Ballina Aktualitet (20 VIDEO+FOTO) Të gjitha detajet nga tragjedia e madhe në Tetovë: Nëna...

(20 VIDEO+FOTO) Të gjitha detajet nga tragjedia e madhe në Tetovë: Nëna shqiptare digjet brenda shtëpisë bashkë me 4 fëmijët

SHPËRNDAJE

Katër fëmijë të moshës 5 deri në 14 vjeçare dhe e ëma e tyre Fatime Zylbehari 39 vjeçe, kanë humbur jetën në zjarrin që mëngjesin e sotëm kaploi shtëpinë e tyre në rrugën Goce Dellçev në Tetovë. Shkaktari i zjarrit zyrtarisht ende nuk dihet, por dyshohet që ai të jetë shkaktuar nga koftori. Flakët fillimisht kanë përfshirë katin e dytë ky kanë qenë duke fjetur pesë viktimat dhe më pastaj është përhapur edhe në katin e poshtëm dhe shtëpinë fqinje. Nga kati i parë kanë arritur të shpëtojnë gjyshja dhe gjyshi i të viktimave, ndërsa në shtëpinë fqinje nuk ka pasur banorë. Rasti tek zjarrfikësit është lajmëruar në orën 4 e 15 minuta të cilët kanë intervenuar me 21 zjarrfikës dhe nëntë makina. Sipas tyre, intervenimi ka qenë i shpejtë.

Nga ana jonë dolëm menjëherë me katër automjete kundër zjarrit dhe 13 zjarrfikës por me të arritur në vendngjarje kemi parë tmerr sepse gjitha shtëpitë ishin mbuluar nga zjarri dhe u sulëm në punë për të kryer detyrën tonë. Nuk lejuam të përhapen flakët që të ndodh ndonjë katastrofë edhe më e madhe, por, për fat të keq ka viktima sepse janë shtëpi të vjetra shumë – deklaroi Uka Aliti. Kryeshef i NJTKZ, Tetovë.

Por, edhe pse zjarrfikësit thonë që kanë arritur në kohë, familjarët kanë akuzuar organet komunale për ndërhyrje të vonuara dhe për vështirësitë me të cilat janë përballur ekipet, shkaku i makinave të parkuara në rrugë dhe rrugët e ngushta të lagjes.

“Unë jam dakord edhe me këtë shokun se këta mundohen, të depërtojnë nëpër këto gjëra kurse ju nëpër zyrat tuaja lejoni të shkatërrohen të gjitha”.

“Vonë kanë ardhur. 15 apo 20 minuta janë vonuar pasi u ndez zjarri janë shumë 20 minuta. Për 20 minuta digjet shtëpia e gjitha”.

“Si nuk është tragjike, si nuk është rast tragjik? Tragjedi më të madhe s’ka, zjarr me pasojë vdekje. 5 vjeç ka qenë më i vogli, 14 më i madhi”.

“Më keq s`ka ku shkon por s`kemi ç’të bëjmë tani, punë e Zotit, s`kemi ç’bëjmë aspak. Katër fëmijë dhe e ëma, pesë. Ka pesë orë që presin të vinë prej Shkupi, tani kanë ardhur. I ati i fëmijëve me injeksione rrinë aty, çfarë të bëjë”.

Është një fatkeqësi shumë e madhe për ne si qytet, dhe ne do përpiqemi me mundësitë që kemi të ndihmojmë familjen për ta tejkaloi këtë dhimbje sa më shpejtë”, tha Teuta Arifi, kryetare e komunës së Tetovës.

Zëvendësministri i Punëve të brendshme Agim Nuhiu deklaroi se organet kompetente do të angazhohen që rasti të marrë epilog.

Jemi këtu për të dhënë mbështetjen për funksionimin e të gjitha shërbimeve të policisë, prokurorisë dhe mjekësisë ligjore, me qëllim që tragjedia të ketë epilogun e saktë dhe objektiv. U shprehën ngushëllime familjarëve dhe jemi në gatishmëri bashkë me komunën dhe institucionet e tjera të shtetit t’i rrimë pas gjithë kësaj që është pasojë për familjen dhe për rrethin – deklaroi Agim Nuhiu, zv/ ministër i punëve të brendshme.

Prokurori përgjegjës i rastit nga prokuroria e Tetovës, ka kryer hetimet sot në vendin e ngjarjes dhe po punohet për zbardhjen e tij. Trupat e pajetë të pesë viktimave, në mesditë janë dërguar në mjekësinë ligjore për obduksion dhe varrimi i tyre, sipas familjarëve, pritet të kryhet ditën e nesërme. Përndryshe, babai i katër fëmijëve që humbën jetën sot tragjikisht bashkë me të ëmën, ekzistencën e familjes e ka siguruar nga puna e tij si rojtar. Përveç humbjes, ai aktualisht ka mbetur edhe pa kulm mbi kokë.

Bashkim Sulejmani

Për të qenë kjo tragjedi e përmasave më të mëdha, para shumë vitesh, në një aksident në autostradën Tetovë- Shkup humbi jetën vajza 5-vjeçe e Fatime Zulbeharit tashmë të ndjerë

Rënia e kulmit të përfshirë nga zjarri ka qenë fatale për 38-vjeçaren Fatime Zulbehari dhe katër fëmijët e saj, të cilët humbën jetën nga zjarri që kaploi shtëpinë e tyre në lagjen Pevçinë të Tetovës. Të gjallë shpëtuan vjehrri dhe vjehrra e Fatimes, të cilët ishin duke fjetur në katin e poshtëm të shtëpisë, transmeton Tetova News sipas SP.

Babai i fëmijëve, në momentin e tragjedisë ishte në punë si rojtar në një firmë private.

Fqinjët e familjes Zulbehari thonë se janë zgjuar në mëngjes nga tymi dhe era e pakëndshme. Kur dolën në ballkon panë se gjuhët e flakëve për një kohë shumë të shkurtër po gëlltisnin shtëpinë e familjes Zulbehari. Menjëherë u telefonuan zjarrfikësve.

Në ora 3 e 20 minuta e ndjemë se ka zjarr, kishte tym. Mendova se edhe shtëpia ime është kapluar nga zjarri, por për fat nuk kemi pasoja. Musa, fqinji ynë është rojtar, ishte në punë, kurse siç mora vesh, gruaja e tij, Fatimja bashkë me fëmijët flinin në katin e sipërm. Poshtë, në katin përdhes flinte Sulo, babai i Musës dhe e ëma, vjehrri dhe vjehrra e Fatimes. Shuarja e zjarrit ka zgjatur deri në ora 7 e 30 – deklaroi Musli Memedi, fqinj me familjen Zulbehari.

Një pjesë e fqinjve tregojnë se ekipi i zjarrfikësve arriti menjëherë në vendngjarje. Në rrugicën për te shtëpia e kapluar nga zjarri kishte shumë makina të parkuara që penguan lëvizjen e tyre.
Këto rrugica janë të ngushta, kurse automjetet e zjarrfikësve janë të mëdha dhe kishte shumë makina të parkuara keq. Për shkak të tyre, kamionët e zjarrfikësve nuk mund të kalonin, prandaj duhej të kërkoheshin pronarët e makinave.Arriti edhe policia dhe i gjeti pronarët e makinave, kurse zjarrfikësit kaluan pasi u hoqën makinat – thotë një banore e lagjes Pevçina të Tetovës, transmeton Tetova News.

Nga Njësia territoriale e zjarrfikësve të Tetovës thonë se fatmirësisht kanë arritur ta lokalizojnë zjarrin për të mos u përhapur në shtëpitë e tjera, ku në këtë lagje të vjetër tetovare janë të ngjitura me njëra-tjetrën.

Familja Zulbehari para shumë vitesh është shpërngulur nga fshati Cerovë në lagjen Pevçinë ë Tetovës. Fqinjët thonë se familja ishte shumë e varfër dhe jetonte në gjendje të mjerueshme.

Për të qenë tragjedia më e madhe, para shumë vitesh, në një aksident në autostradën Tetovë – Shkup ka humbur jetën vajza 5-vjeçe e Fatimes së ndjerë.

Babai i fëmijëve dhe prindërit e tij, sipas të gjitha gjasave do të vendosen te të afërmit e tyre deri sa të sanohet shtëpia e tyre.

Kryetarja e komunës së Tetovës, Teuta Arifi vizitoi familjen Zulbehari dhe premtoi se urgjentisht do të thërras mbledhje të këshillit, ku do të sillet vendim për të ndihmuar këtë familje./TetovaNews

Loading...