Ballina Aktualitet LËVIZJA BESA – ÇAIR: MUNGESA E NGROHJES PËR ÇAIRIN – DËSHMI E...

LËVIZJA BESA – ÇAIR: MUNGESA E NGROHJES PËR ÇAIRIN – DËSHMI E KORRUPSIONIT

Pas njoftimit zyrtar se prej nesër shkollat dhe çerdhet e Çairit nuk do të kenë ngrohje, për arsye se Komuna e Çairit nuk i ka shlyer detyrimet ndaj ndërmarrjes përkatëse, që kapin shumë e 500 mijë eurove, Lëvizja BESA – Çair ngre shqetësimin për gjendjen alarmante që po mbretëron në Çair.

Duke ditur se banorët e Çairit janë ndër më të rregulltit në detyrimet ndaj komunës, fakti që është krijuar një zbrazëti kaq e madhe financiare, flet se kjo komunë është bërë fole e korrupsionit dhe abuzimit me financat publike. Në fakt, mungesa e ngrohjes për shkollat dhe çerdhet e Çairit është injorimi dhe poshtërimi më i madh që u bëhet këtyre familjeve dhe fëmijëve të tyre. Derisa ne, qytetarët e Çairit, çdo ditë e ndjejmë ekstravagancën e kapadainjve të Komunës së Çairit, të cilët azdisen me makina të shtrenjta dhe shtëpi marramendëse, që sigurisht nuk mund të bëhen me rrogat e marra nga puna, lënia e fëmijëve pa ngrohje në këtë mot vjeshte është thirrje për ndërgjegjësim se ky menaxhment komunal meriton ndëshkimin tonë.

Për këtë arsye u bëjmë thirrje familjeve të Çairit që të kenë kujdes të mos u ftohen fëmijët nëpër shkolla, ndërsa kërkojmë prej tyre që të ndërgjegjësohen se më e rëndësishme se jeta e fëmijëve të tyre nuk është asgjë. Prandaj, gjithë këtë padrejtësi që ia shkakton udhëheqësia e Komunës familjes së Çairit, ata mund ta dënojnë më 11 dhjetor e, veçmas, në zgjedhjet lokale që vijnë në pranverë.

Për BESËN asgjë nuk është më e rëndësishme se jeta dhe mirëqenia e njerëzve, ndërsa njerëzit më meritorë mbeten sigurisht fëmijët. Prandaj detyrimi jonë për mirëqenien e tyre është angazhim që nuk kompensohet me asnjë çmim.