Ballina Aktualitet (VIDEO) BESA DHE RDK PUBLIKUAN LISTAT E KANDIDATËVE

(VIDEO) BESA DHE RDK PUBLIKUAN LISTAT E KANDIDATËVE

SHPËRNDAJE

Lëvizja BESA në koalicion me RDK-në kanë publikuar emrat e kandidatëve për deputetë me të cilët do të garojnë në zgjedhjet e 11dhjetorit.

Njësinë e parë do ta kryesojë nënkryetari i Lëvizjes Besa Zeqirija Ibrahimi. Pas Zeqirija Ibrahimit radhiten, Rexhep Memedi dhe Mevlude Gjureci.

Njësia zgjedhore numër dy do të udhëhiqet nga Afrim Gashi, pas tij radhitet Admirim Aliti nga Lëvizja Besa dhe Rexhije Xheladini nga RDK-ja.

Në njësinë e pestë bartës liste do jetë nënkryetari tjetër i Besës Arben Labënishti i pasuar nga Agim Beqiroski dhe Bleta Ziba nga Rilindja Demokratike.

Dhe në njësinë e gjashtë i pari do të dalë kryetar i Besës Bilall Kasami, pas tij kreu i RDK-së Fadil Zendeli, dhe Teuta Bilalli nga partia e Zendelit.

Besa nuk do të garojë në njësitë tre dhe shtatë respektivisht në diasporë pasi siç thonë, nuk mund të bëjnë betejë serioze prandaj kanë vendosu të mos kandidohen fare.

Kryetari i Besës Bilall Kasami dhe i RDK-së Fadil Zendeli shprehën bindjen për sukses të këtyre listave në zgjedhjet e parakohshme duke thënë se tani shqiptarët mund të votojnë për opsion të mirë ose të keq e jo të zgjedhin një opsion prej dy më të këqijave.

“Tashmë shqiptarët kanë një ofertë të vërtetë politike. Ofertë e cila do të rinisë ose rilind çështjen shqiptare këtu në Maqedoni ashtu siç ne pretentojmë. Duke e dhënë besën dhe duke e marrë besën prej shqiptarëve. Rilindje me Besë është një koalicion i intelektualëve shqiptarë, një rini intelektuale e cila para së gjithash e ka çështjen shqiptare këtu në Maqedoni”, deklaroi Kasami.

“Shpresoj se kemi ofruar një listë cilësore, ashtu siç tha kryetari i Lëvizjes Besa. Bëhet fjalë për kuadro intelektuale me perspektivë të mirëfilltë. Kuadro të cilat nuk bartin në vete njolla të zeza. Kuadro të cilat me të vërtetë shqiptarëve mund tua ofrojnë një shpresë, një ndryshi. Kuadro që deri tani në profesionet e veta kanë dëshmuar se janë me dinjitet”, tha Zendeli.

Nga kjo parti kujtuan se nëse fitojnë besimin në zgjedhje do të synojnë integrimin në BE,mirëqenien për qytetarët, lirinë e mediave, evaluimin e MO-së dhe ridedinimin juridiko-kushtetues të shtetit.

Ferikan Iljazi Arifi /SHENJA/