Ballina Planet Ngjarjet në Malin e Zi, hije skandali në raportet serbo-ruse

Ngjarjet në Malin e Zi, hije skandali në raportet serbo-ruse

Disa media ruse dhe serbe po shkruajnë këto ditë për atë që agjencia “B92” e quan si skandalin më të madh në raportet mes Moskës dhe Beogradit që pas Luftës së Ftohtë. Skandali lidhet me një vizitë të raportuar të kreut të Këshillit të Sigurisë të Rusisë, Nikolai Patrushev në Beograd, që po lidhet me largimin e disa qytetarëve rusë nga Serbia. Lajmi është dhënë nga gazeta serbe “Danas” që publikoi një raport sipas të cilit disa qytetarë rusë u deportuan nga vendi për përfshirje në planet me natyrë terroriste në Malin e Zi. Sipas “Danas” askush nuk e ka mohuar zyrtarisht raportin dhe implikimin e tyre në ngjarjet e fundit në Mal të Zi. Ky lajm është marrë mandej nga gazeta ruse “Kommersant” dhe media të tjera, që vënë në dukje se publikimi i raportit përkoi në kohë me vizitën e Patrushev në Beograd, ndonëse zyrtarët serbë po thonë se ajo ishte e planifikuar muaj më parë.

Sipas gazetës ruse që citohet nga “B92”, Patrushev u prit nga zyrtarët e nivelit më të lartë, duke shtuar se ai mbërriti në kryeqytetin serb, pasi kryeministri Aleksander Vuçiç, deklaroi se “ishte zbuluar një plan për të marrë me forcë institucionet e Malit të Zi me ndihmën e një fuqie të huaj”.

Lajmi ka bërë bujë duke çuar në interpretime dhe analiza që bëjnë lidhje logjike mes asaj që ndodhi në Mal të Zi dhe viztës së Patrushev, që sipas “Kommersant”, vizitoi në Serbi me qëllim shmngien e një skandali. Me interes është mënyra sesi lexohet qëndrimi i Serbisë në kuadër të këtyre zhvillimeve dhe për këtë gazeta ruse jep një version. Sipas saj “Serbia nuk është e interesuar për skandalin, por ajo nuk do edhe që të dyshohet se ka lidhje me veprimet kriminale në një vend fqinj”.

Lidhur me lajmin e deportimit ka reaguar edhe Ministria e Jashtme e Rusisë, e cila e ka cilësuar atë të pavërtetë.

“Nuk është hera e parë që gazetarët nuk i kushtojnë vëmendjen e duhur verifikimit dhe besueshmërisë së burimeve të informacionit”, thuhet në deklaratën e Ministrisë së Jashtme ruse.

Në çdo rast konspiracioni merr kuptim me largimin e beftë të Milo Gjukanviç nga detyra, ndonëse ai fitoi zgjedhjet. Atij i duheshin aleatë për të mbajtur pushtetin, por dyshimi se në ikjen e tij ka diçka më shumë sesa thjesht një llogari koalicioni është i madh. Ditë më parë sesa ai të largohej, media shtetërore gjermane, “Deutsche Welle”, shkruante se “nuk është koha ende që Gjukanoviç të largohet”.

Në zgjedhje u fol për një grup që do të bënte akte terroriste, e madje se synonte të vriste kryeministrin, i cili e ktheu timonin e vendit të vogël ballkanik drejt NATO-s. A është ky një sinjal edhe për Vuçiç, që së shpejti do të jetë në Shtabin e Aleancës? Ndoshta këtë përgjigje mund ta japë ndonjë sulm kibernetik ndaj Rusisë si ai që paralajmëroi zv.presidenti amerikan, Biden, javë më parë. / Respublica