Ballina Kryesore Intervistë me ish-sekretarin e përgjithshëm të BFI-së në RM, H. Afrim ef....

Intervistë me ish-sekretarin e përgjithshëm të BFI-së në RM, H. Afrim ef. Tahirin: Vetëm Platforma jonë për Reforma mund ta shpëtojë BFI-në

SHPËRNDAJE

Intervistë me ish-sekretarin e përgjithshëm të BFI në RM, H. Afrim ef. Tahirin

Vetëm Platforma jonë për Reforma mund ta shpëtojë BFI-në

Ish-sekretari i përgjithshëm i BFI-së, këto ditë publikoi një letër dërguar Presidentit shqiptar, z Ilir Metës, përmes të cilës e njohton lidhur me një vendim të tij për ta dekoruar Reisul Ulemanë e BFI-së, H. Sulejman Rexhepin. Përmbajtja e letrës u bë lajtmotiv për këtë intervistë me të nga Tetova News. Veç kësaj, me Afrim Tahirin biseduam më gjërësisht lidhur me situatën aktuale në Institucionin e BFI-së

Çka po ndodhë me BFI-në? Ju, qysh para dy viteve e keni paralajmëruar këtë situatë parafalimentuese të këtij Institucioni!

Se çka po ndodhë me BFI-në, pa dyshim që kjo duhej të ishte për momentin temë kyçe për mediat tona të informimit. Çuditërisht, askujt nuk i bën përshtypje kjo situatë mjeruese, kjo sepse, janë 4-5 media më me ndikim në vend të cilat tashmë sillen si të blera nga Sulejman Rexhepi, kurse disa të tjera janë keqinformuar përmes shkresave perfide, të cilat keqinformohen për disa “djemë rrebelë”, të cilët i kanë bërë “puç” Sulejman Rexhepit. Ndërsa këta “djem të këqinj”, në fakt që të gjithë plotë 13 ditë e kemi pritur nëpër zyret tona Sulejman Rexhepin që të vie dhe të na shpjegojë se kush e motivoi të rrebelohet aq keq kundër funksionarëve të vet madje të nxjerrë nga goja sharje nga më të ndytat kundër hoxhallarëve! Ai nuk erdhi se nuk erdhi dhe, në fund, ne dolëm duke refuzuar bashkëpunimin e mëtutjeshëm me të. Madje ai na caktoi edhe vendpune të reja por, nuk ia pranuam, u bindëm se bashkpunimi me të është, në fakt, bashkëpjesëmarrje në sjelljen e BFI-së në këtë situatë ku sot e ka sjellë Sulejman Rexhepi.

Në çfarë derexhe është sot BFI-ja?

Edhe pse ka pasur disa bono me vlerë, me të cilat ekskluzivisht është dashur të blihen prona dhe të shtohet vakëfi, prona të cilat do të gjeneronin të mira materiale që do të kontribuonin që mos të vinte BFI në këtë derexhe, ato bona u hëngrën për rroga. Do me thënë u shit vakëfi për ahengje e qejfe! Edhe pse akoma pa kaluar 2-3 muaj që nga tubimi i financave nga aksionet fetare, buxhet ky që më herët garantonte zhvillim të paktën njëvjeçar të jetës fetare islame në vend, sot BFI-ja është buzë falimentimit. Është duke u menduar që, a të japin rrogë të plotë për një apo dy muaj, apo t’i shkurtojnë për tridhjetë për qind, në kohën kur gjithandej flitet vetëm për rritje të rrogave!
Sot, për BFI-në flitet keq e më keq. Le të provojnë nëpunësit e BFI-së sot dhe le të hypin në taksi, sapo të marrë vesh taksisti se është nëpunës i BFI-së menjëherë do të përballet me një lum kritikash. Kështu ndodhë edhe në mesin e xhematit, qoftë ai në xhami apo në kafiteri, qoftë në Çarshi apo nëpër dyqan. Sot, nëpunësit e BFI-së turpërohen dhe frikohen që të deklarojnë se punojnë në këtë Institucion! I vetmi është Sulejman Rexhepi prej kryetarëve të deri tanishëm që nuk guxon të dalë nëpër Çarshi, që nuk guxon të futet në Pazar e të jetë në kontakt të drejtpërdrejtë me myslimanët e vendit. I vetmi është Sulejman Rexhepi që nuk guxon të dalë në një çajtore, në një kafiteri, në një ëmbëltorë. Madje edhe berberi shkon dhe e qeth në zyren e reisit.
Sot, janë shtuar me dhjetra portale, është bërë një rrjet i fuqishëm social ku çdo ditë botohen skandale të Sulejman Rexhepit, ku çdo ditë botohen me dhjetra shkrime, analiza, opinione që flasin për këtë person!

A është ky motiv për, siç shkruajtën këto ditë portalet e vendit, dorëheqjen e paralajmëruar të Sulejman Rexhepit?

Nuk më intereson dorëheqja e tij! Madje të njëjtën prononcim e dhashë edhe ditën kur u botua një lajm i tillë. Dorëheqja e Sulejman Rexhepit është problem i tij. Dikur, deri sa isha brenda BFI-së e kam sugjeruar disa herë që të japë dorëheqje dhe të largohet, madje bashkë me mua! Por, ai ikjen nga BFI-ja e konsideron si ikje nga kjo botë! Sot i them që mos të dorëhiqet, sepse, dorëheqja për të do të ishte shpëtim. Sa më gjatë që do të qëndrojë brenda BFI-së aq më rezil do të bëhet. Dorëheqja e tij do të implikonte ndonjë amnesti të tij, kurse ne jemi të interesuar që ai të largohej si pasojë e proceseve që duhet të nisin në gjyq. Të mos harrojmë, mejdanin gjyqësor e ka filluar vet Sulejman Rexhepi, dhe ne më pastaj nuk heshtëm, kundër tij kemi një sërë padish që sajojnë një materie bukur voluminoze gjyqësore. Opinioni i gjërë, myslimanët e vendit duhet të binden konkretisht se ne ‘rrebelët’ në fakt ishim viktimë e orekseve të tij grabitqare e shkatërrimtare të BFI-së. Kjo më intereson mua dhe aspak dorëheqja e tij.

Kush është i keqi? Ju apo Sulejman Rexhepi? Po flitet ndër qarqet gazetareske se së shpejti do të dekorohet nga ana e Presidentit shqiptar, z. Ilir Meta! Mendoni ju që presidenca shqiptare mund të gabojë dhe të japë dekoratë të pamerituar, apo gabimisht t’ia japë njeriut që nuk e meriton?

Ka disa ditë që i kam shkruar pesidentit Meta dhe asnjë reagim nga kabineti i tij. Më në fund, duke dyshuar se kabineti i tij nuk po e informon për letrën time, vendosa që ta bëj publike. E informoj Presidentin shqiptar se çfarë gafe mund të bëjë, sepse, për iks motive mund të keqinformohet edhe ai, për më tepër për personat për të cilët as që ka dëgjuar më parë. Kemi informacione, madje i dimë me emër e me mbiemër sekserët, të cilët janë gjallë të interesuar që Sulejman Rexhepi të dekorohet prej Ilir Metës. Dhe, këta dy njerëz, për fat të keq, janë njërëz që qëndrojnë afër Presidentit shqiptar dhe që e keqpërdorin këtë afërsi. Nuk guxon që për interesa meskine të komprementohet dekorata presidenciale. Jemi shumë të bindur se kjo dekoratë nëse do të jepet do të jetë dekorata e parë e korruptuar! Sepse, të njëjtit sekserë i janë ofruar dhe ish-presidentit Bujar Nishani, porse, ai, në asnjë mënyrë nuk ka pranuar një propozim të tillë të sekserëve, madje edhe i ka dëbuar nga kabineti. Përmes letrës sime publike jam përpjekur që ta kryej një obligim njerëzor, fetar e kombëtar dhe ta shpëtoj Presidentin Meta nga një gabim të pafalshëm!
Vërtet, a mund të më thoni se çka e lidhë Ilir Metën me Sulejman Rexhepin? Cila na qenka ajo meritë e Sulejman Rexhepit për ta merituar dekoratën presidenciale? Cili na qenka kapaciteti i Sulejman Rexhepit që paska lënë vrragë në të arriturat e gjithmbarshme kombëtare! Presidenti Meta mund ta dekorojë për shembull, Ali Ahmetin – të cilin vet Sulejman Rexhepi e konsideron për lider të gjithë shqiptarëve në Maqedoni, mund t’i dekorojë Ali Aliun, Agim Vincën, apo, post hume, Mentaz Allajbegun, Arbën Xhaferin, kokën më të ndritshme kombëtare të shekullit! Sapo dekretoi Ansamblin Shtetëror ndaj dhe, me plotë meritë mund ta dekoronte edhe Ansamblin Xheladin Zeqiri të Tetovës, Ibe Palikuqin apo Emin Durakun e Shkupit, pse jo edhe trupën e Teatrit Shqiptar të Shkupit, të cilët, për gjysëm shekulli sllavo-komunizëm antishqiptar, mrekullisht arritën ta ruajnë identitetin kombëtar të shqiptarëve të Maqedonisë! Nëse Presidenti Ilir Meta mendon të bëjë politikë dhe, është i bindur se duhet të dekorohet edhe një klerik fetar shqiptar nga Maqedonia, atëherë, ia sugjerojmë Mulla Mahmutin e Tetovës, i cili, gjatë karrierës së vet prej hoxhe ka nxjerrë qindra hafëzlerë, rojtarë të Kuranit të Shenjtë. Ky është kontribut i mirëfilltë dhe jo të palarat e Sulejman Rexhepit të cilat presim të ndriçohen përmes proceseve gjyqësore.

Dikur BFI-ja ishte Institucioni më i frekuenuar nga ana e diplomatëve ndërkombëtarë në vend dhe nga shtetet përëndimore. Që kur plasi sherri në mes jush ata nuk janë dukur më në BFI?

Jo që kur plasi sherri ne mes nesh por, që kur e kuptuan dhe u bindën se kush është ky person. Fundja, ata nuk drejtohen nga shërbimet intelegjente të vendit, por nga shërbimet e vendeve prej nga vinë. Pa dyshim që shërbimet intelegjente të shteteve të diplomatëve që i kemi në Shkup dijnë shumë më tepër seç dinë shërbimet tona. Mosdenjimi i tyre për të vizituar qoftë edhe nga kurtoazia BFI-në, flet mjaft shumë për këtë person. Fatkeqësisht, përreth tij edhe BFI-së i ka dalur zëri “ujk”!

A nuk mund të keqinformohen shërbimet diplomatike që i kemi në vend?

Nuk është aq lehtë! Ja, rasti i fundit! A u kthyen plotë pesë ditë haxhilerët tanë para kohës? A e di se për pjesëtarët e feve të tjera çka do të thotë shkelja e një rituali fetar nga vetë pjesëtarët përkatës? Turp dhe rrezik! Është vjedhje e haxhilerëve tanë! Jo që ishte çmimi më i lartë në rajon, jo që kaluan një periudhë më të trishtë në jetën e tyre por, në fund, edhe u vodhën, duke ua hëngër ditët e haxhit dhe duke mos ua kthyer paratë për ato ditë? Si reflekton kjo dukuri e shëmtuar në sytë e ndërkombëtarëve? Po ajo dukuri tjetër e bilmezit kur thoshte se haxhin e ka kryer e ka përfituar për mbi 65 herë më mirë dhe më shumë se një vit më parë kur e kisha “organizuar” unë si sekretar i përgjithshëm i BFI-së! Ata krijojnë percepcionin për një “institucion” që vjedh, që gënjen, që shtiret!

Nëse jo në dorëheqje të Sulejman Rexhepit, ku e shihni shpëtimin e BFI-së nga kjo katandisje, siç e përshkruani ju?

Vetëm në reforma të thella, të paraparë edhe në Platformën ton për reforma. Janë mijëra e mijëra myslimanë të vendit që na luten të jemi më aktivë dhe të krijojmë kushtet sa më parë për ta zbatuar atë reformë jetike për BFI-në. Platformën tonë e kemi akoma në diskutim publik dhe, deri më sot kemi qindra e mijëra përkrahje, sugjerime, lutje dhe bashkangjitje për ta shpëtuar njëherë e mirë BFI-në! Gjithnjë e më shumë shprehin simpatinë për ne madje edhe vetë organet dhe institucionet e BFI-së, të cilët as nuk mblidhen, as nuk këshillohen, as nuk raportohen, ose, nëse mblidhen një herë në vit, mblidhen sa për t’ua sharë nënat dhe gratë “reisi”! Kurse, kur i duheshin para dy-tri viteve për ta legjitimuar vjedhjen e postit të “reisllëkut” i tubonte nga pesë herë në ditë, nëpër restorante, dreka e darka! Tashmë gati që të gjithë janë penduar dhe mezi presin që të shpërthejë një çast e t’ia përplasin në fytyrë. Zatën mosbesimin tashmë ia kanë shprehur përmes Studimit që e kemi bërë mbi besushmërinë e organeve, të nëpunësve dhe besimtarëve ndaj BFI-së dhe Sulejman Rexhepit ku rezultatet janë tepër shumë dëshpëruese. Njerëzit po vetëdijësohen dhe nuk po dëshirojë që të jenë bashkëpjesëmarrës në varrimin e BFI-së!

Intervistoi: Tetova News