Ballina Shëndeti A janë homoseksualët të lindur dhe a shërohen dot?

A janë homoseksualët të lindur dhe a shërohen dot?

SHPËRNDAJE

Marsel Cara*

1. LG…T…: paradoks evolucionar, tabu fetare, devijim psikodinamik?

Nga pikëpamja e psikobiologjisë evolucionare dukuria “LG…T…” është një paradoks. Cfarë e shtyn një organizëm “të programuar” nga historia evolutive e llojit të vet për mbijetesë, adaptim ose luftë për riprodhim dhe pasardhës të angazhohet në sjellje që rezultojnë në zhdukjen e trashëgimisë së vet gjenetike? Ky paradoks biologjik është kaq i fuqishëm sa që ka gjetur shprehjen e vet si tabu fetare në mijëra vjet ndër kultura të ndryshme (hinduzimi, judaizmi, budizmi, krishëerimi, islami).

Ngjashëm me  abstinencën seksuale të murgjve të krishterë apo budistë kjo sjellje mund të shihet si devijim nga “programimi” biologjik i species njerëzore. Murgjit budistë shpresojnë në një rimishërim të mirë në këtë botë, murgjit e krishterë në një jetë më të mirë në qiell. Cfare lloj “besimi” apo “ideologjie” i motivon lesbiket dhe gayt të shmangen nga “instikti riprodhues”?

Në vitin 1952  Shoqata Amerikane e Psikiatrisë e etiketon homoseksualitetin si “crregullim sociopatik personaliteti” e influencuar nga teoria psikodinamike që e koncepton si “shmangie fobike e seksit të kundërt e shkaktuar nga prindërimi jo i duhur”. Në vitin 1962 e rietiketon “crregullim i orientimit seksual” si devijim nga heteroseksualiteti-norma e vetme biologjke. (https://www.ncbi.nlm.nih.gov/pmc/articles/PMC4695779/)

Ndërsa në vitin 1973, pas protestave politike në vitet 1970-1971, vendos të mos e konsiderojë më homoseksualitetin në cdo rast si crregullim psikiatrik, por përsëri e konsideron si jonormal, jo të vlefshem si heteroseksualliteti, dhe vetëm për ata homoseksualë që ndjejnë shqetësim apo stres në lidhje me këtë orientim i konsideron si të prekur nga një crregullim psikiatrik. (https://www.nytimes.com/1973/12/23/archives/the-issue-is-subtle-the-debate-still-on-the-apa-ruling-on.html). 

Deri në  vitin 1987, patologjizimi i homoseksualitetit, ende rezultonte në manualin e Shoqatës nën etiketën “homoseksualitet ego distonik”. Vetëm në vitet 1990-1992, hiqet nga Klasifikimi Ndërkombëtar i Sëmundjeve (ICD-10) si sëmundje mendore.

Në SHBA dhe Europë mbas shekujsh kriminalizimi dhe dekadash patologjizimi, nuk ka ende një teori shkencore konsensuale që të shpjegojë origjinën dhe funksionin që homoseksualiteti luan në historinë evolutive të llojit njerëzor.

2. A bëhesh apo lind? 

Përse bëhet dikush homoseksual, dhe a mund të c’bëhesh duke u kthyer në “heteroseksual” ? 

Sipas teorisë bihejvoriste radikale të propozuar nga Skinner në SHBA në vitet 1950, cdo sjellje njerëzore është e mësuar (kushtëzuar) dhe mund të cmësohet (përsëri përmes kushtëzimit). Sot për shembull, personat pedofilë në burgje apo qendra rehabilitimi nuk dënohen më  si raste të pashpresa/panryshueshme (me tredhje kimike), por trajtohen me terapi bihejvoriste, me qëllim cmësimin e sjelljeve pedofilike dhe zëvendësimin e tyre me abstinencë seksuale ose seks me të rritur. 

Në vitin 2016 në SHBA, partia Republikane e cila fitoi dhe zgjedhjet presidenciale propozoi në programin elektoral për shëndetësinë terapinë konvertuese për personat gay që donin të ndryshonin orientimin e tyre. Ky ishte një deklarim tepër i fortë në ligjërimin politik amerikan mbi homoseksualitetin. Por jo i paarsyeshëm, pasi publiku amerikan prej dekadash është  bombarduar mediatikisht me teorinë/mitin që një heteroseksual “zbulon” se në të vërtetë është gay, por e anasjellta nuk mund të ndodhë.

Pyetja se “a bëhesh dhe a cbëhesh dot” ngrihet mbi premisen joshkencore se njerëzit mund të perkufizohen me etiketime kategorike (o je i lindur, o s’je i lindur) dhe jo mbi qasjen biopsikosociale që e konsideron sjelljen humane si shumë dimensionale dhe zhvillimin si rezultat të kombinimit të shumë faktorëve gjatë jetës, në një ekosistem të caktuar social dhe historik. 

Disa faktorë biopsikosociale që mund ndikojnë në zhvillimin e një identiteti “homoseksual” tek djemtë (bazuar në literaturen shkencore në 2-3 dekadat e fundit) mund të jenë: 

(1) sjelljet feminile të dukshme që para adoleshencës, ndonjeherë të ndikuara nga influenca hormonale gjatë shtatëzanisë, por ndonjëherë nga prindërimi feminizues nga nënat i kombinuar shpesh nga mungesa e përkohshme apo e përhershme e babait (për pune, emigracion, braktisje,etj.).

(2) bullizëm në fëmijërinë e vonë apo adoleshencën e hershme (9-14 vjec) nga moshatarët meshkuj dominantë ndaj meshkujve me tipare feminile duke i quajtur “gay”,  duke i abuzuar fizikisht (madje ndonjëherë edhe seksualisht) dhe margjinalizuar shoqërisht. Në këtë moshë këta djem mos e dinë aspak se c’është një “gay” dhe mund të mos ndihen aspak të tillë. Megjithatë etiketimi i jashtëm i shtyn gradualisht ta interpretojnë veten si të tillë. Stereotipizimi shpesh krijon efektin paradoksal të nxitjes së sjelljes së paragjykuar apo stigmatizuar.

(3) ngacmimet seksuale nga të rritur pasi këta djem janë më lehtësisht viktima, frikësohen më shumë dhe kanë turp të kundërshtojnë apo të ankohen për ngacmimet. Ky grup djemsh është i rrezikuar 2 herë më shumë sesa të tjerët për ngacmime në fëmijëri. Prindërit ndërkulturalisht tregojnë në përgjithësi më tepër sjellje mbrojtëse për vajzat se sa për djemtë, për këtë arsye keta djem edhe jane me vulnerabel.

(4) ekspozimi ndaj mesazheve multi-mediatike ku promovohet homoseksualizmi (në filma, këngë dhe video muzikore, rrjete sociale, pornografi, etj.). Në 20 vitet e fundit homoseksualzimi është bërë pjesë e kulturës pop televizive – më herët tolerohej vetëm  kur inkuadrohej në formën e parodisë apo si element komik. 

(5)  kontakti në adoleshencën e vonë apo rini  të hershme (18-25) me aktivizëm grupor “gay” ku përforcohet ideja e të qenit i persekutuar nga shoqëria heteronormative dhe zhvillohet një identitet minoritar. 

Asnjë faktor i vetëm nuk të bën “gay”. Ndodh që kombinime të ngjashme faktorësh tek persona të ndryshëm rezultojnë në “identitete” të ndryshme. 

Psikologjia zhvillimore nuk ofron dot formula matematikore por thjesht vëzhgime sistematike të sjelljes individuale në një ekosistem në tranzicion. 

Faktorë që nuk ndihmojnë formimin e një identiteti “gay” tek djemtë “feminile” mund të jenë:

(1) “moratoriumi” ose pezullimi i përkohshëm i interesit seksual dhe sublimimi i impulsit seksual me studime, sport, art, etj; 

(2) përqafimi i një identiteti religjioz (dhe grupi social) që dekurajon sjelljet homoseksuale duke justifikuar “moratoriumin” ose duke përforcuar identitetin heteroseksual 

(3) intimiteti me një partnere heteroseksuale që përforcon përkohësisht apo përfundimisht identitetin heteroseksual.

Adoleshenca është një moshë zhvillimi të vrullshëm (tetëfishim i testosteronit), përmbysje skemash fëminore mbi botën dhe veten, që natyrshëm shoqërohet me konfuzion dhe ristrukturim konjitiv i cili gradualisht nga bardhë e zi bëhet më fleksibël. Krijimi i identitetit adult është një sfidë psikosociale e cila kërkon vite “përpjekjesh” që finalizohen tipikisht në moshën 19-25 vjec kur rritja trupore dhe maturimi i kortekstit trunor arrin kulmin, por edhe eksperiencat jetësore e kanë detyruar individin të bëjë kompromise me  ekosistemin social-historik. Megjithatë tek meshkujt aftësia maksimale për rregullimin e impulsivitetit (qoftë agresiv qoftë seksual) arrihet rreth moshës 30 vjec.

3. A ç’bëhesh dot apo jo?

Në SHBA në vitin 2004-2005 u bë një sondazh me rreth 13,000 gjimnazistë amerikane (Udry dhe Chantala, 2004). Nga djemtë që kishin deklaruar se kishin “atraksion” ekskluziv homoseksual, kur u pyetën  një vit më vonë, vetëm 11% e atyre që ishin raportuar si homoseksualë në 2004 dha të njëjtën përgjigje në 2005. Ndërsa 89% kishin ndërruar mendje. Në fakt, 48% e këtyre djemve që në 2004 ndiheshin “ekskluzivisht homseksual”, në 2005 raportuan një “atraksion ekskluziv heteroseksual”, dhe 35% e tyre deklaruan se nuk kishin asnjë lloj atraksioni ndaj asnjërit seks.  [Udry, J. R., & Chantala, K. (2004). Risk factors differ according to same-sex and opposite-sex interest. Journal of Biosocial Science, 37, 481–497.].

Cbërja “gay” nuk vëzhgohet vetëm në adoleshencë, një moshë e karakterizuar tek shumica e meshkujve nga ndryshime të hovshme hormonale dhe eksitueshmëri të lartë seksuale nga pothuajse “gjithcka”, por vërehet edhe në moshë të rritur. Psikologia dhe aktivistja lesbike Lisa Diamond ne vitin 2014 raportoi se 78% e burrave të rritur të cilët fillimisht bëjnë “coming out”  si homoseksualë e ndryshojnë identitetin e tyre seksual.  [Diamond, L. M. (2014). I was wrong! Men are pretty darn sexually fluid, too. PowerPoint presentation at the annual meeting of the Society for Personality and Social Psychology, Sexuality Preconference, Austin, Texas.]

Në vitin 2009,në Britaninë e Madhe, sipas një sondazhi 222 psikoterapistë deklaruan që kishin pasur kërkesa nga një apo më shumë klientë homoseksualë të cilët kërkonin ndihmë profesionale të ndryshonin orientimin e tyre seksual (http://www.ucl.ac.uk/news/news-articles/0903/09032601).

Për aktivistët radikalë LG…T… personat që nuk identifikohen përfundimisht si gay apo lesbike janë persona të “pavërtetë”. Në fakt, edhe biseksualët, pavarësisht se pranohen teorikisht si partnerë, konsiderohen shpesh nga radikalët si tradhëtarë që “flenë me armikun” heteroseksual opresiv. Në asnjë vend ku është lobuar për martesa gay apo lesbike, nuk është promovuar asnjëherë martesa biseksuale. Përkundrazi, gayt dhe lesbiket kanë përqafuar si tabu të paprekshme “status quo” e monogamisë, që diskriminon direkt biseksualët dhe poligamët e cdo lloj orientimi.

Aktivistët radikalë LG…T… janë partnerë të shumicës “opresive” heteronormative (për momentin), edhe ndaj komunitetit zoofil dhe incestofil të kriminalizuar në disa vende të Europës (psh. Gjermani, Britani), por të legalizuar në disa të tjera (psh. Francë, Finlandë).  Është qesharake, se si terma që përdoreshin më herët për LGBT, tani këta të fundit i përdorin në ligjërimin e tyre për “anormalët” e sëmurë apo devijantë, zoofilët dhe incestofilët.

4. Martirizimi dhe inkuizicioni LG…T…

Aktivizmi LGBT sot është kthyer nga ideologji martirizimi në politikë intolerante ndaj personave me bindje fetare apo filozofike të ndryshme heteronormative. E fuqizuar pas konvertimit të shteteve perëndimore (ish-kristiane) në ideologjinë LGBT (psh.Franca 2013, SHBA 2015) ky aktivizëm ushtron presion ligjor-politik ndaj individëve apo grupeve që nuk konvertohen publikisht. 

Në shkolla fillore mund të futen libra “gay” ku tregohen përralla me dy burra që dashurohen e puthen (precedent është rasti i Masachusets, SHBA në 2006). Prindërit që e konsiderojnë këtë si të neveritshme do të jenë të pafuqishem për të ndryshuar librat që mësojnë fëmijët në shkollë. Mësuesit që për shkak të ndërgjegjes së tyre do refuzojnë të përdorin këto libra mund të  pushohen nga puna për diskriminim.

Një psikolog apo terapist seksual religjioz që refuzon të këshillojë një cift gay pasi në ndërgjegjen e tij mendon që kjo është mëkat, mund të pushohet nga puna për diskriminim. (https://www.telegraph.co.uk/news/religion/3539422/Christian-counsellor-sacked-for-refusing-sex-therapy-for-gay-couples.html).

Një pasticieri që refuzon të përgatisë një tortë për një martesë gay, mund të hidhet në gjyq për diskriminim (https://www.eater.com/2017/12/4/16734534/masterpiece-bakery-gay-couple-wedding-cake).

Politikanët me bindje religjioze detyrohen të pohojnë publikisht që homoseksualiteti nuk është mëkat (https://www.theguardian.com/politics/2018/jan/10/tim-farron-regrets-saying-gay-sex-not-sin).

Personat “heteronormative” gabojnë kur përpiqen të racionalizojnë gjykimet e tyre morale kundër martesave dhe adoptimeve gay. Ata motivohen nga intuita morale dhe ndjesitë e tyre (kryesisht të parandërgjegjeshme), si për shembull neveria apo indinjimi, njësoj si për incestin apo zoofilinë. Racionalizimet që ata propozojnë janë shpesh jokonkluzive pasi për cdo sjellje njerëzore “normale” apo “anormale” mund të gjenden racionalizime. (Madje kisha të krishtera protestante liberale kanë gjetur edhe “justifikime” teologjike pro martesave gay).

Intuita e tyre morale e shprehur qoftë si bindje filozofike apo fetare në këtë rast konvergon me teorinë evolucionare. Ata nuk kanë përse të justifikojnë ndjesitë e tyre, ashtu sic homoseksualët nuk detyrohen të justifikojnë ndjesitë e tyre. Nuk është e ndershme të luhet me standarde të dyfishta. 

5. Shkenca psikologjike dhe dukuria LG…T…

Shkenca psikologjike fatkeqësisht është kushtëzuar nga politika që nga fillimet e saj, pavarësisht se krenohet si disiplina më rebele ndaj korrektësisë politike. Shembulli i Shoqatës Psikologjike Amerikane është shembulli tipik. Nga presionet politike konceptimet për homoseksualitetin kaluan nga stadi i psikopatologjise së kurueshme, në normalizimin determinist (karakteristikë e pandryshueshme) dhe sot në tipar fluid dhe i ndryshueshëm.

Sot shumë studiues apo psikologë kanë frikë të shprehin opinionet e tyre shkencore nga frika se mos ndëshkohen për moskorrektësi politike, humbasin vendin e punës apo denigrohen publikisht. Ilustrimi më i qartë është ai i profesorit të psikologjisë sociale Jonathan Haidt, i cili në 2013 u sulmua publikisht për studimin e tij se si gjykimet morale negative mbi incestin dhe homoseksualitetin formohen kryesisht nga reagime të pandërgjegjshme si neveria dhe më pas racionallizohen. Artikulimi thjesht i një observimi shkencor “politikisht jokorrekt” (që shumë njerëz fetarë ndjejnë neveri ndaj homoseksualitetit njësoj si ndaj incestit), qoftë edhe nga një shkencëtar jofetar liberal, u sulmua si “blasfemi”.

Sot në shkollat shqiptare nuk bëhen studime serioze për formulimin e protokolleve shkencore mbi bullizmin, racizmin, intolerancën fetare, politike, apo homofobine. 

Kjo është mangësi ndër-qeveritare në dekada por fajin kryesor e kanë studiuesit që lënë boshllëk për aktivistët politikë të promovojnë  ideologji  pseudo-shkencore.

Militantizmi LG…T… në shkolla ka gjasa të rezultojë paradoksalisht në rritje të homofobisë në shkolla dhe më gjerë. Ashtu si homofobia kontribuon paradoksalisht në zhvillimin e identitetit gay. Duhet patur parasysh që personat gay janë 4 herë më të rrezikuar për të kryer vetvrasje. Autoritetet duhet të ndërhyjnë për zhvillimin e programeve anti-bullizëm me metodologji shkencore, jo me iniciativa ideologjike provokative që amplifikojnë homofobinë edhe kur është në nivele të ulëta për fundraising apo justifikime donacionesh. 

Adoleshentët duhet të lihen të qetë të zhvillojnë identitetet e tyre. Janë mediat dhe aktorët socialë që ushtrojnë trysni për ti

seksualizuar me zor. Shumica e adoleshentëve duan thjesht të heqin qafe shkollën e mesme (që si vetë ekosistemi Shqipëri) është një vend stresues dhe i pakëndshëm, pavarësisht nga statusi  i tyre socio-ekonomik apo preferencat e tyre fluide filozofike, fetare, politike, apo seksuale.

 

________________
Marsel Cara është psikolog edukimi, laureuar në Britaninë e Madhe në studimet master, ndërsa vazhdon doktoraturën në Itali.