Ballina Bota Shkarkim me një “cicërimë”, Trump zëvendëson Tillersonin me Pompeon

Shkarkim me një “cicërimë”, Trump zëvendëson Tillersonin me Pompeon

SHPËRNDAJE

Presidenti amerikan Donald Trump ka shkarkuar nga posti i kryediplomatit Rex Tillerson, duke e zëvendësuar atë me drejtorin aktual të CIA-s, Mike Pompeo.

Kreu i Shtëpisë së Bardhë e ka njoftuar përmes rrjetit social Twitter shkarkimin e tij, duke e falënderuar atë për shërbimin e deritanishëm dhe duke shprehur besimin se Sekretari i ri i Shtetit, Pompeo do të bëjë një punë fantastike.

Trump nxitoi ta bënte i pari publik këtë lajm, ndërsa vetëm disa çaste më vonë është publikuar letra e presidentit nga Shtëpia e Bardhë.

“Jam krenar të nominoj drejtorin e Agjencisë Qendrore të Inteligjencës, Mike Pompeo, në postin e Sekretarit tonë të Shtetit. Mike ka shërbyer me devotshmëri në ushtrinë amerikane, ka mbaruar studimet e larta me nderime në Harvard dhe shërbeu në Dhomën e Përfaqësuesve me një rekord të provuar të punës së tij. Si drejtor i CIA-s, Mike ka marrë lavdërime nga anëtarë të të dyja partive, duke forcuar grumbullimin e të dhënave të shërbimeve sekrete, duke modernizuar aftësitë tona mbrojtëse dhe sulmuese, e duke ndërtuar lidhje të afërta me miqtë e aleatët tanë në komunitetin ndërkombëtar të shërbimeve sekrete. Eksperienca e tij në ushtri, Kongres dhe si kreu i CIA-s e ka trajnuar mjaftueshëm mirë për të marrë rolin e tij të ri, ndaj kërkoj konfirmimin e tij të shpejtë”, shkruan Trump.

Një zyrtar i lartë i administratës i ka thënë CNN-it se presidenti Trump i kishte kërkuar Tillersonit të jepte dorëheqjen që të premten, e ndoshta mosbindja e tij ka detyruar kreun e Shtëpisë së Bardhë të ndërmarrë hapin e shkarkimit.

“Presidenti i Shteteve të Bashkuara mendon se është koha e duhur për tranzicion, duke qenë se përpara priten bisedimet me Korenë e Veriut dhe disa negociata të ndryshme tregtare. Ai i kërkoi Tillersonit të dorëhiqej të premten”, shprehet burimi i CNN.

Në një deklaratë të shkurtër drejtuar medias, Pompeo është shprehur “thellësisht mirënjohës” që ka shërbyer deri më tani në krye të CIA-s.

“I jam thellësisht mirënjohës presidentit Trump që më lejoi të shërbej si drejtori i CIA-s, por edhe për këtë mundësi për të shërbyer nga tani e tutje si Sekretar Shteti. Lidershipi i tij e ka bërë Amerikën më të sigurtë dhe mezi pres ta përfaqësoj atë dhe popullin amerikan në mbarë botën, për të avancuar prosperitetin e Amerikës”, shkruan ndër të tjera Pompeo.

Ndërkohë, Gina Haspel, e cila ka mbajtur deri më tani postin e zv.drejtoreshës së CIA-s, nominohet për të pasuar drejtorin Pompeo, duke u bërë kështu e para femër në krye të Agjencisë Qendrore të Inteligjencës.

“Mike dhe Gina kanë punuar së bashku për më shumë se një vit, e kanë krijuar një respekt reciprok tejet të madh”, vijon më tej Trump. Në fund, edhe falënderimi për Rex Tillersonin për shërbimet e tij. “Një marrëveshje e madhe është realizuar gjatë 14 muajve të fundit, ndaj i uroj atij dhe familjes së tij gjithë të mirat”.