Misteret e trurit të gjeniut Leonardo da Vinçit

Si funksionon vërtetë truri i njeriut? Si i përpunon informacionet nga mjedisi rrethues? Për t’iu përgjigjur këtyre pyetjeve, shkencët...


Si funksionon vërtetë truri i njeriut? Si i përpunon informacionet nga mjedisi rrethues? Për t’iu përgjigjur këtyre pyetjeve, shkencëtari amerikan Leonard Shlain, kirurg, shkrimtar dhe shpikës, ka shfrytëzuar përvojën e tij si specialist në kirurgjinë e përgjithshme dhe të enëve të gjakut, duke marrë si model referimi mendjen e një prej figurave më të jashtëzakonshme të të gjitha kohërave: atë të Leonardo da Vinçit, interesat e të cilit shtriheshin, nga bota e artit tek ajo e shkencës.
Ky simbol i gjenialitetit shkëlqeu si piktor, inxhinier, gjeolog, filozof, dijetar i anatomisë, shkrimtar, por ai ishte gjithashtu një këngëtar i realizuar, balerin i mirë dhe kuzhinier me përvojë.
Shpikjet e tij u bënë realitet, disa shekuj pas vdekjes së tij: aeroplani, helikopteri, makina llogaritëse, mitralozi, tanku janë të gjitha të pranishme në faqet e fletoreve të tij. Këto rezultate janë me të vërtetë të jashtëzakonshme, po të kemi parasysh se Leonardo e kishte të kufizuar arsimin bazë, dhe, siç tregohet nga listat e fjalëve në fletoret e tij të shënimeve, ai e mësoi latinishten si autodidakt, rreth moshës 40 vjeç.
I magjepsur nga misteri i këtyre aftësive të larmishme, Shlain i ka analizuar ato për të hedhur hipoteza interesante, si për potencialin e mendjes tonë, ashtu edhe mbi të ardhmen e specieve njerëzore.

Një mënyrë unike e të menduarit
Shkencëtari e ka orientuar interesin e tij, në një tipar të veçantë të trurit tonë: ndarjen e funksioneve mes dy hemisferat cerebrale.
Sipas Shlain, shumë mistere të njeriut e kanë origjinën tek ky dualitet, i cili duket se ka gjetur shprehjen më të lartë tek gjeniu toskan. Mënyra e tij unike për të marrë shënime, një përzierje reflektimesh, skicash, mesazhesh të fshehura, listash me gjëra që duhen bërë, tregon se me mënyrën e tij të të menduarit, Leonardo përdorte njëkohësisht të dy zonat e trurit.
“Çuditë e dorëshkrimit të tij”, thotë Shlain “na bëjnë të besojmë se në trurin e tij, nuk ishte funksional modeli tradicional i dominimit të një hemisferë cerebrale mbi tjetrën”.
Sipas studimeve të shkencëtarit, kjo tregon se Leonardo zotëronte aftësi tepër të rralla njohëse, që e lejonin atë të shihte, mendonte, shkruante dhe përfytyronte, në mënyra që nuk ishin parë, as më herët, as më pas. E dëshmojnë fletoret e tij të shënimeve, në të cilat skicimi dhe shkrimi bashkëjetojnë, për të përforcuar mënyrën e tij të të menduarit në terma universale, si një përzierje e artit dhe shkencës.
“Kishte aftësinë për të vënë në veprim mënyra të ndryshme të të menduarit. Ky tipar e ka bërë Leonardon, individin më krijues të historisë”.

Super ndërlidhje mes hemisferave
Por, cila pjesë e trurit prodhon krijimtarinë? “Vetë aftësia e Homo sapiens për zgjidhjen e problemeve në mënyrë inovative”, shpjegon Shlain, “është e bazuar në dy hemisfera cerebrale që veprojnë në bashkërendim mes tyre, në sajë të të ashtuquajturës callosum corpus, grupi i fibrave nervore që lidh ato.
Hemisfera dominuese, e cila kontrollon gjuhën dhe operacionet logjike, është e majta: e aftë për të na bërë të flasim, të abstragojmë dhe të kryejmë veprime aritmetike. Shkurt, ajo që na bën të ndryshëm nga kafshët. Një sasi e konsiderueshme studimesh, megjithatë, tregon se më e rëndësishme për krijimtarinë e vërtetë është hemisfera e dytë, pra e djathta. Eshtë kjo hemisferë që na bën me të vërtetë njerëzorë, të aftë për të bërë abstraksione, për të krijuar art dhe muzikë, fantazuar për të ardhmen dhe për të pasur një vizion global të asaj që na rrethon”.
Hapi i parë i një procesi krijues ndodh kur hemisfera e djathtë vihet në alarm nga një ngjarje e pazakontë, një gjë e çuditshme.
Sipas një “procedure” misterioze, hemisfera e majtë nis që të bëjë pyetje. “Pyetjet”, thotë Shlain “janë forca e Homo sapiens, specia e vetme që ngre pyetje dhe, akoma më e mahnitshme, e vetmja që diskuton përgjigjet”. Si një urë mbi një lumë, e cila lidh dy qytete të mëdha, është corpus callosum që vendos këto lloje lidhjesh.
Për Shlain kjo strukturë e fuqishme është çelësi për shpjegimin e eklektizmit të jashtëzakonshëm artist-shkencëtar të Leonardos. Gjithë sa dimë për Leonardon, duke filluar nga fakti që shkruante dhe punonte me të dyja duart, që kishte një aftësi të mahnitshme për të krijuar harta të vendeve që s’ishin parë kurrë, që ishte njëkohësisht shkencëtar, artist dhe muzikant, sugjeron se truri i tij kishte një anatomi të veçantë.
Corpus callosum i tij, në mënyrë të veçantë, duhej të ishte aq i zhvilluar, sa të krijonte super lidhje mes dy hemisferave. “Është e mundur,” thotë Shlain, “që Leonardo të ketë patur qasje në një gjendje të vetëdijes, cilësisht të ndryshme nga ajo e të gjitha qenieve të tjera njerëzore. Kjo shpjegon pjesërisht njohuritë dhe qëndrimet e tij shpirtërore: si për shembull kundërvënia filozofike ndaj ngrënies së mishit, apo konceptimi i Tokës si një organizëm i gjallë gjigand”.
Veçantia e trurit të tij, e cila ende magjeps komunitetin shkencor, shtyn gjithashtu për të reflektuar mbi domethënien e vetë evolucionit njerëzor si specie e ndërgjegjshme.
E ardhmja e species njerëzore
Pse, pyeti Shlain, jetojmë në një univers që e bën të mundur për ne të ngremë pyetjen: Pse jemi këtu? Pse kemi një tru që duket kaq jashtëzakonisht kompleks, dhe shumë më i zhvilluar, se sa na nevojitej për të jetuar në savanë?
Një teori, e quajtur parimi antropik thotë se ne jetojmë në një univers i cili në fakt lejon jetën ashtu siç ne e njohim.
Po çfarë e ardhmeje na pret?
Duke pasur parasysh veçantinë e çdo hapi të evolucionit, është e vështirë për mendjen e njeriut që të imagjinojë se cili do të jetë hapi i ardhshëm. Është vlerësuar se ekzistenca në jetë e një specie superiore varion nga një milion në 1.2 milion vjet, përpara se të zhduket, ose të mbërrijë në tranzicionin drejt një specie të re.
Homo sapiens ka një moshë midis 200 mijë e 150 mijë vjet, që do të thotë se është ende në “adoleshencë”, një periudhë në të cilën fiziologjia mund të përjetojë ndryshime më të shpejta. “Përveç kësaj,” thotë Shlain “ndërsa në të gjitha fushat rritet përdorimi i makinave të llojeve të ndryshme, është e mundur që teoria e seleksionimit natyror si e përshkruan Darvini, të rishikohet. Shpejtësia me të cilën ndodh progresi të lë pa frymë. Ndoshta nuk është larg dita kur njeriu do të transformohet në një cyborg”. / Airone –Bota.al

Related

Top Lajm 2787736314532523375

Arkivi

Kontakt

Name

Email *

Message *

STUDJESA PETROL

item