Ballina Home Policia: S’ka kampe të ISIS-it në Kosovë (VIDEO)

Policia: S’ka kampe të ISIS-it në Kosovë (VIDEO)

Policia ka bërë me dije se në fshatin Debëllde të Kosovës nuk është gjendja reale ashtu siç paraqitet në reportazhin “Në kampin e rekrutimit të ISIS-it” prodhim i televizionit italian.

Ky reagim vjen pas publikimit të lajmit edhe në mediat e Kosovës.

Më poshtë është reagimi i plotë i Policisë:

Policia e Kosovës bën me dije dhe sqaron se lajmi i publikuar nuk paraqet gjendjen reale në Republikën e Kosovës dhe se masat e ndërmarra parandaluese nga institucionet ligjzbatuese, duke përfshirë edhe arrestimin e personave të dyshuar që merreshin me rekrutim, si dhe të atyre që kanë qenë pjesë e grupeve të caktuara që ndërlidhen me terrorizmin, kanë rezultuar që sot të kemi një gjendje krejt ndryshe në aspektin pozitiv krahasuar me dy vite më parë.

Sensibilizimi apo vetëdijesimi i vazhdueshëm i qytetarëve nga ana e institucioneve relevante të Republikës së Kosovës, si të nivelit qendror po ashtu edhe të atij lokal, dhe shoqërisë në përgjithësi, ka ndikuar që të parandalohen rastet e tilla, të kemi një situate mjaft të mirë dhe stabile në të gjithë territorin e Republikës së Kosovës, duke përfshirë edhe fshatin Debëllde të cilës i referohet lajmi që aktualisht ka paraqitur lajmin e disa viteve të mëhershme e jo të gjendjes së tanishme.

Pra, rikonfirmojmë se situata e paraqitur në lajmin e publikuar nuk paraqet gjendjen reale të Kosovës dhe të fshatit në fjalë, në të cilin nuk kanë ekzistuar asnjëherë kampe të rekrutimit, siç paraqiten në lajmet e publikuara si vend me kampe rekrutimi të ISIS-it, por vite më parë ka pasur raste të shpërndarjes së ideologjisë fetare ndaj të cilave ka ndërmarrë veprime Policia e Kosovës.

Prandaj, konsiderojmë se opinioni publik duhet të informohet drejt dhe korrekt se Policia e Kosovës në bashkëpunim me institucionet tjera të zbatimit të ligjit ka arritur rezultate pozitive në parandalimin dhe arrestimin e personave të dyshuar që ndërlidhen me terrorizmin.