Ballina Aktualitet Revolucion në Parlamentin britanik… deputetët mund të paraqiten pa kravatë!

Revolucion në Parlamentin britanik… deputetët mund të paraqiten pa kravatë!

SHPËRNDAJE

Në Parlamentin britanik ka ndodhur një revolucion i vogël që filloi të enjten, ku deputetët nuk kanë më si detyrim të mbajnë kravatë gjatë seancave.

Sigurisht, që asnjë rregullore e mëparshme nuk impononte zyrtarisht mbajtjen e kravatës, por zakoni kërkonte që deputetët të mbanin patjetër këtë aksesor, ashtu sikurse e kërkon edhe rregullorja e sjelljes dhe e mirësjelljes e Dhomës së Komuneve.

“Nuk ekziston një kod veshjeje i përcaktuar në detaj. Zakoni kërkon që meshkujt të mbajnë xhaketë dhe kravatë, një nivel i ngjashëm formaliteti duhet mbajtur edhe nga femrat”, shpjegon rregullorja në fjalë.

I takon “Speaker”-it, ekuivalenti i kryetarit të Kuvendit të Shqipërisë, mbarvajtja e politikës së modës dhe të përcaktojë sipas rastit rregulla të reja veshjeje.

Ky mini revolucion ndodhi të enjten, pas një shkëndije të ndezur një ditë më parë nga deputeti i Partisë Liberaldemokrate (qendër), Tom Brake, që kishte ardhur pa kravatë.

“Nuk jam një person që diskuton për modën por vura re dje se një i zgjedhur pa kravatë u lejua t’i bënte pyetje Dhomës”, theksoi të enjten deputeti konservator, Peter Bone.

“Mos kanë ndryshuar gjë rregullat?”, pyeti ai “Speaker”-in e Parlamentit, John Bercow.

“Më duket se duke u nisur nga fakti që një deputet paraqitet në Dhomë me atë që ne mund të konsiderojmë një veshje e qytetëruar, çështja për të ditur nëse mban apo jo një kravatë nuk është më thelbësore”, u përgjigj Bercow.

“A mund t’i tërheq vëmendjen një deputeti thjesht sepse nuk mban kravatë? Jo”, tha ai.

“A e konsideroj unë të rëndësishme që një deputet të mbajë një kravatë? Jo”, insistoi Kryetari i Parlamentit, që këtë vit hoqi gjithashtu detyrimin e parukes për zyrtarët e Parlamentit.

Ky kod i ri i veshjes prek gjithashtu edhe gazetarët politikë, ku disave prej tyre u është refuzuar hyrja në galerinë e medias në Parlament sepse ishin paraqitur pa kravatë.

Por kjo risi ka bërë shumë jehonë edhe ne median britanike duke e pritur me reagime të ndryshme.

“Cila është faza tjetër? Deputetë me shapka dhe pantallona të shkurtra?”, shkruan i irrituar në profilin e tij “Twitter” Christopher Hope, gazetar i të përditshmes konservatore “The Telegraph”.

Nga ana tjetër, Matt Dathan, i tabloidit “The Sun”, përshëndeti një Parlament që “më në fund del nga shekulli i XIX”./atsh