Ballina Balkan Antenat prapa Vodnos a janë pjesë e procesit të përgjimeve? (VIDEO)

Antenat prapa Vodnos a janë pjesë e procesit të përgjimeve? (VIDEO)

Të dhënat nga pajisja për përgjim e DSK-së që Prokuroria Publike Speciale i siguroi të premten nga eksperti i “Eriksonit”, nëse përputhen me datën dhe kohën kur prokuroret i morën nga të ashtuquajturat “bomba”, atëherë PPS do të mund të kërkojë nga gjykata t’i pranojë si prova relevante. Sipas Mimoza Ristovës, themeluese e Qendrës për edukim forensik pranë Universitetit Shën Kirili dhe Metodi, fakti se qasje në të dhëna mund të ketë vetëm “Erikson”, mund të krahasohet me “kutitë e zeza” të avionëve që mund të lexohen vetëm nga prodhuesi i avionit.
“Erikson intercepton në komunikime, kap një pjesë të sinjalit që sigurohet nga provajderi, qoftë ai “Telekomi”, “Vipi”, “One”, ndërsa një pjesë të sinjalit ia lëshon aparatit për përgjim të DSK-së. Kodi do të tregojë se kush është kyçur, në çfarë kohe është kyçur dhe sa herë është biseduar. Nëse dëshmohet se ai interval është i njëjtë me gjatësinë e bisedave të cilat patëm rastin t’i dëgjojmë te “bombat”, atëherë prokuroria mund të kërkojë nga gjykata t’i pranojë si prova të besueshme”, tha ajo.
Përndryshe, ekspertët e sigurisë sugjerojnë se edhe enët satelitore që ndodhen në disa lokacione të Maqedoni, shfrytëzohen për përgjimin e bisedave telefonike.
Vetëm disa kilometra nga Shkupi ndodhen këto enë satelitore. Në to nuk ka kurrfarë shenje se në pronësi të kujt janë.
Enët satelitore që gjenden në afërsi të digës Kozjakut janë të siguruara me gardh dhe me kamera sigurie. Në to është ngjitur logoja e firmës “SGS” për sigurimin e pronave. Edhe pse tentuam të pyesim se në pronësi të kujt janë, askush nuk na u përgjigj në altoparlant.
Sipas Kadastrës së Maqedonisë, enët satelitore ndodhen në një kullotë në Komunën Jabollce me numër të parcelës 37/2, kurse ndërtesa gjendet në mes të pronës. Në hartat e Kadastrës, në internet, nuk ka të dhëna për pronarin e kësaj prone.