Ballina Arsimi Bie frikshëm edhe numri i nxënësve shqiptarë

Bie frikshëm edhe numri i nxënësve shqiptarë

Në përjashtim të vendbanimeve shqiptare në Shkup, pjesa tjetër ka shënuar rënie alarmante në numrin e nxënësve brenda një dekade. Tearca rreth 39 për qind, Kërçova, Likova e Gostivari kalojnë rënien prej 36 për qind, Dibra, Struga e Vrapçishta më tepër se 31 për qind, Bogovina mbi 34 për qind, Tetova 21.29 për qind më pak nxënës. Më pak të goditura nga rënia e numrit të nxënësve rezulton Studeniçani me minus 2.80 për qind, Shutka me minus 4.49 për qind, Buteli me minus 5.49 për qind, Çairi me minus 8.37 për qind dhe Saraji me 10.82 për qind

Laura PAPRANIKU

Kryeqyteti në përgjithësi, e sidomos komunat me shumicë shqiptare kanë shkollat ku numri i nxënësve filloristë ka shënuar rënien më të vogël gjatë dekadës së fundit. Përpara tyre është vetëm Komuna Qendër në Shkup, e cila ka rritje prej 1.74 për qind të nxënësve dhe që në të njëjtën kohë – është edhe komuna e vetme që nuk ka shënuar rënie brenda një dekade. Në Komunën e Çairit, Bulelit, Shutkës, Sarajit, Studeniçanit dhe Haraçinës, ku pjesa dërmuese e popullatës është shqiptare, numri i nxënësve të shkollave fillore ka rënie prej 2.80 për qind në 16.25 për qind. Kështu të paktën tregojnë të dhënat e përpunuara nga Qendra për Komunikim Qytetar bazuar në të dhënat e Entit Shtetëror të Statistikave e sipas të cilave, nga viti shkollor 2006/2007 deri në vitin 2015/2016 – në Shkup është shënuar rënie prej 7.14 për qind për dallim prej 19.66 për qind rënie në nivel shteti. Në gjithë territorin e Maqedonisë, gjatë kësaj periudhe numri i nxënësve ka rënë frikshëm, pra është pakësuar për 45.505 nxënës brenda një dekade. Konkretisht, nga 231.497 nxënës në të gjitha shkollat fillore në vitit 2006/2007, për një dekadë ky numër ka rënë në 185.992 nxënës. Të analizuar veç e veç, rekordin negativ të nxënësve e shënojnë komunat maqedonase si Novo Sello, Karbinci, Makedonsa Kamenica dhe Mavrova e Rosotusha. Rënia e numrit të nxënësve në shkollat fillore të këtyre komunave varion nga 46.30 për qind në 39.55 për qind. Grup tjetër me rënie jashtëzakonisht të madhe të nxënësve të shkollave fillore janë edhe Komuna si Debarca, Kratova, Krusheva, Zvërnovci me rreth 38 për qind të nxënësve më pak. Mirëpo, nuk mbeten shumë prapa edhe komuna të banuara prej shqiptarëve si për shembull Tearca, ku rënia ka shkuar në 38.95 për qind. Demografët e shpjegojnë rënien e numrit të nxënësve kryesisht me migracionin e jashtëm dhe lëvizjet e brendshme demografike, me uljen e natalitetit si dhe martesat e vonshme. Krahas largimit jashtë Maqedonisë, që reflektohet në rënien e përgjithshme të numrit të nxënësve në shkollat fillore, është lehtësisht e lexueshme edhe dukuria e shpërnguljeve drejt qendrave të urbanizuara: fshat – qytet apo edhe nga qyteti në kryeqytet. Rënia në kuota të vogla e numrit të nxënësve në kryeqytet (7.14 për qind) dhe disa qytete të tjera me zhvillim relativisht të mirë si Ohri (19.12 për qind), Strumica (18.76 për qind) apo Tetova (21.29 për qind) konsiderohet si element bazë i atyre këtyre tendencave. Në përjashtim të vendbanimeve shqiptare në Shkup, pjesa tjetër e Maqedonisë ku jetojnë shqiptarë ka shënuar rënie alarmante në numrin e nxënësve brenda një dekade. Terca ka rënie me rreth 39 për qind, komunat si Kërçova. Likova e Gostivari kalojnë rënien prej 36 për qind; Dibra, Struga e Vrapçishti kanë rënie më të madhe se 31 për qind, Bogovina mbi 34 për qind, kurse shkollat e Tetovës kanë shënuar rënie prej minus 21.29 për qind. Relativisht më mirë është situata me numrin e nxënësve në shkollat fillore të Kumanovës (minus 17.67 për qind), Haraçinës (minus 16.25 për qind), Çashkës (minus 14.75 për qind) apo Zhelinës (minus 14.54 për qind).

Sakaq, më pak të goditura nga rënie e numrit të nxënësve rezulton Studeniçani me minus 2.80 për qind, Shutka me minus 4.49 për qind, Buteli me minus 5.49 për qind, Çairi me minus 8.37 për qind dhe Saraji me 10.82 për qind. Në nivel të Maqedonisë kategorisë në fjalë i shtohen komuna me shumicë maqedonase si Kisella Voda me minus 5.39, Gjorçe Petrov me minus 5.61 për qind, Petroveci me minus 9.57 për qind dhe Gjevgjelia me minus 9.65 për qind të nxënësve.