Home Balkan Maqedonia e treta në Evropë me vdekjet nga kanceri

Maqedonia e treta në Evropë me vdekjet nga kanceri

Në mbështetje të grave që vuajnë nga kanceri i gjirit dhe familjeve të tyre, të shtunën në Parkun e qytetit do të zhvillohet manifestimi tradicional me moton – “Për çdo ditë të re”. Rritja e numrit të personave që preken nga kjo sëmundje konsiderohet si alarmante, pohojnë nga organizatorët e manifestimit, shoqata e luftës kundër kancerit “Borka”. Vetëm vitin e kaluar janë regjistruar 1200 raste të reja, që do të thotë se mesatarisht nga 3 deri 4 gra në ditë prehen nga kanceri. Këto shifra e rendisin karcinomin si shkaktarin numër një të vdekshmërisë në vend, ndërsa Maqedoninë në vendin e tretë në Evropë.  Ndërsa spostimi i moshës nga 50 – 60 në moshat më të reja deri edhe në 18 vjeç, nxit nevojën e sensibilizimit të popullsisë për të shtuar kujdesin dhe kontrollet mjekësore. Për këtë qëllim, gjatë të gjithë muajit tetor nis edhe fushata “Përpara rozë”, që synon ndër të tjera edhe angazhimin e institucioneve të shëndetit dhe krijimin e një fondi të posaçëm që do të mundësojë marrjen e terapive dhe reduktimin e vdekshmërisë. “Nuk mund t’i braktisim ata njerëz që luftojnë me këtë sëmundje të rëndë, sepse kanceri i gjirit mund të kurohet. Por, mendoj se duhet që të ndihmojë çdo individ, çdo familje, sepse lufta e tyre është edhe lufta jonë. Kjo fushatë është në vazhdën e aktiviteteve që së bashku me Aleancën e organizatave të pacientëve i kemi filluar për shpalljen e Viti të kancerit në Maqedoni si dhe për implementimin e planit nacional për kontrollimin e kancerit dhe formimin e një fondi special për të pasur akses tek terapitë dhe trajtimet adekuate. Për fat të keq, kufiri i moshës po ulet dhe sot kemi paciente 30 vjeçar që ende pa u bërë nëna, janë diagnostifikuar me kancer”, thotë kryetarja e shoqatës, Biba Dodeva. Por, ka edhe raste të tjera, si ai i një gruaje që u diagnostifikua me kancer në javën e 28 të shtatzënisë. Manifestimi i të shtunës, shëtitja tradicionale ku mund pjesëmarrja është e lirë, do të zhvillohet edhe në qytete të tjera. “Shëtitja është një ngjarje e rëndësishme që bashkon njerëz nga i gjithë vendi dhe i solidarizon kundër kësaj sëmundje të tmerrshme. Jemi të gëzuar që të shtunën do t’i bashkëngjitim atyre që luftojnë kancerin dhe atyre që mbështesin ndonjë anëtar të familjes që e lufton këtë sëmundje”, ka deklaruar Lora Braun, nga zyra për marrëdhënie me publikun në ambasadën e SHBA, që njëherazi është edhe mbështetëse e këtij manifestimi./KOHA/