Ballina Kuriozitete Video/ Ja cili shtet ka snajperët më të mirë në botë

Video/ Ja cili shtet ka snajperët më të mirë në botë

Snajperët më të mirë në botë janë norvegjezët. Ata triumfuan mbi përfaqësuesit e 10 vendeve të tjera që morën pjesë në konkursin e zhvilluar në Bavari. Gara katërditore vuri 10 skuadra snajperësh nga çdo cep i Europës që të testonin aftësitë e tyre përkrah 5 ekipeve ushtarake amerikane.

Pjesëmarrësve u është dashur të gjurmojnë, të lëvizin në terren, të realizojnë një shënjestrim të avancuar të objektivit, të qëllojnë natën e godasin edhe nga helikopterët e anijet.

Konkurrentët u vlerësuan për 30 prova gjithsej. Nderimet kryesore në fund i mori që të gjitha ekipi norvegjez. Për kreun e skuadrës amerikane, majorin Erik Nyingi, gjëja më e rëndësishme nuk ishte fitorja.

“Qëllimi ynë është t’i bëjmë aleatët dhe partnerët tanë ushtarakë të punojnë së bashku, të familjarizohen me njëri-tjetrin e të fillojnë të ndajnë mes tyre teknika e procedura”,- tha Nyingi.

Në njërën prej fazave të garës, ushtarëve iu kërkohej të maskonin veten dhe armët me bojë e bar, përpara se të zvarriteshin në terrenin e trajnimit, në Grafenvoehr.

“Duhet të jesh shumë i zoti në gjurmim, nëse do që ta quash veten snajper”,- tha një garues britanik.

Në konkursin e këtij viti morën pjesë përfaqësues nga Belgjika, Danimarka, Italia, Letonia, Lituania, Hollanda, Norvegjia, Spanja, Suedia, Britania dhe Shtetet e Bashkuara. E dyta në përballje u rreshtua Suedia, ndërsa Belgjika zuri vendin e tretë.