Ballina Balkan Region Serbi/ Fluks emigrantësh, shumë prej tyre flenë rrugëve mes të ftohtit dhe...

Serbi/ Fluks emigrantësh, shumë prej tyre flenë rrugëve mes të ftohtit dhe urisë

Një muaj pasi liderët europianë vendosën të përforconin kontrollet kufitare në Samitin e Vienës, Serbia vazhdon të përballet me një presion të madh nga fluksi i refugjatëve që vazhdon ende të mbërrijë në vend, shumica e tyre në mënyrë ilegale.

Një qendër ndihme në Beograd u shkatërrua dhe u kthye në një vend parkimi për makinat, në vazhdën e mbylljes së rrugës së ashtuquajtur ballkanase që përdoret për të mbërritur në Europë. Qendra ishte pika më e rëndësishme e transferimit për refugjatët.

Më shumë se 800 persona tashmë jetojnë në magazina të braktisura përqark qytetit, ndërkohë që shumë prej tyre jetojnë në parqe dhe vende parkimi. Ata thonë se kushtet në të cilat janë detyruar të jetojnë, janë të mjerueshme.

Një refugjat u shpreh se ata ende nuk kanë marrë dokumenta zyrtare nga qeveria, për shkak se kampet e refugjatëve nuk kanë më kapacitete për të përballuar prurjen e madhe.

Të tjerë kanë refuzuar të shkojnë në kampet zyrtare për shkak të frikës se mund të kthehen në vendet e tyre.

Qindra refugjatë mbajnë rradhën çdo ditë për të përfituar nga racionet e limituara të ushqimit që shpërndahen në parkun e Beogradit, ndërkohë që shumë të tjerë detyrohen t’i kalojnë netët e tyre mes të ftohtit dhe urisë.