Ballina Bota Zgjedhjet në SHBA, gruaja luftëtare përballë biznesmenit epik

Zgjedhjet në SHBA, gruaja luftëtare përballë biznesmenit epik

SHPËRNDAJE

Klinton-Tramp do të mbahet mend si një ndër fushatat më të nxehta elektorale në Shtetet e Bashkuara. Nesër kjo betejë do të marrë fund dhe njëri prej tyre do t’i drejtohet shtëpisë më të rëndësishme të Uashingtonit. Po cilët janë kandidatët për presidentë? “Zëri i Amerikës” ka ndërtuar profilet e secilit kandidat.

Hillari Klinton

Hillari Klinton ka hyrë në histori shumë herë – më së fundi si gruaja e parë që ka fituar emërimin për kandidate për presidente nga një parti kryesore në Amerikë. Por a do t’ia arrijë ish-Zonja e Parë, senatorja dhe sekretarja e Shtetit, të bëhet edhe presidente? Si mbështetësit e saj, edhe të Donald Tramp-i, pajtohen se ajo është luftëtare.

Hillari Klinton hyri në histori korrikun e kaluar, si gruaja e parë kandidate për presidente nga një parti kryesore. “Unë e pranoj emërimin tuaj për presidente të Shteteve të Bashkuara”, tha ajo.

Gjatë gjithë jetës së saj, 69-vjeçarja Klinton ka patur plot “herë të para”. Në Kolegjin “Wellesley” në vitin 1969, ajo ishte studentja e parë që mbajti fjalim gjatë ceremonisë së diplomimit. Në juridik në universitetin “Yale”, ajo u takua me Bill Klintonin. Ata u martuan dhe u bënë prindër të vajzës Chelsea. Bill Klintoni u zgjodh president në vitin 1992. Hillari Rodham Klinton nuk e pranoi rolin tradicional të një Zonje të Parë dhe qëndroi aktive në politikë.

Gazetari Ron Fournier ka mbuluar çiftin Klinton gjatë gjithë karrierës së tyre. “Ajo e dinte se cili ishte plani afatgjatë për ta politikisht dhe e mbajti vëmendjen aty”, thotë ai.

Por ata i ndiqte polemika. Historitë e vazhdueshme të tradhtive të Presidentit Klinton arritën kulmin me skandalin e Monica Levinskit. Zonja e Parë u hetua në atë kohë. Publiku u bë skeptik, thotë Stephen Uayne në Universitetin “Georgetown”. “Ka një numër njerëzish që nuk mendojnë se ajo është e sinqertë apo e besueshme”, thotë ai.

Por, prapë Hillari Klinton hyri në histori në vitin 2001, si e para zonjë e parë që zgjidhej në një post politik, si senatore e shtetit të Nju-Jorkut. Ajo votoi për luftën në Irak në vitin 2003 dhe për Aktin e Reformës së Emigracionit në vitin 2007. “Ne kemi nevojë për reforma gjithëpërfshirëse të imigracionit, me mundësi për nënshtetësinë,” tha ajo.

Presidenti Obama emëroi ish-rivalen e tij si sekretare Shteti. Zonja Klinton udhëtoi në 112 vende gjatë atij posti – numri më i madh për një Sekretar Shteti. Por, ajo u kritikua për sulmin e një ndërtese diplomatike në Bengazi të Libisë, ku u vranë katër amerikanë.

Gjatë garës presidenciale të këtij viti, atë e ka munduar një tjetër skandal, për të cilin ende flitet. Në vitin 2015, doli lajmi se zonja Klinton mund të ketë përdorur një server privat e-maili për leximin e informacioneve sekrete qeveritare. Por pas hetimesh, FBI-ja tha se ajo ishte e pafajshme. “Asnjë prokuror i arsyeshëm nuk do ta hapte një çështje të tillë”, tha ajo.

Por, dhjetë ditë para zgjedhjeve, drejtori i FBI-së, James Comey, njoftoi zbulimin e disa e-maileve të tjera që ai tha se janë të rëndësishme mbi hetimin. Skandali i email-eve është sfida e saj e madhe për të kapërcyer, që të arrijë të bëhet e para presidente grua.

Donald Tramp

Biznesmeni dhe personaliteti popullor, Donald Tramp, është një kandidat i pazakontë për president të Shteteve të Bashkuara. “Zëri i Amerikës” shqyrton arsyet pse dhe mënyrën si u bë ai kandidati i Partisë Republikane.

Në fillimet e kandidaturës së zorshme të tij në Partinë Republikane, në muajin qershor një biznesmen që nuk ka patur kurrë poste publike, njoftoi se synonte Shtëpinë e Bardhë. “Po kandidoj zyrtarisht për president i SHBA-së dhe do ta bëjmë vendin tonë sërish madhështor”, tha ai.

I lindur në Queens të Nju-Jorkut, zoti Tramp u rrit në një familje të pasur dhe babai i tij, i cili merrej me pronat e patundshme, ishte një influencë thelbësore. “Babai i tij ishte shumë autoritar, kërkues dhe drejtues. Donaldi sigurisht që mori këto tipare dhe karakteristika”, thotë politologu Bart Rossi.

I riu Tramp e kërkoi suksesin në botën e rrezikshme të pronave të patundshme në Manhattan. Gjatë karrierës së tij pati arritje të larta, si ngritja e kullës së spikatur “Trump” dhe shfaqi talent në mediat, gjë që do ta ndihmonte më vonë gjatë fushatës. “Të bësh biznes në Nju-Jork duhet të jesh një person shumë i fortë, shumë i motivuar dhe ai është pikërisht biznesmen Nju-Jorku”, thotë juristi Eduard Mermelstein.

Ai pati edhe dështime të dukshme, kazino që falimentuan dhe një rënie të pasurisë së tij prej një krize në pronat e patundshme.

Me tre martesa, dy divorce dhe pesë fëmijë që luajtën rol kyç në fushatë, jeta personale e zotit Tramp ka marrë po aq vëmendje, sa edhe veprimtaria e tij e biznesit. Por, ai rifitoi terren në vitet 2000 me një spektakël televiziv dhe me një zë në skenën politike, kur pretendoi se Presidenti Obama nuk kishte lindur në Shtetet e Bashkuara.

Këtë ai e mohoi më vonë gjatë fushatës së tij. “Këtë tezë e filloi Hillari Klinton dhe fushata e saj e 2008-ës. Unë e përfundova”, tha Tramp.

Zoti Trump fitoi ndaj 16 kandidatëve republikanë nëpërmjet një mesazhi që reflektonte shqetësimet e votuesve. “Ai preku frikat që ekzistonin prej kohësh”, thotë bashkautori i një biografie mbi Trampin. Por, ai edhe testoi në maksimum me komentet ndaj meksikanëve. “Sjellin droga. Sjellin krim. Janë përdhunues”, tha Tramp. Si dhe me fenë… “Donald Tramp bën thirrje për një ndalim të plotë të hyrjes së myslimanëve në SHBA, derisa përfaqësuesit tanë të kuptojnë se ç’po ndodh”, shprehet zoti Tramp.

Biznesmeni epik, me një sjellje të stuhishme, i dha vetes një titull të ri që shpreson se do t’i japë fitoren ditën e zgjedhjeve – emërtimin “politikan popullor”. “Unë jam me ju. Do të luftoj për ju dhe do të fitoj për ju”, zotohet zoti Tramp.