Ballina Kultura Festivali Ndërkombëtar i Poezisë në Rahovec përmbyll edicionin e dytë

Festivali Ndërkombëtar i Poezisë në Rahovec përmbyll edicionin e dytë

Festivali i poezisë, një ftesë për t’u rikthyer në Kosovë

Olimbi Velaj
Fundjava që sapo lamë pas e zhvendosi në Rahovec vëmendjen e të gjithë prishtinasve, gjakovarëve, pejanëve dhe të të tjerëve që e dinë mirë si festohet e gëzohet në vendin e verës. Qyteti i vogël me 22 mijë banorë, por që me gjithë rrethina numëron mbi 60 mijë banorë, rrezatoi një fuqi magnetike, teksa i mblodhi bashkë njerëzit e qeverisë, biznesmenët e verës, fermerët e vreshtave, të rinjtë e muzikës dhe poetët botërorë. Ndërsa qytetarët e zakonshëm provuan jo rrallë të bëheshin dëgjues të leximeve në sheshe e salla.
Festivali i Dytë Ndërkombëtar i Poezisë u mbajt për tri ditë në një atmosferë vere dhe hareje teksa fillimi i shtatorit shënonte mbarimin e stinës së nxehtë. Nga data 2 deri më 4 shtator mbi 20 poetë të njohur botërorë bujtën në qytetin e vogël, prej ku mundën edhe të jetonin tri ditë Kosove, mes bujarisë dhe dashurisë së banorëve lokalë. Festivali mbaroi, ndërsa poetët kanë nisur të botojnë ditë pas dite mbresat e tyre. Shumë konfirmojnë se do të rikthehen në qytezën e paharruar të poezisë.
Festivali
Poetët e Festivalit ndërkombëtar të poezisë në Rahovec mbërritën me shijen e së panjohurës në aeroportin e vogël “Adem Jashari” në Prishtinë. Rolf Doppenberg, poet gjerman-zviceran, teksa nis festivali, tregon përshtypjen e pazakontë që ndjeu, ndërsa avioni bëhej gati të ulej në tokën e Kosovës. “M’u duk se retë ishin të vdekurit e luftës, pata ndjesinë e pranisë së shpirtrave të shqiptarëve të vrarë dhe zhdukur gjatë vitit 1999”,- thotë ai dhe gjithë salla mban frymën. Rolf na bën të përlotemi duke kujtuar ata mijëra njerëz që u vranë, u therën, u gjymtuan, u torturuan, në mes të Evropës, në shekullin e njëzetë, pas asnjë arsye dhe pa asnjë ndjesë deri më sot. Një heshtje solemne pushton sallën dhe të gjithë e rikthejnë në vëmendje kohën e freskët të luftës, e cila ende djeg me gjurmët e saj që nuk nuk mund të fshihen. “Në qiell pata ndjesinë e një takimi me shpirtrat e shqiptarëve të vdekur, ndërsa në tokë më pritën të gjallët”. Festivali është një shenjë e ringritjes së sigurt. Një vend që organizon një festival ndërkombëtar me poetë kaq të çmuar, dëshmon se është një vend vlerash. Fahredin Shehu, organizatori i festivalit, ka mundur të bëjë diçka të rrallë, që pakkush mund ta bëjë në vendlindjen e tij. Rahoveci po bëhet i njohur përtej Kosovës. Fahredini vijon prezantimin e poetëve dhe secili thotë diçka përpara se të lexojë. Çdo fjali që përshkruan mbresat e poetëve është e veçantë. Ata kanë mundur të na bëjnë të mendojmë shumë për Kosovën, për mënyrën se si u duket ajo njerëzve që kanë lidhje me shpirtin, me të bukurën. Dhe janë jo pak, por 20 poetë të zgjedhur nga vende të ndryshme:
Knut Odegard vjen nga Norvegjia dhe është një nga poetët më të vlerësuar, më të njohur e më të nderuar të këtij vendi, ai mori edhe çmimin e festivalit në Rahovec dhe ishte njeriu që rrezatonte me gjithë prezencën e tij në çdo lexim. Keijiro Suga vjen nga Japonia dhe ai mbetet një nga poetët më të ndjeshëm, që e dëshmon edhe përtej poezisë humanitetin. Meting Çengiz vjen nga Turqia, një poet mjaft i njohur dhe një intelektual i përkushtuar. Moaen Shalabia vjen nga Maghari, afër Nazaretit, në Izrael, ai vijon të shkruajë për tokën e tij dhe poezia e tij mbart dhimbjen dhe shpresën. Juri Talvet vjen nga Estonia, poet mjaft mbresëlënës dhe profesor universiteti prej dekadash. Les Wicks vjen nga Australia dhe Taeko Uegura nga Japonia; Germain Droogenbroodt vjen nga Belgjika, Heike Fiendler vjen nga Zvicra, Gustav Murin vjen nga Sllovakia, ndërsa poetja Valbona Jakova vinte nga Italia, duke qenë njëherësh edhe autore, edhe përkthyese mjaft e përkushtuar ndaj poezisë në të dyja gjuhët. Poetët shqiptarë të ftuar në festival nga Shqipëria dhe Kosova: Olimbi Velaj, Besa Beqiri, Sali Bashota, Donika Dabishevci dhe mjaft poetë të tjerë morën pjesë në leximet e hapura në qytet.
Flamuri i kuq dhe flamuri blu
Keijiro Suga, poeti japonez, sheh flamurin e kuq shqiptar me shqiponjën e zezë dykrerëshe, sheh flamujt blu të Kosovës me 6 yjet e verdhë që simbolizojnë shtetin shumëkombësh dhe pyet përse. Në fakt është e qartë, asnjë shtet nuk do të kishte dëshirë të ngrinte nëpër oborre e sheshe flamurin e një shteti tjetër, nëse nuk do ndjehej i njëjtë me të. Mirëpo edhe mua më kishte bërë përshtypje ky dyzim flamujsh, por për diçka tjetër. Kisha mundur të vëreja se në vendet ku kishin rënë luftëtarët, ose ku ishin masakruar civilët, flamujt ishin vetëm të kuq me shqiponjë. Pyeta një nga banorët në një skaj rruge ku një pllakë mermeri shënonte të rënët dhe një flamur i madh i kuq ngrihej mbi 7 metra lartësi. Ai më tha se përditë bënin sherr me policinë lokale, sepse ajo i detyronte të mbanin vetëm flamurin blu. “E na kem luftu e dek për qat flamur, jo për bluhin”, thotë ai, duke shenjuar lart me gishtin tregues flamurin e kuq. Ç’ka asht flamuri blu për na? Ç’ka ndijm na për ta?”. Flamuri blu mbart vetëm historinë zyrtare të Kosovës së pavarur, ai është simbol formal, por jo edhe simboli me të cilin ata ndiejnë lidhjen e njeriut me atdheun. Pikëpyetja e ndjesisë për flamurin rri varur si zhegu në mesditën e Rahovecit.
Keijiro pohon me kokë duke më thënë se e kupton plotësisht që Kosova dhe Shqipëria janë një komb i ndarë në dy shtete dhe se nuk ka gjë më normale se ndjesia e njëjtë për flamurin kombëtar. Mirëpo si t’ia shpjegosh dikujt që vjen nga ana tjetër e botës, se tani, në epokën postpavarësim, shqiptarëve në Kosovë u duhet të frustrohen për flamurin. Këtë askush nuk e kishte imagjinuar në ditët e genocidit dhe askurrë më parë.

249217
Përtej qytetit
Koha është e shkurtër, por Kosova është e vogël dhe mund ta shëtisësh pothuajse të gjithën brenda ditës. Me një grup miqsh të festivaleve të mëparshme vendosëm të shkonim në Prizren dhe të shihnim diçka më shumë, një pamje tjetër të Kosovës. Rruga që të nxjerr nga Rahoveci kalon përanash Krushës së vogël dhe Krushës së Madhe, diku përpara është fshati i Ukshin Hotit. Kur del nga qyteti të bën pështypje një poster me portretin e tij. E pyes, Aliun, shoferin gjakovar të taksisë: A mos ishte Ukshini nga këto anë? Dhe ai më thotë se e ka pasur shok fëmijërie njeriun legjendë që përpara të gjithëve luftoi dhe formuloi platformën kombëtare për Kosovën dhe çështjen shqiptare. Kohët e fundit nuk jam e sigurt për lajmet, prandaj e pyes: A u gjet Ukshin Hoti? Së paku eshtrat? Taksisti merr frymë thellë dhe më thotë: Ah moj motër, Ukshinin e nxorën prej burgi të dilën, ditën e dile. Nuk e kuptoj dhe i them, pse ma thekson ditën? Sepse të dielën nuk del askush prej burgu. Atë e kanë pritur te dera me makinë dhe e kanë vrarë rrugës. Por asgjë më nuk më shpjegon taksisti, vetëm se shoh që ngadalëson shpejtësinë. Kemi mbërritur në një kthesë rruge dhe përanash një ndërtesë e vjetër e braktisur, me dritare me kangjella hekuri, zbardh nga gëlqerja. Shihni, thotë shoferi, te kjo shitore e dikurshme kanë arrestu Ukshinin, e më kurrë nuk e pamë. …

Festivali Ndërkombëtar i Poezisë në Rahovec

Përgjatë rrugës syri i çdo udhëtari dallon pllakat përkujtimore prej mermeri ose varret. Janë mbi 300 të vrarë në Rahovec gjatë luftës. Rruga nuk ka shumë trafik, është e rregullt dhe shumë shpejt mbërrijmë në Prizren. Poetët shohin gjithçka që mund të shihet në një paradite në qytetin historik të shqiptarëve dhe fotografojnë e shijojnë gjithçka, që nga pamjet e deri te ushqimi. Njerëzit e gëzuar që shijojnë fundjavën buzë Lumbardhit, shtëpitë karakteristike, kalldrëmet, shitoret e pafundme përgjatë rrugëve dhe freskinë e ujit që hijeshon qytetin. Rikthimi në Rahovec pasohet me lexime.
Festivali i poezisë përkon me festivalin e verës dhe poetët janë të ftuar nga biznesmenët e fermerët lokalë në panairin e veçantë, që e ka zhvendosur vëmendjen e të gjithëve në Rahovec.
Në tri ditë të paharruara, secili mundi të shihte, të ndiente dhe të merrte me vete shumë nga Kosova. Kënaqësia dhe trishtimi janë binjakë në momentet e fundit, sepse pas gjithë miqësive, performancave, takimeve, vjen ndarja dhe kjo është një ndjenjë që shoqëron secilin, por është edhe një test që të kujton se Kosova duhet vizituar përsëri. Ky është premtimi i secilit.