Ballina Kryesore LIVE – Shpallja e Pavarësisë së Çamërisë

LIVE – Shpallja e Pavarësisë së Çamërisë

(E plotësuar) – Shpallja e pavarësisë po ndodh nga Këshilli gjithëpërfshirës i popullit çam dhe arvanitas. Në Kosovë, po marrin pjesë përfaqësues nga Mali i Zi, Maqedonia, lugina e Preshevës dhe të gjithë përfaqësuesit e shoqatës “Çamëria”, nëpër komunat e Kosovës.

Shpallja e Pavarësisë së Çamërisë ndodh sot, deklarata lexohet në Vlorë, Deçan dhe Komoran

Shpallja e pavarësisë së Çamërisë pritet të shpallet në ora 14:00. Për këtë arsye, në Deçan janë mbledhur anëtarë të Ballit Kombëtarë të Kosovës.

Deklarata e shpalljes së pavarësisë do të lexohet në të njëjtën kohë edhe në këtë takim.

Në takim po marrin pjesë kryetari Selmon Berisha, nënkryetari Hasan Sala dhe bashkëpunëtorë tjerë të Ballit Kombëtarë.

Shpallja e Pavarësisë së Çamërisë ndodh në ora 14:00

Shpallja e mëvetësisë së Çamërisë do të ndodh sot në ora 14:00 në Holandë. Ajo do ta ketë miratimin edhe nga Shqipëria, Kosova, Mali i Zi, Maqedonia, dhe lugina e Preshevës.

Sipas kryetarit të Shoqatës “Çamëria”, Festim Lato, sot do t’i zgjedhin institucionet udhëheqëse që do ta çojnë përpara çështjen çame, deri në përmbushjen e objektivave politike kombëtare të popullit të Çamërisë, si dhe do të formohet edhe Forca Mbrojtëse e shtetit çam.

Degët e Shqipërisë do të mblidhen në Vlorë, kurse, degët nga të gjitha komunat e Kosovës, si dhe përfaqësuesit e Malit të Zi, Preshevës, Bujanovcit, Metvegjës, do të mblidhen në fshatin Komoran të Drenasit, ku bashkë me ata në Holandë, e Vlorë, me ngritje dore do ta shpallin pavarësinë e Çamërisë.

Kryetarit të Shoqatës “Çamëria”, Festim Lato Lata, thotë se Çamëria do ta ketë historinë e njëjtë sikur të Kosovës, derisa thekson se shpallja e sotme e Pavarësisë së Çamërisë dhe formimi i Qeverisë, ka mbështetjen ndërkombëtare.

“Po, nga OKB-ja, Gjykata Ndërkombëtare e Hagës, nga Parlamenti Evropian, nga të gjitha institucionet ndërkombëtare. Shteti i Çamërisë është 17 mijë km katrorë, që gjendet në Çamërinë e sotme që nga, do të themi nga  Qafë-bota e kufirit sot shqiptaro – shqiptarë, nuk e quaj shqiptaro – grek, e deri në hartat Prevezë e deri në Janinë , duke përfshirë dhe pjesën e detit që ka Çamëria me ishullin e saj Korfuzin. Sot totalisht, ajo që ka qenë ëndërr sot do të bëhet realitet”, ka thënë Festim Lato, kryetar i Shoqatës “ Çamëria”.

Ai paralajmëron se sot çamët do ta shpallin mëvetësinë dhe do ta emërojnë Qeverinë e Çamërisë. Sipas Latos, emërimi i Qeverisë, sot do të bëhet nga qindra delegatë të të gjitha trojeve shqiptare.

Po ua sjellim edhe një letër informuese e cila iu ka shpërndarë të gjitha degëve ditë më parë, ku njoftohet për mbledhjen e Kuvendit Gjithëpërfshirës çam, i cili sot shpallë pavarësinë e Çamerisë.