Ballina Aktualitet Xhaferi dëshmoi në seancë: Njëri nga sulmuesit më tha: “Me Selën mbaruam,...

Xhaferi dëshmoi në seancë: Njëri nga sulmuesit më tha: “Me Selën mbaruam, tani ju e keni radhën”

SHPËRNDAJE

Kryetari i Kuvendit, Talat Xhaferi duke u përgjigjur në pyetjen e prokurorit Darko Jakimovski në seancën e sotme në Gjykatën Penale për sulmin ndaj Ziadin Selës tregoi se çfarë kishte ndodhur atë natë në Kuvend, gjegjësisht se si është sulmuar në mënyrë brutale Ziadin Sela, transmeton Portalb.mk.

“Kemi hyrë në press-qendër, kam dhënë deklaratë për mediat. Por për një kohë të shkurtër disa protestues hyrën në Kuvend. Një pjesë e sigurimit nuk lejonte që të hapet dera e sallës, por presioni ishte i lartë dhe ato hyrën me të madhe pastaj. Menjëherë filluan të sulmojnë deputetët. Ato bënë kordon dhe më thanë që të qëndroj pas që të mos arrijnë deri te unë”, u rikujtua Xhaferi.

Ai shpjegoi se qytetarët së pari kanë filluar fizikisht t’i sulmojnë deputetët, por atë nuk kanë arritur ta prekin.

“Pastaj filluan të gjuajnë me gjithçka që ju dilte përpara. Gjithë pajisjet e kuvendit janë shfrytëzuar si mjet për sulm. Cak i sulmit ishim ne. Kishte thirrje: do t’ju mbysim më gjithëve. Më shumë janë kërcënuar Zaev, Shekerinska, Spasovski dhe Sela”, tha Xhaferi.

Ai tha që i kujtohet se i ka hënë Selës të qëndrojë pas dhe të mos lëvizë.

“Në një moment kur u ktheva, sepse shpesh kam biseduar në telefon. Sela nuk ishte. Më tej nuk e di se çfarë ka ndodhur”, tha Xhaferi.

Xhaferi ka menduar që dikush nga sigurimi e ka tërheq Selën jashtë, por njëri nga sulmuesit ka thënë “Me Selën mbaruam, tani ju e keni radhën”.

“Filluan të bërtasin që edhe ne që mbetem brenda të nënshkruajmë se nuk do të vlejë ajo që e bëmë më herët në Kuvend”, tha Xhaferi.

Ai tha së më pas nuk e ka parë më Selën sepse e kishin evakuuar.

“Nga Nikolla Todorov kemi dëgjuar se Sela dhe Shekerinska janë të lënduar rëndë dhe i kërkojnë. Në ndërkohë e kanë gjetur Selën dhe na thanë se është dërguar në Qendrën Klinike. Pasi na dërguan në kazermën Gjorçe Petrov, nga atje kam shkuar ta vizitoj Selën”, tha Xhaferi.

Nga dëshmia e tij mund të përfundojmë se ai nuk i ka parë sulmuesit e Selës.

Para Gjykatës deri tani për të enjten e përgjakshme kanë dhënë dëshmi disa dëshmitarë, mes të cilëve edhe vetë Ziadin Sela.

Për këtë rast të akuzuar janë Oliver Oshavkovski, Sasho Senkov, Nikollçe Dimitrievski, Aleksander Janevski- Toshta, Andrej Micov, Nikolla Vojminovski, Kosta Dellov, Stojan Pavllevski-Kobra, Kire Gjorgievski dhe Cene Gjorgievski.