitet as nga pesë për qind e popullsisë ka status plotësisht të barabartë me gjuhën shqipe, apo Ligjin e përdorimit të gjuhëve në Mal të Zi, ku shqipja ka status të barabartë zyrtar me gjuhën malazeze.

Prandaj po themi se me këtë ligj nuk duhet të ekzaltohemi. Por shtetit të Maqedonisë duhet t’i ngrihet padi në Gjykatën e Strasburgut për shkeljen e të drejtave linguistike, kur dihet që më në fund, ligji për përdorimin e gjuhëve në Maqedoni ka qenë shumë më i avancuar edhe me Kushtetutën e vitit 1974 të ish-Jugosllavisë së Titos se sa sot, ku gjuha shqipe ka pasur status të barabartë me maqedonishten.

Madje në viset me popullsi shumicë shqiptare shqipja ka pasur statusin e gjuhës së parë, kurse maqedonishtja statusin e gjuhës së dytë. Përdorimi zyrtar i gjuhës shqipe në Maqedoni është një e drejtë natyrore, juridike dhe universale, dhe mendoj se nuk ka përse të falënderojmë dikë për një të drejtë elementare që u takon shqiptarëve.

– Cilat janë raportet e shqipes me maqedonishten  aktualisht? Pra, a ka diskriminim të shqipes?

– Jo a ka diskriminim të shqipes, por në ç’shkallë është ai diskriminim. E ky diskriminim është total në të gjitha fushat dhe sferat e përdorimit publik të gjuhëve, ku gjuha shqipe nuk njihet as me emrin e saj të vërtetë.

Sa për krahasim me Republikën e Maqedonisë, le të shihet si është rregulluar statusi i përdorimit të gjuhëve zyrtare në Republikën e Kosovës ose në Republikën e Malit të Zi, dy shtete më të reja të Ballkanit, me demokraci të lartë funksionale linguistike të nivelit evropian.

Për shembull, në Kosovë dy gjuhët zyrtare shqipja dhe serbishtja nuk mund të zbatohen asnjëherë në mënyrë selektive dhe arbitrare, diku po e diku jo. Ato zbatohen gjatë tërë kohës, në tërë Kosovën, pa përjashtim. Edhe ndonjë gjuhë tjetër mund të jetë gjuhë zyrtare në vendbanime të ndryshme aty ku një pakicë i plotëson disa kritere të përcaktuara, siç është p.sh. turqishtja në Mamushë.

Respektimi i të drejtave gjuhësore nga komunat e Kosovës (2014):

Në Malin e Zi: Gjuhë zyrtare është gjuha malaziase. Në përdorim zyrtar janë dhe serbishtja, boshnjakishtja, shqipja dhe kroatishtja. Shqipja me 5,27 për qind të folësve të saj, dhe kroatishtja me 0,27 trajtohen si gjuhë në përdorim zyrtar.

Në kontekstin e përdorimit zyrtar të gjuhëve, në Maqedoni duhet të ndiqet së paku modeli i Malit të Zi dhe i Kosovës. Nëse uniteti i Malit të Zi nuk rrezikohet nga përdorimi zyrtar i gjuhës së tjetrit, atëherë nuk rrezikohet as Maqedonia me barabarësinë e gjuhëve. Në Maqedoni duhet të ndryshohet qasja ndaj gjuhës së tjetrit, jo të mohohet gjuha e tjetrit.

 

– Si mund të ndryshohet kjo qasje ndaj gjuhëve dhe në mënyrë të veçantë ndaj shqipes?

– Gjuha shqipe në Maqedoni ka ngecur në rrjetën e pezhishkës (pëlhurë e merimangës), në kurthin e endur me dinakëri nga elitat politike maqedonase.

Për të siguruar kohezion të brendshëm dhe ekzistencën e shtetit, Maqedonia nuk duhet të jetojë me mite të rrejshme, ajo duhet të heqë dorë nga miti i njëgjuhësisë dhe të jetë një shteti unitar me dy gjuhë zyrtare në tërë territorin, siç është Kosova, Mali i Zi, Finlanda, Zvicra, madje dhe shtetet afrikane etj.

Jovan Bliznakovski, anëtar i Institutit për Demokraci ”Societas Civilis” nga Shkupi, nuk sheh asnjë të keqe nga “dygjuhësia” dhe “shumëgjuhësia” në Maqedoni:

Dygjuhësia” thjesht do të thotë se bashkëqytetarët tanë nga bashkësia shqiptare mund ta përdorin gjuhën e tyre amtare në shumë situata, në komunikim me organet shtetërore. Këtu nuk ekziston asnjë dëm për asnjë individ apo kolektiv, flasim për operacion të mundshëm. Pikërisht për këtë termi ”dygjuhësia si rrezik” është absurd.

Do të kisha dashur të shoh parti politike në Maqedoni, të cilat haptazi dhe zëshëm do të përkushtoheshin për avancimin e mëtejshëm të shumëgjuhësisë në shtet. Përmes saj shoh mënyrën që të ngrihet në një nivel më të lartë kohezioni shoqëror i brishtë midis bashkësive, i rrënuar nga elitat e papërgjegjëshme politike dhe mitet e pavërteta që këto elita i kanë prodhuar ose i kanë shfrytëzuar, – thotë Bliznakovski, edhe me të drejtë.

Këto premisa dhe koncepte duhet t’i pranojë sa më parë edhe klasa politike maqedonase dhe jo të ushqehet me atavizma ndaj shqipes e shqiptarëve, të cilët nuk i kanë sjellë asnjë të keqe këtij shteti, përveçse e kanë mbrojtur dhe e mbrojnë ekzistencën e tij.

 

– Ju jeni shprehur se ligji për përdorimin e gjuhëve në Maqedoni ka qenë shumë më i avancuar me Kushtetutën e vitit 1974 ku gjuha shqipe ka pasur status të barabartë me maqedonishten. Ndërkohë Maqedonia nuk është pjesë e ish-Jugosllavisë.  Çfarë pengon që të avancohet në këtë drejtim dhe që shqipja të respektohet sikurse e meriton?

– Në hulumtimet e saj linguistja kroate Snježana Kordić na jep një pamje interesante të përdorimit të gjuhëve në Jugosllavi, ku mund të shihet se Jugosllavia ka pasur që në atë kohë një qëndrim shumë më liberal dhe demokratik në pikëpamje të përdorimit të gjuhëve zyrtare se sa shteti i sotëm i Maqedonisë.

“Sot nuk përmendet se në Jugosllavi mediet janë shtypur në 16 gjuhë, se mësimi në shkollë ​​është zhvilluar në 14 gjuhë, në fakultete në 9 gjuhë, se ajo ishte një nga shtetet e para, në mos i pari, në të cilin ekzistonin dhe tekstet shkollore në gjuhën rome. Hulumtuesit europerëndimorë edhe në kohët e fundit politikën gjuhësore të ish-Jugosllavisë e japin si shembull në krahasim me vendet e tjera evropiane.

Megjithëse serbokroatishtja ishte gjuhë amtare për 73 për qind të popullsisë së Jugosllavisë (për ilustrim të shihet se çfarë ishin raportet numerike, gjuhët e dyta për nga numri ishin sllovenishtja dhe shqipja secila me 8 për qind, pastaj maqedonishtja me 6 për qind, hungarishtja me 2 për qind, romishtja 0.6 për qind, me 0.5 për qind më poshtë tetë gjuhët: gjuha turke, sllovake, rumune, bullgare, rusine, italiane, çeke, ukrainase), pra, edhe pse serbokroatishtja ka qenë gjuhë amtare për 73 për qind të popullsisë, nuk është shpallur si gjuhë e vetme zyrtare në nivel shtetëror, por vendimi për gjuhët zyrtare u la në kushtetutat e republikave dhe krahinave autonome.

Kështu, çdo republikë dhe krahinë autonome kishte sipas përbërjes së popullsisë disa gjuhë zyrtare, p.sh. një Krahinën Autonome të Vojvodinës ishin pesë gjuhë zyrtare (serbo-kroatishtja, gjuha hungareze, sllovake, rumune dhe rusine), kurse në Kosovë katër (shqip, serbo-kroatisht, gjuha turke dhe ajo rome) (Kordić).

Pra, ndonëse në Jugosllavinë Socialiste serbokroatishtja ka qenë gjuhë amtare për 73 për qind të popullsisë, ajo nuk është shpallur si gjuhë e vetme zyrtare në nivel shtetëror, por si gjuhë e barabartë me të gjitha gjuhët e tjera të asaj bashkësie.

Ndërsa në Maqedoninë e sotme, maqedonishtja që flitet vetëm nga gjysma e popullsisë së këtij vendi, është shpallur me Kushtetutë gjuhë e vetme në përdorim zyrtar!  

 

– Ju mendoni se në ish-Jugosllavi statusi i shqipes ka qenë më i avancuar se në realitetin e tanishëm të Maqedonisë?

– Po. Gjendja gjuhësore në ish-Jugosllavi ka qenë “lule” krahasuar me gjendjen gjuhësore në Maqedoni sot, në të cilën shfaqet një “maqedonocentrizëm linguistik” i egër e primitiv kundër gjuhës së tjetrit, konkretisht kundër gjuhës shqipe. Klasa politike maqedonase organizonte deri dhe protesta e mitingje nga banda e falanga kundër përdorimit zyrtar të shqipes me slogane që nuk i njeh as fashizmi: “Jo dygjuhësi në tërë territorin e Maqedonisë!”. “Jo përdorimit zyrtar të shqipes në Maqedoni!”. Për këto do t’ua kishte lakmi edhe gjenerali famkeq Franko!

Ky është ai terrori i vërtetë gjuhësor dhe terrori shtetëror që një bashkësi etnike maqedonase promovon kundër një bashkësie tjetër etnike shqiptare, që në esencë numerikisht të dy këto bashkësi janë pothuajse të barabarta.

Zgjidhja më e drejtë për përdorimin zyrtar të gjuhëve në Maqedoni është kjo: maqedonishtja të jetë gjuhë e parë zyrtare në ato zona ku popullsia shumicë është maqedonishtfolëse, kurse shqipja të jetë gjuhë e parë zyrtare në ato territore ku popullsia është shumicë është shqipfolëse – siç ka qenë në periodën e ish-Jugosllavisë.

Maqedonia e këtyre 20 vjetëve nga shpërbërja e Jugosllavisë vërtet nuk është në përbërjen e atij shteti, sepse ai tanimë nuk ekziston, por vendi dhe popujt që e banojnë këtë shtet janë të njëjtë, janë po ata shqiptarë e maqedonas aty. Proceset e reja demokratike duhet të ecin përpara, jo të rikthehen prapa në forma e trajta retrograde, antidemokratike.

 

– Çfarë pengon që të avancohet në këtë drejtim dhe që shqipja të respektohet sikurse e meriton?

– Pengon dalldia e klasës politike maqedonase dhe komunitetit akademik i botës maqedonase të cilët në konceptin e tyre Maqedoninë e shohin si shtet ekskluzivisht të maqedonasve e në të cilin mund të përdoret vetëm një gjuhë zyrtare – maqedonishtja.

Kurse gjuhët e tjera i shohin si gjuhë të njerkës, të rendit të dytë apo të tretë. Kjo dalldi duhet të frenohet nga subjektet politike shqiptare në Maqedoni që marrin votën nga populli dhe për këtë duhet të japin llogaridhënie. Në një ese të tij “Nëse botën do ta sundoja unë”, semiologu i njohur Umberto Eco thotë: “Në qoftë se koncepti i Evropës ekziston, atëherë ai është i bazuar në njohuritë e ndërsjella të gjuhëve”.

E po ky koncept duhet të vlejë edhe për Maqedoninë si një vend i Evropës. “Në qoftë se koncepti i shtetit të Maqedonisë ekziston, atëherë ky shtet duhet të jetë edhe i shqiptarëve”. Pa njohjen dhe respektimin e ndërsjellë të gjuhëve nuk mund të ketë Maqedoni.

 

– Si e konsideroni rolin e partive politike shqiptare për këtë çështje?

– Partitë politike shqiptare në Maqedoni (që janë me dhjetëra) janë organizata apo grupe të interesit të cilat bëjnë politikë për interesat e tyre klanore e grupore, e më pak për interesat nacionale të shqiptarëve, ndonëse gojën e kanë përplot me “patriotizëm”, siç janë të tilla dhe partitë politike në hapësirat e tjera shqiptare, në Shqipëri, në Kosovë etj.

Me pak vullnet të subjekteve politike shqiptare, çështja e zyrtarizimit të gjuhës shqipe do të ishte zgjidhur përfundimisht dhe do të ishte harruar kjo punë, porse ka munguar këmbëngulësia e tyre përballë faktorit politik maqedonas. Ato nuk duhet të kërkojnë zyrtarizimin e gjuhës shqipe nga “padronët” maqedonas sepse ata nuk janë pronarët e Maqedonisë, por duhet të këmbëngulin në këtë të drejtë elementare në shtetin e përbashkët me pjesëmarrjen e tyre ose jo në Qeverinë dhe në Parlamentin e Maqedonisë.

Nëse, ta zëmë, çështja e zyrtarizimit të gjuhës shqipe do të ishte kushti numër 1 për pjesëmarrjen e partive politike shqiptare në qeverinë e Maqedonisë, si një conditio sine qua non (kusht pa të cilin nuk bën) (nuk ka nevojë këtu për Platformë të Tiranës), atëherë pala maqedonase sigurisht që do të reflektonte dhe nuk do të kishte rrugë tjetër përveçse ta pranonin këtë kusht si një e një që bëjnë dy. Shikoni çfarë kushtesh vë Greqia për ndryshimin e emrit të Maqedonisë, dhe maqedonasit do të detyrohen të bëjnë ndryshime.

Komunitetet etnike në Maqedoni mund të thuhet se nuk kanë animozitete ndaj gjuhës së tjetrit. Por partitë politike dhe akademikët maqedonas janë ata që krijojnë animozitete për përfitime të tyre, të kujtojmë këtu dhe lojën me toponimet shqipe dhe tendencat për “maqedonizimin” e tyre që shqiptarët Shkupin ta quajnë “Skopje”. “Asnjëherë nuk do të jemi njerëz më të mirë pa gjuhën shqipe”- thotë një maqedonase Biljana Sekulovska.

Ja, ky është një mesazh që duhet t’u përçohet maqedonasve që kërkojnë “Maqedoni të pastër!” Maqedoni pa shqiptarë! Maqedoni pa gjuhë shqipe! Ky shembull na jep të kuptojmë se në Maqedoni së paku “turpërohet” dikush. E, do të duhej të turpërohej në radhë të parë edhe klasa politike dhe ajo akademike maqedonase që promovojnë turpe të tilla kundër gjuhës shqipe dhe kundër të qenit shqiptar në Maqedoni.

Por, natyrisht do të duhej të turpërohen edhe partitë politike shqiptare që kënaqen me pak thërrime. Gjuha shqipe është në territorin e vet në Maqedoni, në plëngun e vet, nuk është në shtëpi të huaj. Dhe këtu nuk mund të ketë lëshime a pazare politike.

 

– Po reagimin e gjuhëtarëve dhe të inteligjencies shqiptare si e konsideroni?

– Për çështjen e “zyrtarizimit” të gjuhës shqipe me Ligjin e ri për përdorimin e gjuhëve në Maqedoni ka pasur disa reagime nga gjuhëtarë e nga disa analistë e publicistë, por kanë munguar reagimet institucionale, ta zëmë nga Akademia e Shkencave e Shqipërisë dhe nga Akademia e Shkencave dhe e Arteve e Kosovës, thuajse këto zhvillime po ndodhin diku në Tunguzi.

Mirë është edhe që nuk kanë reaguar këto dy “Akademi”, sepse me atë potencial intelektual e shkencor që kanë brenda do të shkretonin, siç kanë shkretuar edhe me reagimet e tyre ndaj “Enciklopedisë së Maqedonisë” me dofarë kumtesash të stilit partiak, pa thënë asgjë. Aq e kanë kaçikun “të pavdekshmit” që hiqen sikur bëjnë shkencë. Por nuk kanë munguar ndërkaq reagimet histerike të disa zërave nga Akademia e Shkencave dhe e Arteve e Maqedonisë.

Ndaj këtij Ligji ka reaguar me të drejtë, me sens kombëtar e shkencor gjuhëtari prof. Shezai Rrokaj, (Gjuha shqipe në Maqedoni dhe kompleksi i politikanëve shqiptarë, “Panorama”, 12.01.2018), e ku vë në spikamë ndër të tjera këto fakte relevante: “Me miratimin e Ligjit për gjuhën (shqipe) në Maqedoni shumë krerë të lartë politikë shqiptarë mezi pritën që të shpreheshin se kjo shënonte një fitore të shqiptarëve në Maqedoni, madje e trajtuan si fitore edhe në plan kombëtar. Kjo gjë me siguri do të shoqërohet edhe me falënderimet dhe përgëzimet e ndërsjella mes liderëve shqiptarë, por edhe me liderët maqedonas.

Duke e parë ligjin në tërësi, nuk mund të mos shtroj disa çështje, si: A quhet fitore e demokracisë një e drejtë natyrore e institucionale, e sanksionuar në konventat ndërkombëtare? A ka arsye për t’u lumturuar e ekzaltuar, e ca më shumë, për ta paketuar këtë ligj si fitore?

Ta themi qysh në fillim se klasa politike maqedonase, përfshi edhe partitë shqiptare duhet të bënin një mea culpa të madhe për zbatimin e vonuar të një detyrimi ligjor, që vinte si rezultat i Marrëveshjes politike të Ohrit. Kjo do të thotë se nuk kemi asnjë avancim substancial përtej çfarë parashikohej në këtë Marrëveshje shumë vite më parë.

Nëse për vetë kohën dhe kushtet kur u nënshkrua Marrëveshja mund të konsiderohej si hap ndjellamirë për bashkëjetesën ndëretnike në Maqedoni, sot mund të themi se ky ligj dhe kjo Marrëveshje janë një “lëmoshë” apo një “fitore e Pirros”, po të kemi parasysh Konventën Europiane për gjuhët në shtetet me përfaqësi ndëretnike si rasti i Maqedonisë”. Ndërkaq, për “zyrtarizimin” e shqipes në Maqedoni analisti Arsim Sinani bën një krahasim të tillë të figurshëm e të goditur: “A mundet që Liqenit të Ohrit t’i themi Deti Adriatik? Nëse Liqeni i Ohrit na prezantohet si Deti Adriatik, atëherë gjuha shqipe është zyrtare në Maqedoni”.

 

– Po reagimi i gjuhëtarëve dhe akademikëve maqedonas cili ka qenë pas këtij zhvillimi?

– Ndaj miratimit të Ligjit për përdorimin e gjuhëve në Maqedoni ka reaguar edhe akademikja maqedonase Katica Qulavkova e cila vlerëson se me ligjin e ri për gjuhët po ndryshohet identiteti i shtetit. “Tragjike është kur të ndryshosh identitetin e shtetit vetë, në shtëpi, nga brenda, me tapi. Identiteti i shtetit të RM po ndryshohet dhe statusi i popullit konstituiv dhe gjuha shtetërore. Të gjitha të drejtat gjuhësore tanimë i kishin shqiptarët e Maqedonisë, por gjuha maqedonase ishte e vetmja shtetërore, kurse tani kemi dy gjuhë shtetërore dhe kjo ndryshon dhe lëndon shumë gjëra”, – thotë Qulavkova në rrjetin social Twitter.

Në fakt, tragjike është që një person i tillë të jetë “akademike” dhe të shprehë një vrundull aq të egër shovinist e primitiv për një të drejtë elementare që u takon shqiptarëve ngaherë.

Një akademik dhe intelektual i vërtetë do të duhej të angazhohej për të drejtat linguistike të tjetrit e jo që t’i ndalohet gjuha tjetrit. Ne nuk e dimë kush ia ka dhënë “akademikes” Qullafkova me tapi vendin dhe shtetin e quajtur Maqedoni pa shqiptarët? Por dimë që Maqedonia duhet të gjejë dhe të zbatojë detyrimisht parimet për bashkëjetesë e barabarësi të plotë me të gjitha komunitetet, e posaçërisht me shqiptarët si komunitet shumicë, duke respektuar edhe të drejtat e tyre të plota linguistike. Ndryshe, Maqedonia si shtet unitar vetëm i maqedonasve, ku do të ishte zyrtare vetëm gjuha maqedonase, ky shtet nuk do ta garantonte ekzistencën e vet.

Në lidhje për ligjin për gjuhët, shikoni sa cinike është dhe deklarata e akademikut Mitko Maxhunkov në një emision të Televizionit “Alfa”, që sipas tij “për të realizuar me efektivitet veprimtarinë administrative të institucioneve siç sigurohet me ligj do të duhet të krijojmë një ushtri përkthyesish që do të kontrollojë nëse përkthimi është i mirë” (!) Z. “akademik” Manxhukov, shteti dhe demokracia janë të kushtueshme. Shqiptarët ashtu siç kanë detyrime ndaj shtetit të përbashkët, duhet t’i gëzojnë edhe të drejtat e tyre linguistike dhe të drejtat e tjera që u takojnë.

 

– Gjithsesi, Presidenti maqedonas nuk e dekretoi Ligjin për përdorimin e gjuhëve, apo jo?

– Nuk e dekretoi sepse nuk është president i të gjithë qytetarëve të Maqedonisë, por është president njëpartiak. Për të qenë paradoksi më i madh, presidenti i Maqedonisë Gjorge Ivanov nuk e dekretoi Ligjin për përdorimin e gjuhëve (edhe ashtu të cunguar dhe diskriminues për shqipen), mendja e tij, sepse Ligji në fjalë bie në kundërshtim me Kushtetutën e Maqedonisë. Presidenti vendosi ta kthejë sërish në Parlament ligjin në fjalë për rishqyrtim sepse ai është i vendosur aty si figurant dhe është i ngarkuar me fobi antishqiptare.

“Më 11 janar të vitit 2018 Kuvendi i Maqedonisë e votoi ligjin për përdorim të gjuhëve pa debat publik, pa përfshirjen e ekspertëve akademikë dhe pa opozitën. Në fjalimin e fundvitit theksova se ky ligj është sjellë me flamurin evropian. Me miratimin e këtij ligji është keqpërdorur flamuri evropian i cili i ndryshon sistemet ligjore”, – tha mes tjerash Gjorge Ivanov, president i Maqedonisë.

Sipas presidentit maqedonas, “Ligji rrezikon karakterin unitar të shtetit, sovranitetin dhe integritetin territorial të Maqedonisë” (!). O tempora, o mores! (çfarë kohërash, çfarë marrëzish!) – do të thoshin latinët. Gjuha shqipe rrezikon stabilitetin e Maqedonisë (!)Artikulimi i këtij njeriu se “Ligji (= gjuha shqipe) rrezikon karakterin unitar të shtetit, sovranitetin dhe integriten territorial të Maqedonisë” tregon se ky president është adoleshent në politikë, me mendësi retrograde, infantile e me fobi të rëndë antigjuhë.

Nuk e rrezikon gjuha shqipe stabilitetin e Maqedonisë, sepse kjo gjuhë nuk ka ushtri që të sulmojë, por përkundrazi vetë presidenti e rrezikon stabilitetin e shtetit. A e kupton ky njeri, me vokacion profesor i drejtësisë dhe politikologjisë, se “shteti unitar” (ang. unitary state, lat. unitas: unitet, maq. unitarna država) është një doktrinë dhe një sistem shtetëror me një qeveri dhe me një administratë të vetme shtetërore, që përbën një tërësi të pandashme në një shtet ose një kuptim kushtetues, domethënë ku ka vetëm një autoritet të sovranitetit, por që në karakterin e vet juridik e kushtetues nuk promovon njëgjuhësinë, por përkundrazi shumëgjuhësinë dhe se të gjitha shtetet e sotme europiane janë shtete unitare me funksionim të lartë kushtetues të shumëgjuhësisë.

Andaj dhe ish-kandidati për president të Maqedonisë, Stevo Pendarovski, duke iu është kundërpërgjigjur deputetëve të OBRM-PDUKM-së të cilët dolën kundër miratimit të ligjit të ri për përdorimin e gjuhëve, do të shprehet: “Asnjë shtet me karakter unitar, i cili ka dy gjuhë zyrtare deri tani nuk është shkatërruar. Është e pakontestueshme që gjuha maqedonase dhe gjuha shqipe janë gjuhë zyrtare në Maqedoni.

Mund vetëm të flasim për nivelin e përdorimit. Dhe në këtë drejtim dua të them se zgjidhja e tanishme është ekzistenca maksimale e përdorimit të gjuhës shqipe, si e drejtë e shqiptarëve dhe pajtohem me këtë”. Ai përmend disa shtete të cilat kanë sistem politik të njëjtë ose të ngjashëm me të Maqedonisë, në të cilat ka dy gjuhë zyrtare dhe të cilat kanë qëndruar dhe nuk janë shkatërruar. Bjellorusia, Mali i Zi, Irlanda, Qipro, Izraeli, Luksemburgu, Zelanda e Re, janë disa nga shtetet që Pendarovski i përmend në të cilat ka dy e më shumë gjuhë zyrtare (Telegrafi, Maqedoni).

Po ky president, Gjorge Ivanov, një ditë më pas, me rastin e festës krishtere Uji i Bekuar, Epifaninë (19.1.2018), i ka uruar festën kreut të kishës ortodokse maqedonase z. Stefanit, ku midis të tjerash thotë: “Të ndërtojmë shoqërinë tonë multietnike, multireligjioze dhe multigjuhësore në paqe, bashkëjetesë dhe duke respektuar dallimet”. Vetëm një “president” si ai mund të përdorë silogjizma të tilla: “Gjuha shqipe rrezikon stabilitetin e Maqedonisë” (!), dhe “Të ndërtojmë shoqërinë multigjuhësore duke respektuar dallimet”, që janë  një contradictio in adjekto (kundërthënie në zanafillë).

Nëse vërtet “Ligji për përdorimin e gjuhëve bie në kundërshtim me Kushtetutën e Maqedonisë”, atëherë mund të shtrohet një pyetje e thjeshtë: të ndryshohet Kushtetuta (që është ligji themelor i shtetit, por që lehtë mund të ndryshohet sipas nevojave të shoqërisë), apo shqiptarët të heqin dorë nga përdorimi i gjuhës së tyre amtare, nga identiteti nacional dhe të asimilohen në maqedonas (!)

Shkrimtari i shquar Ismail Kadare thotë se “Në Ballkan tragjedia e gjuhës ka vazhduar deri në ditët tona. Në qytetërimin tonë ballkanik, racizmi fillestar rrjedh nga gjuha dhe jo nga ndryshimi i ngjyrës së lëkurës, as nga dallimet midis zakoneve, as nga mizoritë.” Shembullin tipik për këtë e paraqet Maqedonia. Maqedonia dhe Ballkani vërtet janë dy formula komplekse (të përbëra) linguistike. Klasa politike dhe ajo akademike maqedonase duhet ta kuptojë se: “Gjuha shqipe s’është e armikut po e një populli shtetformues në Maqedoni. Pa shqiptarët nuk ka Maqedoni” (Edi Rama). Bashkësitë etnike në Maqedoni sot kanë nevojë për më shumë gjuhë, jo për më pak gjuhë. Sepse shuma është pasuri, paka është varfëri.

 

DITA