Ballina Balkan Albania Policia e Kosovës rrëzon Ndocajn: Është dhunuar, kemi video

Policia e Kosovës rrëzon Ndocajn: Është dhunuar, kemi video

Policia e Kosovës përmes një deklarate ka bërë të ditur se deputeti i Partisë Socialiste, Eduard Ndocaj, i njohur si “Kuabojsi”, i cili ishte i shoqëruar me shoferin dhe këshilltarin e tij, është sulmuar fizikisht nga disa persona afër një pike karburanti në fshatin Landovicë të Prizrenit.
Policia e Kosovës ka konfirmuar se pas këtij sulmi janë arrestuar dy të dyshuar, njëri shtetas i Shqipërisë kurse tjetri nga Kosova.

“Ka pas një denoncim dhe Policia e Kosovës ka dalë në vendin e ngjarjes rreth orës 13:50 në Landovicë të Prizrenit në një market”, deklaroi zëdhënësi i PK-së për rajonin e Prizrenit, Hazir Berisha.
Më tej, Berisha shpjegon se eskorta e deputetit është ndalur për t’u furnizuar me ujë ndërsa, e aty janë takuar me dy të dyshuarit.

“Ka pas një përleshje të vogël. Ne i posedojmë incizimet që i kemi siguruar përmes kamerave të sigurisë. Policia e ka hetuar rastin, janë arrestuar dy të dyshuarit dhe me vendim të prokurorit të dy iu është caktuar masa e arrestit për 48 orë”, deklaroi Berisha.
Nga ana tjetër, “Kaubojsi” socialist në një prononcim për “Top Channel” ka folur për ngjarjen e së shtunës.

“Përgënjeshtroj një lajm që po qarkullon në media, sikur unë jam dhunuar rëndë fizikisht në Kosovë. Jam si kokrra e mollës e nuk kam asnjë lloj shenje dhune. Këtë e konsideroj si sulm të radhës me prapavijë politike”, tha Eduard Ndocaj, deputet i PS-së.
Deputeti Ndocaj ndodhej në Kosovë, pasi ka marrë gjatë një ceremonie në Pejë titullin “Politikani i vitit”.

13232957_1561446984149518_3993159767380762125_n