Ballina Lions Marifetet e ndyra të zgjedhjeve amerikane: “Debategate”, kur Xhimi Karterit iu vodh...

Marifetet e ndyra të zgjedhjeve amerikane: “Debategate”, kur Xhimi Karterit iu vodh strategjia pak para debatit me Ronald Reganin

Kemi një tjetër debat presidencial dhe një tjetër mashtrim të pisët, që mund të ketë diktuar rezultatin e zgjedhjeve. Në vitin 1980, Presidenti Xhimi Karter ishte duke u përpjekur për t’u rizgjedhur kundër ish-guvernatorit të Kalifornisë, Ronald Regan. Nga fundi i vitit 1980, ai e kishte marrë veten nga vlerësimet tejet negative në public, lidhur me menaxhimin e krizës së pengjeve amerikane në Iran, dhe ishte duke garuar kokë më kokë me Reganin.

Karter refuzoi në mënyrë të përsëritur kërkesën e rivalit të tij për një debat televiziv, duke e çuar Reganin të debatojë me kandidatin e një partie të tretë në vend. Por presidenti në fund u pendua, dhe debati i vetëm mes kandidatëve u vendos të mbahet pikërisht një javë para zgjedhjeve. Karter ishte i zënë me përgatitjet për debatin ku pësoi një shok – një kopje që përshkruante strategjinë e presidentit dhe pikat kryesore të fjalës së tij në përballjen televizive me Reganin ishte vjedhur nga Shtëpia e Bardhë, dhe ishte çuar në selinë e shtabit elektoral të kandidatit republikan.

Gjatë debatit që pasoi, Regani u shfaq tejet i shkathët, duke u dhënë disa kundërpërgjigje të mprehta sulmeve të Karterit, ndërsa ky i fundit shmangu një pyetje në lidhje me armët bërthamore. Regani doli pas debate përpara në sondazhe, dhe fitoi zgjedhjet me një diferencë të madhe votash. Sa për Karterin, ai ende mendon se vjedhja e strategjisë së debatit ndikoi në humbjen e tij atë nëntor.

Polemikat që shoqëruan vjedhjen, e cila u bë e njohur si “Debategate”, nuk morën fund me zgjedhjet. FBI-ja hapi një hetim për të gjetur fajtorët, ndërsa një nënkomision i Kongresit kreu një hetim të veçantë mbi këtë çështje. I dyshuari kryesor në atë kohë qe menaxheri i fushatës së Reganit, Bill Kejsi, që u vu në drejtimin e CIA-s gjatë viteve 1980, por as FBI dhe as nënkomiteti i Kongresit Amerikan nuk qenë ndonjëherë në gjendje të identifikonin hajdutin.

Një nga teoritë më të fundit, pretendon se pas vjedhjes qëndronte Pol Korbin, një strateg demokrat dhe mik i ngushtë i familjes Kenedi. Sipas kësaj teorie, Korbin ishte ende e hidhëruar për fushatën brutale mes Karterit dhe senatorit Ted Kenedi për emërimin e Partisë Demokrate, dhe nga inati e fotokopjoi  strategjinë e debatit dhe ia dorëzoi Bill Kejsit. Kjo teori ka skeptikët e saj, por mbështetet tek fakti që Korbin e vizitoi shtabin qëndror elektoral të Reganit tri herë pak para debatit. / www.bota.al