Ballina Aktualitet Afrim Gashi: BESA me “Ridefinimin” do ta bëjë kthesën e madhe në...

Afrim Gashi: BESA me “Ridefinimin” do ta bëjë kthesën e madhe në Maqedoni

Intervista e Sekretarit Gjeneral të Lëvizjes BESA, Afrim Gashi e dhënë për median bullgare…

I lindur në Shkup (09.11.1977). Jurist i diplomuar dhe aktualisht magjistrant i shkencave politike pranë Institutit për studime sociologjike, juridike e politike pranë Universitetit Shën Kirili dhe Metodi në Shkup.
Prej disa vitesh redaktor në Shtëpinë Botuese Logos-A nga Shkupi. Publicist dhe autor i disa shkrimeve dhe kolumnave në shtypin ditor në Maqedoni. Në vitin 2011, bashkë me Dr. Zeqirija Ibrahimin, themelues i revistës mbarëkombëtare shqiptare, politike, kulturore e ekonomike – Revista SHENJA. Themelues i portalit me të njëtin emër, www.shenja.mk, ndërsa në vitin 2014 është një ndër ideologët dhe themeluesit e subjektit politik – Lëvizja BESA dhe aktualisht është Sekretar i Përgjithshëm në këtë subjekt.

Obshtestvo.net: I nderuar z. Gashi, Ju jeni sekretar i përgjithshëm i Lëvizjes “BESA”. Pse u krijua kjo lëvizje dhe cilat janë idetë kryesore të kësaj organizate?

Gashi: Lëvizja BESA është një organizatë politike autentike, autoktone dhe autonome e rinisë intelektuale shqiptare në Maqedoni. Ajo doli në skenë si rezultat i degradimit total të vlerave politike e morale dhe përmbysjes së sistemit të vlerave, sidomos në arealin shqiptar në Maqedoni. Kur u shuan të gjitha shpresat e rinisë shqiptare se subjektet aktuale politike ndër shqiptarët e Maqedonisë mund t’i artikulojnë edhe më tej kërkesat e shqiptarëve, duke i përfaqësuar ata denjësisht, atëherë u bë e patjetërsueshme të organizohemi dhe të themelojmë një subjekt politik i cili do ta zhvillojë betejën për rikthimin e sistemit të vlerave dhe të krijimit të kushteve më të mira për realizim njerëzorë, etnik, kulturor e socio-ekonomik, si dhe për rikthimin e shpresës për një të ardhme më të mirë.
Lëvizja BESA synon që Maqedonia nga një shtet njëetnik, i kurdisur keq, dhe asimetrik, të shndërrohet në një shtet adekuat me shoqërinë, pra në shtet multietnik, të drejtë dhe të barabartë ndaj të gjithë qytetarëve, ku do të sundojë ligji dhe e drejta. Ne jemi të bindur se problemi themelor në Maqedoni qëndron në akordimin e sistemit politik dhe juridiko-kushtetues, i cili i prodhon krizat, andaj ne synojmë që, përmes një procesi të ridefinimit të shtetit, ta evitojmë burimin e krizave në vend, që pastaj të vazhdohet më tej në ndërtimin e një shteti ku qytetarët e saj do të jetonin në mirëqenie, ndërsa shteti në vete dhe ndaj fqinjëve do të reflektonte stabilitet dhe miqësi.

Obshtestvo.net: Si i vlerësoni marrëdhëniet ndëretnike në Maqedoni? Cila është rruga për përmirësimin e tyre?

Gashi: Marrëdhëniet ndëretnike në Maqedoni nuk janë të nivelit të kënaqshëm, madje lehtësisht mund të themi se janë të këqija. Duke u bazuar në faktin se këto marrëdhënie përbëjnë shtyllën kryesore të stabilitetit në vend, mund të konstatojmë se shteti nuk ka pasur qasje serioze ndaj këtyre raporteve, madje joserioziteti merr përmasa të atilla që ai në vazhdimësi prodhon situata të cilat shkojnë në favor të përkeqësimit të këtyre marrëdhënieve. Problemi qenësor, sipas Lëvizjes BESA, në marrëdhëniet ndëretnike në vend paraqet imponimi i organizimit shtetëror si një shtet-komb, si një shtet i etnisë maqedonase, i cili dëshiron të jetë bartës i vetëm i sovranitetit dhe pronar i vetëm i shtetit, ndërsa të gjithë të tjerët i sheh si elemente destruktive që duhet margjinalizuar ose izoluar, duke i vendosur në përmasa sa më të parëndësishme për shtetin. Duke e ditur se Maqedonia përbëhet kryesisht nga dy etni më të mëdha – shqiptarët e maqedonasit – dhe nga pakica tjera më të vogla me rol jo të vogël në vend, ky shtet nuk mund të stabilizohet e aq më pak të zhvillohet nëse në vazhdimësi sulet mbi etninë shqiptare dhe mbi pakicat tjera, duke mos u lënë hapësirën që ato të realizohen edhe në dimensionin e tyre etnik. Një gjendje e tillë e ka sjellë vendin në situatë që shqiptarët të mos i besojnë këtij shteti dhe të mos jenë luajalë ndaj tij, duke e ditur se shteti nuk është aty për të ndihmuar, por për ta asgjësuar atë, prandaj edhe marrëdhëniet ndëretnike në vend assesi nuk normalizohen. Nëse këtu ia shtojnë edhe elementin diskriminues edhe ndaj etnive tjera më të vogla, si p.sh. bullgarëve të cilëve u mohohet e drejta për regjistrim dhe deklarim në vend si pjesëtarë të asaj etnie, atëherë mund ta kemi të qartë përse Maqedonia ecë në rrugëtimin e saj si shtet si një njeri i plagosur rëndë.
Rruga jonë për zgjidhje të kësaj dukurie është Ridefinimi i shtetit. Nëse me etninë maqedonase në vend, arrijmë të bindemi mes vete se Maqedonia është shtet multietnik dhe se sovraniteti dhe pronësia e shtetit duhet të qëndrojë mbi qytetarin e jo vetëm mbi maqedonasin si përkatësi etnike, atëherë mendojmë se hapet një rrugë e mirë për përmirësim të marrëdhënieve ndëretnike, gjë që do ta stabilizonte e më pas edhe ta zhvillonte këtë shtet.

Obshtestvo.net: A do të zhvillohen zgjedhjet parlamentare në Maqedoni më 11 dhjetor apo do të ketë prapë shtyrje?

Gashi: Maqedonia sot udhëhiqet nga politikanë të papërgjegjshëm skajshmërish, andaj edhe në këso situata është vështirë të dihet se çka sjellë e nesërmja, e të mos flasim për plane më afatgjate për të nesërmen e vendit. Edhe pse 11 dhjetori është datë e caktuar për zgjedhje pas një konsensusi të katër partive politike pjesëmarrëse në dialog, madje edhe me lehtësim nga faktori ndërkombëtar, megjithatë askush sot në Maqedoni nuk është i sigurt se më 11 dhjetor do të mbahen zgjedhjet. Kur në krye të shtetit janë politikanë të papërgjegjshëm dhe joseriozë, të cilët disa herë e kanë dëshmuar veten si burrështetas të dobët dhe egocentrikë, shteti bëhet peng i aspiratave personale dhe grupore dhe gjithçka në vend relativizohet dhe bëhet e paparashikueshme.

Obshtestvo.net: A mund të bashkëpunoni me LSDM dhe me parti të tjera maqedonase para zgjedhjeve dhe a do të kyçeni në koalicion qeveritar me partitë maqedonase dhe me çfarë kushtesh?

Gashi: Konsideroj se në Maqedoni akoma nuk është koha e duhur për koalicione parazgjedhore shqiptaro-maqedonase, edhe pse kjo mund të ishte e dobishme edhe për shqiptarët. Megjithatë, duke e ditur mirë kulturën dhe vetëdijen politike në vend, sidomos nëse marrim parasysh animozitetin mes shqiptarëve dhe maqedonasve, atëherë bëhet shumë e qartë se pse një koalicion i tillë në Maqedoni ende është i parealizueshëm që të sjellë efekte pozitive. Bashkëpunimi ndërmjet partive shqiptare dhe maqedonase është i paevitueshëm sepse, nëse jo para zgjedhjeve, ne jemi të detyruar në një farë forme që të bashkëpunojmë për qeverisje të përbashkët pas zgjedhjeve, kështu që urat e komunikimit duhet të jenë të hapura, gjithnjë në të mirë të realizimit të platformave tona. Sa u përket kushteve për pjesëmarrje eventuale në qeveri, ne do të bëhemi pjesë e qeverive të ardhme nëse merremi vesh që platforma jonë zgjedhore të implementohet në pjesë të konsiderueshme dhe nëse ajo marrëveshje për qeverisje të përbashkët afatizohet dhe bëhet e hapur për opinionin. Ne nuk duam të marrim pjesë në një qeveri në të cilën ata që na kanë votuar nuk e dinë se cila është arsyeja e qëndrimit tonë aty, për cilat pika jemi marrë vesh dhe për cilat jo, di dhe kur do të implementohen ato pika për të cilat jemi marrë vesh. Deri tash të gjitha subjektet shqiptare pjesëmarrëse në qeveritë e Maqedonisë nuk e kanë bërë asnjëherë publike platformën e përbashkët për qeverisje, duke e lënë gjithnjë të hapur dyshimin për arsyet e pjesëmarrjes së tyre në ato qeveri.

Obshtestvo.net: Si e vlerësoni punën e Prokurorisë speciale dhe a do të ketë efekt për luftimin e korrupsionit?

Gashi; Prokuroria Speciale Publike (PSP) ka përkrahjen e plotë të Lëvizjes BESA. Ne e vlerësojmë lartë punën dhe angazhimin e saj në luftën kundër krimit dhe korrupsionit edhe përskaj të gjithë obstruksioneve dhe sabotimit të punës së tyre nga ana e institucioneve të vendit, të cilat ende vazhdojnë të mbeten të kapura nga pushteti aktual VMRO-BDI. Madje, ne mendojmë se themelimi dhe funksionimi i PSP-së është modeli më i mirë për funksionimin e të gjitha institucioneve tjera në vend, sepse vetëm një institucion i tillë ka arritur ta ketë besimin e të dyja etnive më të mëdha në vend dhe të qytetarëve tjerë në përgjithësi. Përkrahja e BESËS për PSP-në, përveç dimensionit politik, ka edhe dimension emocional, sepse pikërisht Lëvizja BESA ishte subjekti i parë politik në Maqedoni, i cili në propozim-platformën e saj për dalje nga kriza, e quajtur “Platforma e së ardhmes Ridefinimi”, për herë të parë e përmendi dhe kërkoi themelimin e një Prokurorie Speciale, e cila do të merrej me hulumtimin e rasteve nga materialet e përgjuara.

Obshtestvo.net: Marrëdhëniet mes Bullgarisë dhe Maqedonisë janë të acaruar në disa fusha. Cilat janë parimet e “BESËS” për marrëdhëniet e Maqedonisë me fqinjët?

Gashi; Lëvizja BESA konsideron se Maqedonia nuk ka zhvilluar politikë të mirë fqinjësore, sepse është bërë peng e interesit etnik vetëm të etnisë maqedonase, duke e shndërruar interesin e kombit shumicë – të maqedonasve, në interes shtetëror dhe kështu i ka mbajtur gjallë problemet ndërshtetërorë me fqinjët. Ne jemi shumë të interesuar që Maqedonia të ketë marrëdhënie të shkëlqyeshme me Bullgarinë, sepse konsiderojmë se – duke qenë pranë nesh një shtet anëtar i BE-së deh NATOS – kjo është në interes të të gjithë qytetarëve në vendin tonë, por edhe në funksion të stabilitetit rajonal dhe fqinjësisë së mirë. Përmes një dialogu të mirëfilltë dhe në kontekst të një sistemi të ridefinuar shtetëror në besojmë se problemet me Bullgarinë shumë shpejt mund të mbeten në analet historike, kjo si mësim që të mos përsëriten në të ardhmen.

Obshtestvo.net: A po përparon Maqedonia drejt Bashkimit Evropian dhe NATO-s dhe a mund të zgjidhet çështja e emrit me Greqinë?

Gashi; Që nga viti 2005, kur Maqedonia mori statusin e kandidatit për anëtarësim në BE, vendi ynë është duke vendnumëruar. Procesi i integrimit të vendit në NATO dhe BE ka ngecur shumë thellë dhe kjo për një vend të vogël si Maqedonia mund të jetë shumë shqetësuese, madje edhe e rrezikshme. Është botërisht e ditur se problem kyç për përparim në rrugëtimin euroatlantik të vendit është kontesti me emrin e shtetit, që Maqedonia e ka me Greqinë, megjithatë duhet bërë të ditur se ai nuk është problemi i vetëm. Kjo dëshmohet edhe nga komunikata e lëshuar pas samitit të NATO-s, të mbajtur në korrik 2016 në Varshavë, ku ndër të tjera thuhet se qeveria aktuale ka dështuar edhe me implementimin e plotë të Marrëveshjes së Ohrit (për çka ka qenë kujdestare BDI-ja), ndërsa shqetësuese janë edhe zhvillimet e fundit politike, që kanë shkaktuar largimin e vendit nga vlerat e NATO-s dhe nuk kanë kontribuar për zgjidhje të qëndrueshme të krizës politike. Aty vihet re se elitat politike nuk shfaqin gatishmëri dhe kapacitete të mjaftueshme për t’i realizuar reformat e nevojshme të përmendura në Raportin e Pribes, ndërsa në atë komunikatë janë adresuar edhe problemet me forcimin dhe sundimin e ligjit, të lirisë së mediave dhe pavarësisë së gjyqësorit. Po ashtu aty vihet re edhe mungesa e vullnetit për dialog që të realizohen zgjedhje të besueshme dhe transparente, që janë vlera të patjetërsueshme për një vend që aspiron integrimin.
Duke përmendur edhe një herë RIDEFINIM e shtetit si një lajtmotiv i platformës së Lëvizjes BESA, ne mendojmë se gjatë një procesi të tillë dhe, sidomos pas përfundimit të tij, Maqedonia do të jetë një shtet krejt ndryshe, i hapur ndaj fqinjëve, me aspirata për t’i zgjidhur të gjitha kontestet ekzistuese, aq më tepër që ne jemi të bindur se kjo do ta bënte vendin edhe më stabil e më të zhvilluar për vetë qytetarët e tij.

Ju faleminderit shumë që më dhatë mundësinë t’i drejtohemi opinionit bullgar!