Ballina Shëndeti Studimi, ja pse nuk duhet të pini asnjëherë duhan brenda në shtëpi

Studimi, ja pse nuk duhet të pini asnjëherë duhan brenda në shtëpi

Sipas një studimi të kohëve të fundit lëndët kanceroze të duhanit mbeten në ambjentet e shtëpive tuaja për më shumë se 6 muaj.

Edhe nëse hiqni dorë nga duhani, por e keni pirë atë brenda shtëpisë tuaj më parë, lëndët e dëmshme mbeten sërish atje, në divane, mure dhe tapete. Edhe njerëzit e tjerë që banojnë në atë shtëpi, qofshin ish-duhanpirës apo që nuk e kanë pirë asnjëherë duhanin, do të kenë rritje të nivelit të lëndëve të dëmshme. Kërkuesit e universitetit të San Diegos ngulin këmbë se zbulimet e bëra duhet të shërbejnë si një paralajmërim për duhanpirësit se zakoni i tyre i të pirit duhan prek dhe dëmton rëndë edhe njerëzit e tjerë rreth tyre.

“ Është e rëndësishme të dihet se si lëndët e dëmshme të duhanit qëndrojnë në shtëpi dhe se si janë të ekspozuar personat që jetojnë në atë shtëpi ndaj lëndëve toksike” tha Georg Matt, drejtuesi i studimit dhe njëkohësisht profesor psikologjie pranë universitetit San Diego.

Profesor Matt dhe kolegët e tij studiuan 90 duhanpirës të cilët ishin gati të hiqnin dorë prej duhanit. Në harkun kohor të 6 muajve, kërkuesit vizituan në mënyrë të vazhdueshme shtëpitë e ish duhanpirësve.

Ata morën mostra nga muret, dyert, pluhuri në dysheme, urina dhe nga duart e banorëve të shtëpisë. Gjatë analizës së këtyre mostrave, ata kërkuan për prani të ndonjë kimikati që ka lidhje me duhanin, si nikotina, kotinina, dhe për lëndën që njihet si shkaktar i mundshëm i kancerit të mushkërive, NNK.

Nga 90 persona që ishin të gatshëm të hiqnin dorë nga duhani, vetëm 80% ia dolën, në sipërfaqet e banesave të tyre dhe në gishtat e tyre u vu re një ulje e ndjeshme e sasisë së nikotinës. Ajo çka ishte më shqetësuese ishte zbulimi se sasia e nikotines dhe NNK në pluhurin e dyshemesë mbeti e njejtë për 6 muaj .

Testet e kryera mbi personat të cilët banonin në shtëpitë e ish duhanpirësve, treguan se sasia e lëndëve kancerogjene te ta u ul fare pak ose aspak.

Dr. Matt tha se pyetja kryesore lidhej me faktin se sa kohë duhet që shtëpia e një ish duhanpirësi të pastrohet plotësisht nga lëndët e dëmshme. Sipas profesor Matt fakti që ambjenti nuk pastrohet plotësisht nga duhani edhe pasi është hequr dorë prej tij, është një nga arsyet se përse duhanpirësit e kanë kaq të vështirë ta lënë atë. Aroma e duhanit është kudo, që do të thotë se tundimi për ta filluar sërish atë është ende i pranishëm.

Dr Matt tha se lënia e duhanit është gjëja më e rëndësishme që duhet bërë për të përmirësuar shëndetin tuaj, nëse kjo gjë është e vështirë për duhanpirësit, të paktën hiqni dorë nga pirja e tij në ambientet e shtëpisë ose ambiente të mbyllura pasi dëmi që i shkaktoni vetes dhe të tjerëve rreth jush është shumë i madh.