Ballina Planet Aleatët e Amerikës në botë, të shokuar nga fitorja e Donald Trump

Aleatët e Amerikës në botë, të shokuar nga fitorja e Donald Trump

Qeveritë e shumë vendeve, në Azi dhe Europë, kanë mbetur të shokuara nga fitorja e Donald Trump në Shtetet e Bashkuara.
Tregjet në mbarë botën gjithashtu përjetuan rënie të jashtëzakonshme dhe mungesë qendrueshmërie.
Ministrja gjermane e Mbrojtjes, Ursula von der Leyen, tha se rezultati ishte një “shok i madh” dhe pyeti nëse shënonte fundin e “Pax Americana”, rendit botëror, të krijuar që prej Luftës së Dytë Botërore, me Amerikën në krye.
Ministri i Jashtëm francez, Jean-Marc Ayrault premtoi se do të bashkëpunonte me Trump, por u shpreh se personaliteti i tij mund të bëhej pengesë. Ai gjithashtu pohoi se nuk e dinte se si mund të ndryshonte politika e jashtme amerikane, në administratën e re.
Këshilli i Sigurisë së Koresë së Jugut është mbledhur urgjent sapo u pa qartë se Trump po e fitonte betejën.
“Duket se ky vit do të ketë dy katastrofa për Perëndimin”, tha ish-ministri i Jashtëm suedez, Carl Bildt, duke kujtuar edhe votën për Brexit, në Mbretërinë e Bashkuar.
Nga ana tjetër, opozitat e djathta populiste festuan. Marine Le Pen shkroi: “Sot Shtetet e Bashkuara, nesër Franca.”
Beatrix von Storch, zëvendës-kryetare e Alternativës për Gjermaninë tha: Fitorja e Donald Trump është një shenjë se qytetarët e botës perëndimore duan një ndryshim në politikat qeverisëse”.
Trump ka shqetësuar veçanërisht aleatët e Amerikës në botë për shkak të admirimit të shprehur për Presidentin Vladimir Putin, dyshimet për rëndësinë e NATO-s dhe sugjerimit se Japonia e Koreja e Jugut duhet të fillojnë të kujdesen për t’u mbrojtur vetë, qoftë duke zhvilluar armë bërthamore.
Shpresa e shumë vëzhguesve tani mbetet që fjalët shpesh të papërgjegjshme të Donald Trump, gjatë fushatës, të mos pasqyrojnë vërtet qendrimet që do të mbajë administrate e tij në marrëdhëniet ndërkombëtare. (Ruben Avxhiu)