S­hqipëria dhe shqiptarët në Europën e Skënderbeut

Vepra studimore shkencore “Shqipëria dhe Shqiptarët në Europën e Piu II”, e autorit me emër të fushës historike dhe antropologjike Aur...


Vepra studimore shkencore “Shqipëria dhe Shqiptarët në Europën e Piu II”, e autorit me emër të fushës historike dhe antropologjike Aurel Plasari, përbën një analizë të hollësishme rreth historisë së dallimeve, ngjizjes dhe konstituimit të diferencës së Europës, si dhe kontributeve me jetë që Shqipëria, asokohe Arbëria, dha për mbrojtjen dhe vijimin e principit të saj, të cilat do të linin gjurmë historike, së brendshmi dhe së jashtmi, për Shqipërinë edhe për Europën.
Nga Dr. Mimoza Ahmeti
Vepra studimore shkencore “Shqipëria dhe Shqiptarët në Europën e Piu II”, e autorit me emër të fushës historike dhe antropologjike Aurel Plasari, përbën një analizë të hollësishme rreth historisë së dallimeve, ngjizjes dhe konstituimit të diferencës së Europës, si dhe kontributeve me jetë që Shqipëria, asokohe Arbëria, dha për mbrojtjen dhe vijimin e principit të saj, të cilat do të linin gjurmë historike, së brendshmi dhe së jashtmi, për Shqipërinë edhe për Europën.
Një metodë përqasjeje e matur, delikate, rrethuese, shoqëron procesin e dallimit të figurave që krijohen përgjatë një zhvillimi paralel midis jetës dhe personalitetit të humanistit Enea Silvio, karrierës së tij të paparashikuar si Papë, rrezikut kundrejt asimilimit shpirtëror e religjioz të kulturës së Europës nga dyndjet turke, dhe njëherësh forcimi, intensifikimi dhe konstituimi i elementit kuptimor legal për veprim, prej nevoje e domosdoje, të gjitha këto, për fat të mirë, sjellë me aq shumë lëndë që hedh dritë në përzierjet e fushave, zanafillat e turbullta ose të mbivendosura historike, drejt precipitimesh ndarëse të kthjellëta.
Përgjatë historisë së opinioneve përcaktuese si Europë dhe të tjerë, dhe kundërdallimit që ndoshta fillon e kristalizohet me Aristotelin në reflektimet e tij rreth frymës së lirë dhe asaj të despotizmit, ku ai sigurisht parapëlqen të parën dhe vë në dukje epërsinë e saj, do të kemi pikërisht këtë lloj përcaktimi për evropianët, si ka cituar Plasari: “Popujt që banojnë në klimë të ftohtë dhe në Europë janë gjithë guxim, por të metë për nga mençuria dhe aftësia për arte, prandaj jetojnë aq të lirë, por nuk kanë organizim politik dhe nuk janë në gjendje të sundojnë të tjerët. Popujt e Azisë, përkundrazi, kanë natyrë të mençur dhe aftësi, porse u mungon guximi, prandaj jetojnë vazhdimisht në gjendje nënshtrimi e robërie. Helenët, nga ana e tyre, duke qenë që gjeografikisht kanë pozicionin midis, kanë pjesë nga karakteri i të dyve, sepse në të vërtetë kanë edhe guxim edhe mençuri, prandaj jetojnë vazhdimisht të lirë, kanë institucionet më të mira politike se të gjithë të tjerët dhe po ta mbërrinin unitetin kushtetues, edhe mundësi për t´i sunduar të gjithë”.
Substanca që dallon Europën nga ajo e kulturave të tjera shfaqet si një vijim i kulturës së lashtë Greke që u përthith prej Romës, e cila duke pushtuar Greqinë pushtoi veten, sikurse është thënë, pasi nuk mundi t´i rezistojë ontologjisë së saj dhe lirive të mendimit e të veprimit që buronin prej themelimit të shtetit  Athinas prej vetes, shtet që i përjetonte ato liri si natyrë dhe jo si kopje. Plasari thotë për këtë: “Fakti që, së paku prej Plinit romak, epërsia e Europës kishte filluar të lidhej me epërsinë e romakëve, dëshmon që kundërvënia mes shpirtit “europian” dhe shpirtit “aziatik” të ketë funksionuar si trashëgimi që Grekët ia transmetuan Perëndimit, pavarësisht metamorfozave që kjo trashëgimi do të pësonte përgjatë shekujve.”
Konceptin e filtruar të një Europe politike autori e takon në ndarjen e Perandorisë Romake në dysh: “Ndarja e perandorisë Romake në dysh, në “Lindje” dhe “Perëndim”, do t´i jepte shkas shfaqjes, qoftë edhe të nënkuptuar, të konceptit të një Europe politike; ai do të lidhej me idenë e shqetësimit të unitetit perandorak mes Perëndimit e Lindjes, tanimë dy gjysma që vinin duke u dalluar si nga pikënisja gjeografike, ashtu edhe administrativisht”. Pika e kthesës që përcaktoi daljen nga përgjumja dhe ëndërrimi latent i europianëve, me sa duket, ishte rënia e Kostandinopojës që ndryshoi faqen e lirive spontane europiane në ato rendore, sistemike, legale, të intensifikuara tashmë nga kufijtë logjikë nëpërmjet besimit dhe riorganizimit, por edhe prej betejash të përgjakshme që do të ndërkalleshin drejt Ballkanit dhe Europës në rezistencë kundër pushtimit osman.
Hapi fillestar i zgjimit të ndërgjegjes kolektive ishe kuptimi i një identiteti të përbashkët, të latinëve dhe bizantinëve, pikërisht pas rënies së Kostandinopojës, mbrojtja e të cilit kërkonte bashkim.  Plasari thotë: ”Që rënia e Kostandinopojës ndikoi në krijimin e një koncepti të ri mbi Europën, posaçërisht në raportin Lindje / Perëndim, për këtë historishkruesit e kontinentit janë pothuajse të një mendjeje. Katastrofa e Kostandinopojës kishte ndihmuar të kuptohej se tendosja mes Lindjes dhe Perëndimit, mes “latinëve” dhe “bizantinëve”, kishte qenë sherr brenda një familjeje, duke qenë se si “latinët” dhe “bizantinët” jo vetëm i përkisnin gjeografikisht dhe historikisht kontinentit europian, por qenë vijues të trashëgimisë dyfishe mbi të cilën ngrihej Europa e tyre: asaj judeokristiane dhe asaj grekoromake”.
Nëse para kësaj ngjarjeje Europa e shihte veten të shtrirë deri në Azi dhe Afrikë, tanimë ajo ishte goditur “në sanktuarin e Krishterimit” siç e quan Enea Silvio, i cili në librin “De constandinopolitana clade” vëren: “ Në të kaluarën u patëm goditur në Azi dhe në Afrikë, pra në tokën e tjetërkujt, ndërsa tani jemi goditur dhe mundur në Europë, pra në vetë atdheun tonë, në shtëpinë tonë, në banesën tonë”.
Pavarësisht sipërfaqes së ngjarjeve, ajo që të bën përshtypje përgjatë zhvillimeve strukturore është se Europa vjen si brendim dhe amplifikim në koncept, statuse, institucione, aksion deri unifikim, në akselerim e finalizim në marrëdhënie me kundërshtarin. Kështu intrinsic-u Europë është forcuar e definuar pikërisht me këtë raport, i cili në njëfarë mënyre përfaqëson edhe definimin e anës tjetër, që ndoshta në një mënyrë individuale, në jetën e secilit, do të përkthehej si raporti i së tërës me individualitetin. Është pikërisht ky moment që nxjerr popujt e Europës Juglindore në evidencën e hollësishme të burimeve europiane dhe që e shtyn Enea Sivion të merret personalisht me njohjen dhe inventarizimin e potencialeve të tyre, pasi ata do të jenë aleatët dhe fronti i parë i rezistencës. Me përfshirjen në rezistencë të kësaj zone edhe Arbëria do të dilte nga gjendja natyrale mesjetare drejt organizimesh të intensifikuara social- luftarake, për mbrojtjen e trojeve dhe të mënyrës së internalizimit të botës. Siç ve në dukje Plasari “Pozicioni i Gjergj Kastriotit dhe i Arbërve të tij në politikën europiane do të mbërrinte, mund të thuhet, pikën e vet kulmore gjatë periudhës së papnimit të Piu II, 1458-1464, duke llogaritur vdekjen në qershor 1458 të aleatit të fuqishëm të Skënderbeut, mbretit Alfons V”. Duke cituar Parrinon autori shton fjalët e këtij të fundit: “Pas këtij çasti figura e Skënderbeut për gjithë kohën e Piut II ngrihej përmbi gjithë Europën dhe personifikon flamurin e saj”.
Kundrejt eliminimit të përçarjeve, në politikën arbnore të kohës, vihet re prirja centralizuese, si në rastin e marrëdhënieve konfliktuale me Dukagjinët, për të përballuar ekspeditat osmane. Në njëfarë mënyre horizonti i kësaj lufte nxjerr konturimet paraprake të shteteve të ardhshme moderne dhe shërben si fekondim për procesimin drejt tyre. Shkishërimi shfaqet si sanksion për ata prijës që krijonin përçarje dhe kisha sanksiononte ashtu si më vonë do ta merrte përsipër ta bënte ligji civil.
Nga një pikëpamje, historia e kësaj përplasjeje mes mënyrave të ndryshme të qenies, është edhe një hap tjetër daljeje nga format divine të ligjit, në ato tokësore e laike, të përcaktimit të lirive dhe detyrave, duke kaluar nga religjioni drejt civilizimit ose “religjionit civil”, siç e quan Luhmnn.
Lëvizje a madhe për të takuar dhe kordinuar veprimet ushtarake dhe strategjinë, me princat europianë, për t´i bashkuar rreth një ideali, u iniciua, por dhe u ndoq hap pas hapi, nga Enea Silvio nën petkun e papës, me një fuqi mbinjeriu në një trup shëndetlig. Zgjimi i botëkuptimit si integritet religjioz u shoqërua me një seri marrëveshjesh kontraktuale. Ato kishin si strategji të mbronin mënyra operacionale të caktuara por, me atë rast, intensifikonin konektivitetin dhe përsosnin vetë ato, mënyrat, nëpërmjet riorganizimit. Bien në sy një seri kontratash të aleatëve europianë, në të njëjtën kohë edhe me Skënderbeun dhe Arbërinë, të cilat në mënyrë legale shprehin hapësirën evropiane, edhe pse mbrojtëse, të kontraktuar, kundrejt invadimit virulent. Plasari thotë: “Në këto përgatitje e sipër për të përvijuar frontin e kryqëzatës Piu II ia delte të përforconte edhe më Besëlidhjen Italike me marrëveshje të reja (…) marrëveshje mes Skënderbeut dhe Republikës së Venedikut nëpërmjet traktativash të filluara në gusht (…) marrëveshje mes Republikës së Venedikut dhe mbretërisë së Hungarisë, po në shtator të vitit 1463, marrëveshje mes dukës së Milanit, dukës së Burgundit, Republikës së Venedikut dhe vetë shtetit papnor në tetor 1463”. Martin Muzaka mbante mandatin si prokurator i posaçëm i Skënderbeut, i përzgjedhur për të mbajtur marrëdhëniet diplomatike me Papën dhe Kolegjin e Kardinalëve. Vetë Papa kishte hartuar planin për t´u nisur në Arbëri me idenë për të zbritur në Durrës, ndërsa, siç tregon Barleti, arbnit prisnin që ai do ta kurorëzonte Skënderbeun “mbret” duke i vënë kurorën në katedralen e Durrësit. Këto procedura dhe formalitete tregojnë për standarde politike e diplomatike të larta, për lëndë kuptimore të përafërt në përqasjen ndaj botës mes Arbërisë dhe Europës, për marrëveshje proceduriale me konsens palësh që e njohin njëra-tjetrën si pjesë dhe jo si përjashtim, shenja këto të një natyre europiane dhe të lirë të qenies arbnore të asaj kohe.
Libri përmban citime, pjesë letërkëmbimesh, akte dokumentare burimore etj., të cilat rrjedhin natyrshëm në funksion të idesë për të rindërtuar një pjesë historie arbnore dhe europiane deri më parë të parindërtuar, duke nxitur lexuesin për ta përfytyruar pothuajse me ngjyra dhe detaje panoragramën europiane dhe arbërore në aktin e unifikimit për mbrojtjen e autenticitetit dhe fuqizimin e vetëdijes kundër riskut të robërimit.
Një lexuesi të sprovuar me leximin e teksteve të tilla kulturologjike nuk mund të mos i bierë në sy stratifikimi, diferencimi dhe krijimi i zonave politikisht të dallueshme me këtë lëvizje shekullore historike, e cila vetëm sa fillon me religjion për të përfunduar me kombe e shtete më pas. Ndoshta kjo luftë në fundin e Mesjetës ishte një hap i fuqishëm kapërcyes drejt globalizmit dhe përplasjes së botëkuptimeve për unifikim. Mund të duket e pabesueshme, por ekzistenca e Europës është e trajtuar me emblemën e Kastriotëve.  Epifania, ky term ambig i cituar nga Fallermayer, për ngritjen e Arbënve në Europën Juglindore, deri në Napoli duke mbështetur me trupa e luftime, në një kontekst më të gjerë përbën një gjendje kthjellimi, si me thënë: veprim rinovues.
E çuditshme është dhe ndoshta prandaj historia mbetet paradoks, se Enea Silvio e kishte përfshirë Turqinë në konceptin e tij paraprak të Europës. Ai e rreshtonte popullin turk midis popujve të tjerë të bashkësisë Europiane. Rrallë mund të gjesh në letrat shqipe një studiues skrupuloz, rendues, aspak të dhënë pas pasionesh anuese përgjatë interpretimi, dhe në të njëjtën kohë kaq të përkushtuar sa ndaj kulturës historike, aq edhe ndaj gjuhës shqipe dhe pastërtisë magjike të fjalë së saj, si Plasari, teksteve të tilla humaniste. Të puqur në një libër për Arbërinë dhe Europën, humanisti i madh Enea Silvio Piccolomini dhe Gjergj Kastrioti Skënderbeu konfigurojnë së bashku një histori me lexim të veçantë aktual të humanizmit europian dhe arbnor, të atij humanizmi që gabimisht duket si  diçka e vjetër dhe e depozituar në magazinat e së kaluarës, si një lëvizje që, me të mbaruar, është varrosur tok me termin humanizëm. Libri i Aurel Plasarit për Arbërinë dhe Europën e Skënderbeut, siç do të parapëlqeja ta emërtoja, është dëshmi që humanizmi ka për shoqëritë e sotme edhe një kuptim të gjallë, si shprehje e nevojshme e njeriut për t’u thelluar e reflektuar, sepse vetëm kështu, me kulturë restaurimi, zhvillohet bashkëjetesa, rritet bonsensi. Botimi është i shkëlqyer. Mund të thosha se ky libër i përket thesarit të kulturës ndërkombëtare  historike dhe më gjerë.

Related

Top Lajm 2776211909999320468

Arkivi

Kontakt

Name

Email *

Message *

STUDJESA PETROL

item