Ballina Home Maqedonia 25 vite në qorrsokak

Maqedonia 25 vite në qorrsokak

Maqedonia edhe  pas 25 viteve pavarësi ngec në kapjen e hapit zhvillimor me shtetet perëndimore si dhe me rritjen e mirëqenies së qytetarëve të saj. Përkundër angazhimeve të shumta në vitet e kaluara dhe reformave të ndryshme nga të gjithë qeveritë në gati tre dekada, megjithatë për nga standardi jetësor dhe fuqia blerëse, Maqedonia mbeten ndër të fundit në Evropë. Zgjidhjen e këtij problemi afaristët dhe ekonomistët e shikojnë në bërjen e një bilanci se ku jemi, ku kemi gabuar, dhe pastaj vendosjen e targeteve  të përbashkëta të të gjithë qytetarëve për atë se cilat janë qëllimet e shtetit në çdo aspekt  të zhvillimit në dekadat e ardhshme.

“Neve na duhet që të gjithë që jetojnë në këtë truall, përkundër përkatësisë etnike apo fetare, të dimë se çfarë shtetit duam, pastaj do të merremi vesh për detyrat konkrete në veprimtari të ndryshme. Pra, nevojitet që të gjithë të angazhohen që ky shtet të ngrihet dhe  të gjithë të dëshirojnë të punojnë dhe sakrifikojnë për këtë. Thënë ndryshe, duhet që njëherë e përgjithmonë që të gjithë së bashku të dëshirojmë që ky shtet të jetë prosperues, andaj  nevojitet një konsensus se çfarë shteti dëshirojmë si dhe nevojitet një lëvizje serioze se ku dëshirojmë të shkojmë si shoqëri dhe si shtet”, thotë kryetari i Odës ekonomike të qytetit të Shkupit, Goran Rafajllovski.

Sipas tij, pas kësaj shumë më lehtë në nivel shteti do të vendosen prioritet në fusha të ndryshme dhe do të arrihen marrëveshjet në nivel akademik dhe biznesi për planet afatmesme dhe afatgjate, për projeksionet e buxhetit katërvjeçar, për investimet në vaditjet që të mos kemi vërshime, ndërtimin e kapaciteteve energjetike që 30 vite janë lënë anash, për atë se çfarë sistemi arsimor dhe shëndetësor na nevojitet, e kështu me radhë. Nga ana tjetër, profesorët e ekonomisë vlerësojnë se nevojitet të bëhet një bilanc se ku jemi, ku kemi gabuar dhe pastaj të vendoset një konsensus për atë se cilat janë qëllimet e shtetit në dekadat e ardhshme. “Edhe pse çështja e ecjes para të Maqedonisë në çdo aspekt, ekonomik, shoqëror, social e kështu me radhë, kërkon një  analizë interdisplinare, ku do të përfshihen ekspertët e më shumë çështjeve. Megjithatë nëse   dëshirojmë që shteti të ec para, në radhë të parë nevojitet të zgjidhen çështjet e pakënaqësisë së shqiptarëve lidhur me pozitën e tyre në këtë shtet si dhe shteti të anëtarësohet në strukturat euroatlantike”, vlerëson profesori universitar, Mislim Zendeli. Sipas tij, zgjidhja e problemeve të ndryshme të statusit të shqiptarëve në Maqedoni si dhe anëtarësimi i shtetit në strukturat euroatlantike, do të vendoste shtetin në binarët e duhur dhe do të garantonte një zhvillim të mirëfilltë ekonomik. “Zhvillimi ekonomik i një shteti nuk mund të shikohet ndaras nga dimensioni politik dhe social i tij. Andaj nëse Maqedonia dëshiron në ecë përpara, jo vetëm në aspektin ekonomik, por edhe në të gjitha sferat e tjera të jetesës, nevojitet që së pari me një konsensus të gjithë palëve të zgjidhet çështja e  pakënaqësisë së shqiptarëve me qëllim që edhe shqiptarët të ndihen të barabartë në çdo aspekt në këtë shtet dhe jo të ndihen shpesh si qytetarë të dorës dytë. E dyta, nevojitet që të përshpejtohet çështja e anëtarësimit të shtetit në NATO si dhe fillimit të bisedimeve me BE-në, por duke zgjidhur paraprakisht çështjen e emrit”, thekson Zendeli. Sipas tij, faktorë të tjerë që kanë ngadalësuar dhe penguar Maqedoninë të ecë përpara në çdo aspekt janë edhe tranzicioni i mbrapsht i privatizimit që u solli dobi vetëm një grusht njerëzve si dhe, politika “përçaj e sundo” e klasave politike në shtet në periudhën e kaluar.

 

Me popullatë më të varfër në Evropë 

Edhe statistikat e ndryshme ndërkombëtare dëshmojnë se qytetarët e Maqedonisë  radhitet ndërmjet  shteteve me popullatë më të varfër në Evropë. Sipas Eurostat, zyrës evropiane të statistikës, të ardhurat për frymë nga bruto prodhimi vendor në Maqedoni janë sa 36 për qind  e mesatares së Bashkimit Evropian, ndërsa konsumi aktual për frymë vlerësohet në 40 për qind të  mesatares së BE-së. Këto të dhëna që përfshijnë konsumin aktual individual si masë e matjes së mirëqenies materiale të familjeve dhe bruto-prodhimin për kokë banori, tregojnë se Maqedonia është vendi i tretë më i varfër në Evropë. Më tej, shifrat e Eurostat tregojnë se Shqipëria renditet e parafundit në Evropë me të ardhurat për frymë nga bruto-prodhimi vendor që janë sa 29 për qind e mesatares së BE-së, dhe me konsumin aktual për frymë prej 34 për qind të mesatares së BE-së. Më e varfra, apo e fundit në listën e Eurostat është Bosnje e Hercegovina me të ardhura më të ulëta për frymë prej 28 për qind në Evropë dhe me 37 për qind të konsumit. Standardin e ulët të qytetarëve të Maqedonisë me gati 30 për qind të fuqisë blerëse evropiane e tregon edhe  i ashtuquajturi “Rregull 70”, që në mënyrë më të thjeshtë përshkruan se sa kohë nevojitet për të dyfishuar një vlerë e caktuar. Në rastin konkret lidhur me rritjen e prodhimit të brendshëm bruto,  ai thotë nëse numri 70 ndahet me shkallën mesatare të rritjes ekonomike në shtet, fitohet periudha kohore gjegjësisht sa vite nevojiten për dyfishimin e PBB-së. Kjo në praktikë do të thotë se nëse ekonomia e Maqedonisë vazhdon të rritet me një shkallë prej 3.7 për qind atëherë do të nevojiten bile 19 vite  që të dyfishohet standardi i qytetarëve. Por edhe atëherë ai do të ishte larg mesatares evropiane banorët e së cilës kanë një fuqi blerës tre herë më të madhe se qytetarët e Maqedonisë. Nëse ekonomia vendore merr një hov dhe të fillojë të realizojë shkallë mesatare prej shtatë për qind do të na duhen 15 vjet ta arrijmë standardin evropian , kuptohet nëse në të njejtën kohë shtetet anëtare të BE-së vazhdojnë të realizojnë shkallë modeste të rritjes. Andaj, në të ardhmen  sfidë për ekonominë e Maqedonisë mbetet arritja e shkallëve të larta të rritjes ekonomike prej 6-7 për qind për një periudhë  prej së paku 4-5  vitesh,  si mënyrë e vetme për përmirësimin më të shpejtë të standardit të qytetarëve . /Koha/