Na e dhanë apo e fituam PAVARËSINË? Debati i rrallë mes historianëve, Kristo Frashëri dhe Arben Puto

Historianët më të njohur shqiptarë, Kristo Frashëri, Arben Puto, Nevila Nika dhe Paskal Milo kanë debatuar dhe sjellë argumente nga st...


Historianët më të njohur shqiptarë, Kristo Frashëri, Arben Puto, Nevila Nika dhe Paskal Milo kanë debatuar dhe sjellë argumente nga studio e gazetares Rudina Xhunga, më 29 nëntor 2006, rreth historisë së shtetformimit shqiptar, nga shpallja e Pavarësisë e deri më sot. Dritare.net e sjell sot të plotë, duke ju uruar Gëzuar 28 nëntorin.
Variantet për copëtimin e Shqipërisë dhe ndërhyrja e Presidentit amerikan, Uillson
R.Xhunga: Nisim me Pavarësinë. Na e dhanë, apo e morëm?
Kristo Frashëri: Shqipëria është shteti i fundit, sot duhet thënë i parafundit, që fitoi Pavarësinë. Pas saj, Maqedonia dhe tani Kosova. Pse ishte Shqipëria shteti i fundit ballkanik që fitoi Pavarësinë? Ky është një problem që ka shkaktuar vazhdimisht debate dhe janë bërë edhe studime. Janë dhënë dy alternativa. E para, Shqipëria e fitoi pavarësinë prej faktorit të brendshëm dhe shpjegohet me luftën e shqiptarëve për liri e pavarësi dhe, e dyta, që thotë se Shqipëria e fitoi pavarësinë si dhuratë e Shën Adriatikut, në kuptimin për pozicionin që kishte në Adriatik, pasi Fuqitë e Mëdha nuk dinin si t’i kontrollonin ndryshe ngushticat e Adriatikut. Me pak fjalë, pavarësia erdhi nga Fuqitë e Mëdha. Kjo e dyta nuk është e besueshme, pasi nuk ka asnjë shtet që bëhet i tillë, pa vullnetin e popullit të tij. Me një popull që nuk e do shtetin e tij, ai shtet nuk është i vërtetë, por artificial. Kështu, teza e dyte bie poshtë. Teza e parë është nihiliste, që historiografia shqiptare, ballkanike dhe ajo evropiane e kanë hedhur poshtë.
Paskal Milo: Përse ishim të fundit, atëherë që morëm pavarësinë? Si shpjegohet kjo vonesë historike?
Kristo Frashëri: Ka një shpjegim. Në fund të shekullit të 18-të, kur filloi epoka e çlirimit të popujve të Ballkanit dhe që u kurorëzua me krijimin e shtetit serb, grek, malazez dhe atij bullgar e rumun, shqiptarët e kishin paraqitur më përpara kërkesën për t’u bërë shtet. Karamahmuti e kishte bërë një kërkesë të tillë, edhe pse në kuadër të Perandorisë Osmane. Por e vërteta është se Fuqitë e Mëdha nuk donin të kishin një shtet mysliman në Ballkan. Ata kërkonin një kontinent të krishterë evropian. Ata donin që Shqipërinë ta copëtonin, ta ndanin në parcela-parcela, duke i dhënë një pjesë Serbisë, një pjesë Greqisë, Malit të Zi. Ata nuk donin një shtet shqiptar.
Paskal Milo: Duhet të shpjegojmë të gjitha arsyet pse Shqiperia e mori kaq vonë pavarësinë dhe cilat ishin raportet e Shqipërisë me Perandorinë Osmane dhe raportet e vendeve të tjera të Ballkanit me këtë Perandori. Është fakt historik që kemi pasur një marrëdhënie më të integruar me Perandorinë Osmane.
R.Xhunga: Cili ishte roli i fesë në fitoren e pavarësisë?
Kristo Frashëri: Feja nuk ka luajtur kurrë rol politik.
Arben Puto: Shtetet myslimane e kanë fituar më vonë pavarësinë dhe është e vërtetë ajo që thotë Paskali, që Shqipëria ishte më e integruar në Perandorinë Otomane dhe këtu ndihmonte fakti i konvertimit në fenë islame. Është e ditur që shqiptarët kanë luajtur një rol të rëndësishëm në Perandorinë Otomane. Ata kanë pasur poste shumë të larta.
Paskal Milo: Ka pasur 37 vezirë shqiptarë.
Kristo Frashëri: Ishin më pak, por nuk e mohoj që kanë pasur poste të larta, por në të njëjtën kohë janë nga popujt ballkanikë që kanë bërë më shumë kryengritje ndaj kësaj perandorie.
R.Xhunga: Sa kryengritje kanë bërë shqiptarët?
Kristo Frashëri: 220 kryengritje. Ishte një klasë që i shërbeu Perandorisë, por një tjetër e kundërshtoi atë me kryengritje.
Paskal Milo: Kryengritje sociale, jo kombëtare.
Kristo Frashëri: Ishin si të gjitha kryengritjet e vendeve të tjera, që nuk donin të ktheheshin mbrapa Portës e të ecnin përpara.
Paskal Milo: Ishin kryengritje për taksat, ishin sociale. Nuk ishin aspak nacionale.
Kristo Frashëri: Nuk është aspak e vërtetë. Disponoj dokumente që flasin për të kundërtën. Edhe ato kryengritje për taksat e ushqenin pavarësinë.
Arben Puto: Unë anoj nga mendimi se jo gjithmonë ka pasur lëvizje me objektiv kombëtar nga ana e shqiptarëve. U referohem shkrimeve të Edit Durhamit, e cila ka qenë këtu në vitet 1911-1912 dhe i ka ndjekur fare nga afër ngjarjet. Lëvizjen kryengritëse të shqiptarëve në kufi me Malin e Zi e përshkruan si lëvizje për taksat, për centralizmin, pra e thotë hapur që ishte një kryengritje sociale. Sigurisht që ky ka qenë një motiv, por objektivi kombëtar nuk mund të mohohet, madje sa më shumë zhvillohet lëvizja kryengritëse aq më shumë piqet vullneti politik për të dalë në një shtet më vete.
R.Xhunga: Pse e kemi identifikuar ngaherë pavarësinë me Ismail Qemalin? Kush është me ose pas tij?
Nevila Nika: Deri para pak vitesh, jemi mësuar që me Ditën e Flamurit të identifikojmë pak figura, Ismail Qemalin, Isa Boletinin dhe Luigj Gurakuqin. Ne, si historianë, e dimë mirë që Ismail Qemali mbetet figura kryesore dhe rreth tij kishte shumë patriotë, të cilët kishin poste të larta në Perandorinë Otomane, që i lanë të gjitha dhe u kthyen në Shqipëri. Ky është një fakt i jashtëzakonshëm. Vetë Ismail Qemali la një karrierë të ndritur, Hasan Prishtina gjithashtu, të gjithë lanë gjithçka për Shqipërinë. Ata u kthyen në Shqiperinë e ‘12-ës, e cila ishte një ferr i vërtetë. Flamurin në Vlorë e ngritën edhe ata që vinin nga Perandoria, edhe ata që vinin nga mërgimi. Do doja të flisnim për vitet 1912, deri në Kongresin e Lushnjës në 1920. Si u bë ai shtet, ai shtet për të cilin shumë lanë karrierën, pasuritë e tyre për hir të pavarësisë së Shqipërisë, pa u shkuar ndërmend të merrnin gjësend nga Shqipëria, siç edhe ndodhi?!.
Arben Puto: Megjithatë, as shteti i shpallur në Vlorë dhe as qeveria e krijuar nga Ismail Qemali nuk u njohën nga Fuqitë e Mëdha. Duke parë gjendjen e Ballkanit, doemos Fuqitë e Mëdha nuk mund të rrinin pa lëvizur dhe morën vendimet e tyre. Fuqitë e Mëdha krijuan Konferencën e Ambasadorëve, të 6 fuqive më të mëdha të kohës, me në krye Eduard Grei, i cili ishte ministër i Jashtëm i Britanisë. Morën vendimin e parë më 1912, ku nuk e njihnin Shqipërinë dhe e përcaktonin statusin e vendit tonë si një shtet i varur nga Turqia. Por me zhvillimin e ngjarjeve kjo zgjidhje nuk mund të qëndronte dhe vijmë në vitin 1913, kur Konferenca e Ambasadorëve vendosi krijimin e komisionit ndërkombëtar të kontrollit dhe të caktojë një Princ të huaj, Vidin. Komisioni ndërkombëtar i kontrollit ka ardhur këtu dhe ka përshkuar të gjithë kufirin dhe ai u shndërrua në vitin 1914 në një pushtet suprem. Ajo që unë e kam quajtur në monografinë time për pavarësinë, ksenokrati. Nuk qe një shtet që u krijua nga shqiptarët, ndërsa shteti i krijuar nga shqiptarët nuk u njoh nga Fuqitë e Mëdha.
Kristo Frashëri: Fuqitë e Mëdha qenë pengesa kryesore që shkaktuan vonesën e pavarësisë. Shembulli më tipik është Lidhja e Prizrenit, e cila nisi si një sfidë ndaj Kongresit të Berlinit dhe e mbylli si një sfidë ndaj Portës së Lartë, duke shpallur autonominë dhe qeverinë e përkohshme. Shqiptarët nuk e lanë asnjëherë qëllimin e tyre për liri e pavarësi, duke punuar përmes klubeve patriotike, shoqërive patriotike nëpërmjet kryengritjeve dhe çetave derisa erdhi 1912-ta. Nuk duhet të harrojmë kurrsesi se ajo pavarësi u parapërgatit nga kryengritja më e madhe që ka parë ndonjëherë Ballkani, nga kryengritja e Kosovës në 1912-ën. Pas 1912-ës, historia e Shqipërisë mund të quhet historia e përleshjes së shqiptarëve me interesat e Fuqive të Mëdha.
Paskal Milo: Pse nuk kemi pasur, profesor Frashëri, asnjë vend mik, asnjë mbështetje nga Fuqitë e Mëdha?
Kristo Frashëri: Kemi pasur miq, por armikun e kemi pasur më të egër. Vend mik ka qenë Austro-Hungaria.
R.Xhunga: Si erdhi 1913-ta, çfarë u mor prej Shqipërisë natyrale?
Nevila Nika: Gjysma. Shqiperia e 1913-ës është kjo që kemi sot.
Arben Puto: Për të ardhur tek Traktati i Londrës, që për fat nuk u zbatua dhe një rol të madh ka luajtur Presidenti Uillson.
Paskal Milo: Ka një tezë, që profesor Puto e mbron. Se Shqipëria në Luftën e Parë Botërore mbajti një pozitë asnjanëse, ndërkohë që Shqipëria ishte e pushtuar. A ka mundësi që një shtet të ketë pozitë asnjanëse dhe të jetë edhe i pushtuar? Është një tezë që ngre debat.
Arben Puto: Ju po më impononi një tezë që nuk e kam. Termi neutralitet u vendos nga Konferenca e Ambasadorëve, sipas së cilës, shteti shqiptar nuk do të përzihej në luftërat që eventualisht mund të shpërthenin. Por Fuqitë e Mëdha vetë e shkelën të parat këtë. Austro-Hungaria e shkeli, ajo ftoi Princ Vidin të merrte anën e Austro-Hungarisë në Luftën e Parë Botërore. Iku Vidi dhe Shqipëria u pushtua. Unë i jam përmbajtur kësaj teme, se ideja e pavarësisë shqiptare ka gjetur shprehje edhe në kushtet e pushtimit nga Fuqitë e Mëdha. Dhe një dukuri interesante është “Republika e Korçës”. Ne atë kohë, Korça ishte e pushtuar nga Franca dhe francezët e panë se aty nuk kishte as serbë, as grekë, por shqiptarë. Kështu, komandanti i Ushtrisë së Orientit, gjeneral Isaraj i tha Parisit “Mua më duhet të bëj luftën dhe nuk dua trazira në prapavijat e mia, ndaj kam vendosur të krijoj kontakte me popullsinë lokale”. Iniciativën këtu e merrte Themistokli Gërmenji, që shpalli autonominë e Korçës, e cila u quajt pastaj “Republika e Korçës”. Por kjo nismë e gjeneralit Isaraj u hodh poshtë nga Parisi dhe themeluesi i “Republikës së Korçës”, Themistokli Gërmenji, u dënua si spiun dhe u pushkatua.
R.Xhunga: Ndalojmë te përzënia e Vidit dhe kryengritja e Haxhi Qamilit…
Nevila Nika: Nga dokumentet origjinale që disponon Arkiva, të gjitha personalitetet e asaj kohe e dënojnë jashtëzakonisht kryengritjen e Haxhi Qamilit dhe japin të gjithë arsyetimet e dëmit që iu bë shtetit shqiptar. Ajo Lëvizje e tillë, në atë moment aq delikat, në një kohë kur Shqipëria po copëtohej, lëvizja për t’u kthyer prapa te Sulltani, ishte katastrofale.
Arben Puto: Kryengritja e fshatarësisë së Shqipërisë së Mesme ishte feudale, kishte karakter klasor. Fshatarësia ngrihet kundër bejlerëve. Kjo çështje ka qenë shumë e diskutuar edhe gjatë regjimit të mëparshëm. Instituti i Historisë e ka ndier veten në siklet se kjo kryengritje ishte klasore, por Enver Hoxha ka imponuar historinë e vet.
R.Xhunga: Rikthehemi te njohja e pavarësisë. Si na njohën Fuqitë e Mëdha?
Paskal Milo: Historia e shtetformimit të Shqipërisë nuk mund të kuptohet pa Konferencën e Paqes së Parisit dhe të gjithë atyre diskutimeve të pafund që u bënë midis Fuqive të Mëdha, që çoi më pas në aktin shpëtimtar të Presidentit të Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Uillson, në fundin e marsit 1920. Për të arritur deri në procesin e fillimit të njohjes së shtetit duhet patjetër të shohim periudhën e viteve 1918-1920 që është periudha më interesante e shtetit shqiptar, aq sa shteti shqiptar u vendos në pikëpyetje. Dhe në Konferencën e Parisit ka disa projekte për copëtimin e Shqipërisë.
Paskal Milo: Shqipërinë e Jugut e kërkonte Greqia, Shqipërinë e Veriut e kërkonte Mbretëria Serbo-Kroate-Sllovene, që kishte dy variante: variantin minimal deri në lumin Drin dhe variantin maksimal deri në lumin Mat. Me këto dy variante luftonte Serbia në atë kohë që të merrte edhe pjesën Veriore të Shqipërisë, ndërkohë që kishte marrë Kosovën me Traktatin e Fshehtë të Londrës dhe në bazë të kësaj po bëheshin të gjitha këto projekte. Mirëpo kontradiktat midis Italisë, e cila kërkonte shumë më tepër dhe vendeve të tjera evropiane, bëri që të kishte vonesa në këtë proces derisa u arrit kompromisi i famshëm anglo-franko-italian më 14 janar 1920, që e copëtonte Shqipërinë në baze të Traktatit të Fshehtë të Londrës. Veriun e merrte Serbia, Jugun e merrte Greqia dhe Italia do merrte më tepër një kujdestari mbi atë shtet të vogël shqiptar që do mbetej. Në Konferencën e Paqes së Parisit, ka pasur përpjekje të mëdha, qoftë nga qeveria e Durrësit që u krijua në 1918, qoftë nga shoqatat patriotike jashtë atdheut, qoftë edhe nga shqiptarët e Kosovës, të cilët me peticione të vazhdueshme, bënë përpjekje që Kosova të përfshihej në Shqipërinë e pavarur, që do të lindte pas Konferencës së Paqes të Parisit. Por Fuqitë e Mëdha dhe vendet fqinje, jo vetëm që nuk kishin ndërmend t’ia kthenin Kosovën Shqipërisë, përkundrazi, synonin ta copëtonin më keq atë. Dhe kjo që ndodhi në janar të vitit 1920 ishte kulmi i përpjekjeve për ta copëtuar Shqipërinë dhe desh arriti kjo, por vetëm ndërhyrja e Uillsonit me dy letra që i dërgoi Klemansoit dhe Lord Xhorxhit, kryeministrit anglez, ndaloi copëtimin e Shqipërisë.
R.Xhunga: Mund ta shpjegojmë rolin e tij? Pse e bëri?
Arben Puto: Unë dua të sqaroj rolin e Presidentit Uillson. Ai nuk e njihte çështjen shqiptare. Shtetet e Bashkuara të Amerikës nuk e kanë njohur çështjen shqiptare sepse kanë qenë larg problemeve të Evropës. Ata ndiqnin parimin e mospërzierjes në problemet e Evropës. E para herë që përzihen dhe vijnë në Evropë është Lufta e Parë Botërore dhe kur vjen Presidenti Uillson në Paris, në Konferencën e Paqes. Ai vjen me 14 pikat: vetëvendosjen e popullit, vendosja e kufijve jo sipas metodave të vjetra, por në bazë të vetëvendosjes, të shprehjes së vullnetit të lirë të popullit. Në këtë kuptim, ai kundërshtoi rreptësisht pretendimet e Italisë për të marrë disa krahina që kanë qenë të Austro-Hungarisë dhe që ishin me popullsi sllave./dritare.net

Related

Top Lajm 3436551204115902923

Arkivi

Kontakt

Name

Email *

Message *

STUDJESA PETROL

item