Ballina Bota SHBA/ Kur ndërrimi i pushtetit kthehet në telash!

SHBA/ Kur ndërrimi i pushtetit kthehet në telash!

SHPËRNDAJE

Periudha mes të martës së parë të nëntorit dhe 20 janarit mund të jetë e pabesë për një komandant të përgjithshëm në mbërritje, dhe historia është e mbushur me polemika – që nga drama për të emëruar radioaktivë në kabinet, tek rrëfime për hakmarrje politike, vandalizëm dhe vjedhje të mjera. “Muajt e parë janë kaq të rëndësishëm”, ka thënë veterani i Shtëpisë së Bardhë David Gergen “sepse atëherë ke më shumë autoritet, por njëkohësisht edhe më pak kapacitet për të marrë vendimet e duhur”. Ja një histori e shkurtër e disa prej tranzicioneve presidencialë më të vështirë:

 

2000-2001

Kur George W. Bush mori detyrën në 2001, ai synoi që të bëjë një ndarje të qartë nga të gjithë gjërat që mbanin emrin Klinton. Mëria, pjesa më e madhe e të cilës buronte nga rinumërimi i votave në Florida, si dhe nga vendimi i Gjykatës së Lartë në çështjen Bush-Gore shkoi me sa duket në dy drejtime. Zëra për vandalizma në zyra dhe vjedhje arritën të depërtojnë deri tek media, shumë shpejt pasi ekipi i Bushit erdhi në Shtëpinë e Bardhë.

Një audit i Shërbimeve të Përgjithshëm të Administratës në 2001 gjeti shumë pak gjëra që bëjnë lajm, përveç grisjeve dhe dëmtimeve që ndodhin “kur nëpunësit qëndrojnë për një kohë të gjatë në zyrat e administratës”. Por republikani nga Xhorxhia, Bob Barr shkoi më tej në këtë çështje dhe Zyra e Përgjithshme e Kontabilitetit nisi një hetim më të thellë. Një vit më pas, kjo zyrë nxorri një raport që zbuloi një dëm diku mes 13 dhe 14 mijë dollarë amerikanë. Vandalizmi përfshinte mungesë sendesh si brava dyersh, një vulë presidenciale si dhe tasti i gërmës “W” (Bush) nga afro 60 tastiera kompjuterash. Raporti 215 faqësh bënte të ditur se ishte një “shkelje ligjore”, por nuk fajësoi askënd. Zëdhënësit e Klintonit pranuan se mund të ketë patur veprime të kryer nga zemërimi, por thanë se pjesa më e madhe ka ndodhur për shkak të konsumimit prej kohës. Në fund, të dy palët pretenduan shfajësimin, por e gjithë kjo situatë e hidhur qe simbol i të gjithë zgjedhjeve të vitit 2000.

1992-1993

Tranzicioni i 1992-1993 mbahet mend kryesisht – edhe nga ata që punuan në administratën e parë të Klintonit – si i pafokusuar dhe i padisiplinuar. Sekretari i Shtypit i Klintonit e ka quajtur si “ferr” atë periudhë. Në autobiografinë e tij, Klinton ka pranuar se “kaloi kaq shumë kohë duke u marrë me kabinetin, sa që nuk shpenzoi aspak kohë për stafin e Shtëpisë së Bardhë”. Një situatë publike shumë e sikletshme u krijua me emërimin e Zow Baird si kryeprokurore, gjë që shpërtheu pak ditë para Inaugurimit. Baird e hoqi emrin e saj pasi u zbulua se kishte punësuar shumë punonjës të paligjshëm si dhe kish neglizhuar pagimin e taksave të sigurimeve shoqërore për punën e tyre. Pas lajmeve të ngjashëm u hoq edhe emri i Kimba Wood. Klintoni dukej i vendosur të emëronte një grua në këtë post dhe në 12 mars u betua Kryeprokurorja e shtetit të Floridës, Janet Reno.

1988-89

John Tower – ish senatori amerikan nga Teksasi, këshilltar i Bushit dhe Reganit si dhe autor i raportit hetues për skandalin e Kontrave të Iranit – pa emërimin e tij të hidhej poshtë pas një votimi 53-47. Mes kritikave: lidhjet e tij me kontraktorë të mbrojtjes si dhe qëndrimi i tij në lidhje me abortin. Disa demokratë e shënjestruan për t’u hakmarrë pasi e mendonin si trurin e fushatës negative të George W. H. Bushit kundër Michael Dukakisit në zgjedhjet e 1988. Por problemi që zinte më shumë faqet e gazetave ishte fakti që ai qe aq shumë i dhënë pas alkoolit dhe femrave. Ky perceptim – i drejtë ose jo – i uli shanset e tij për në Shtëpinë e Bardhë. Në kujtimet e tij, Tower ka fajësuar për episodin median, armiqtë që kish bërë gjatë 27 viteve në politikë. Dick Cheney, i konsideruar një pragmatist më i moderuar u konfirmua unanimisht 10 ditë më vonë. Tower ishte i pari i emëruar i kabinetit që refuzohej në më shumë se 30 vite. Ai vdiq në 1991 gjatë një aksidenti ajror.

1980-81

Presidenti i sapozgjedhur, Ronald Reagan mblodhi ekipin e tij të tranzicionit dhe zgjodhi “të madhin” e Teamster, Jackie Presser si këshilltar për Punën. Problemi: Presser qe akuzuar për kontaktie me mafian dhe ishte shënjestër i padisë së Departamentit të Punës. Kur lajmi u bë publik, zyrtarë të administratës mohuan që të kishin dijeni për lidhjet e tjera të Presserit dhe hodhën poshtë idenë që këshillat e tij do të kompromentonin hetimet federalë për korrupsionin e Teamster. Në ditët që pasuan, dolën në sipërfaqe më shumë lajme të këqinj: dëshmitarë të policisë dëshmuan se Presser u kish dhënë hua nga fondi i pensioneve të Teamster familjeve të ndryshme të krimit të organizuar. Ndonëse Presser mohoi çdo lloj lidhjeje me krimin e organizuar, thirrjet për dorëheqjen e tij u bënë gjithnjë e më të forta; më pas, zëdhënësi i Ronald Reaganit (që shumë shpejt do të bëhej Sekretar Shtypi i tij) James Brady tha se puna e bosit të Teamster kish marrë fund. Megjithatë, Associated Press citoi zëdhënësin Larry Speakes që kish thënë se Presser “mund të thirret për një rol në vazhdimësi”. Presser u zgjodh president i Teamsters në 1983.

1976-77

Theodore Sorensen u nominua për në krye të CIA-s nga presidenti i sapozgjedhur Carter në 1976. Kjo zgjedhje shkaktoi menjëherë një rrebesh kritikash nga e djathta. Sorensen u akuzua se kish marrë materiale të klasifikuar kur kish qenë këshilltar i Kennedyt, u akuzua se kish qenë një kundërshtues i pandalshëm gjatë Luftës së Dytë Botërore, si dhe u sulmua për klentelën e kompanisë së tij të avokatisë, që përfshinte edhe qeveri të huaja. Edhe ideologjia luajti rolin e saj. Sorensen ishte një liberal i shkollës së vjetër, që kishte disa ide shumë mirë të përcaktuara në lidhje me riorganizimin e agjencisë, përfshirë operacionet e fshehtë. Ndonëse demokratët kontrollonin senatin Sorensen nuk mundi të përballojë sulmet. Ai tërhoqi kandidaturën e tij përpara komisionit të Senatit duke thënë: “Një pjesë e madhe e Senatit të SHBA dhe komunitetit të shërbimit të fshehtë nuk është ende gati qëë të pranojë si drejtor të CIA-s një të jashtëm, që beson në ato që unë besoj”. Carter, ndoshta i vënë në siklet nga nje refuzim kaq i hershëm, vendosi të reduktojë humbjet: ai nuk mbështeti me forcë Sorensenin dhe as nuk kërkoi dorëheqjen e tij.

1932-33

Në 150 vitet e parë të presidencës, tranzicioni ndodhte ndërmjet nëntorit dhe ditës së Inaugurimit në fillim të marsit, kryesisht për shkak të kohës së avashtë të udhëtimeve. Por me përmirësimin e komunikimit dhe transportit, Dita e Inaugurimit mbeti e njëjta, duke lënë një administratë të pafuqishme sidomos në 4 muajt e parë.

Në 1932, Hooveri ishte i pafuqishmi në ikje dhe për muaj të tërë Roosevelti u distancua nga çdo gjë që i përkiste atij – në atë kohë një manovër shumë e volitshme, por gjithësesi një manovër që mund të ketë patur kosto mbi vendin. Hooveri kish vënë në lëvizje plane të qeverisë për të zhdukur krizën me shpresën se shfaqja e solidaritetit mes administratës aktuale dhe asaj në ardhje do të ishin një nxitës i fuqishëm financiar në këtë drejtim. Por ai shihej tashmë si politikisht helmues dhe Roosevelti kish fituar pikërisht duke e mënjanuar. Demokrati hodhi poshtë idenë e Hooverit për të adresuar fundin evropian të krizës, duke e quajtur problemin e borxhit të luftës, një pjellë të republikanëve. Në janar dhe shkurt 1933, bankat po falimentonin në masë dhe takimet Roosevelt-Hoover ishin të pafrytshëm – nga historiani Herbert Feis janë përshkruar si “betejë detare në një natë me mjergull mes dy flotave kundërshtare … kundërshtarët godisnin hijet dhe ajrin”. Atëherë, kush e merr fajin për Depresionin? Historianët janë grindur shumë në lidhje me këtë problem, por pjesën më të madhe të fajit ia kanë dhënë Hooverit. Inercia ekonomike gjatë dimrit të gjatë të 1932-33 nuk ndihmoi aspak. Ironikisht, Amendamenti i 20 që shkurton kohën e tranzicionit në 11 javë u ratifikua në fund të janarit, por nuk hyri praktikisht në fuqi deri në 1937.

1924-25

Në vitin 1925, Calvin Coolidge kandidoi Charles B. Warrenin, një ish ambasador dhe biznesmen si kryeprokuror. Senati e refuzoi Warrenin për shkak të interesimit të tij në “trustin e sheqerit” – një konglomerat kompanish sheqeri që ishin hetuar prej kongresit. Në fillim të shekullit 20, Warren kish qenë tejet i rendesishem në konsolidimin e rafinerive të vogla të Michiganit dhe më pas u bë president i konglomeratit të krijuar. Senatori nga Missouri, James A. Reed ishte veçanërisht kundër idesë së emërimit të Warrenit. “Besoj se ka mjaftueshëm senatorë të mbetur për të votuar kundër lënies së Departamentit të Drejtësisë në duar të trustit të sheqerit”, tha ai në një fjalim plot pasion në sallën e Senatit. “Warreni është që tani i kapur”. Kongresi ishte veçanërisht sensitiv ndaj anëtarëve të Kabinetit që kishin lidhje të pasme pas skandaleve të rryshfetit në presidencën Harding. Warreni u refuzua pas votimit 41-39. Pasi dëgjoi lajmin, Coolidge me kokëfortësi riparaqiti emrin e Warrenit, duke bërë të ditur në një deklaratë se “shpresonte që praktika e pandërprerë e tre brezave, ku presidenti zgjedh kabinetin e tij nuk do të ndryshohet”. Senati, duke parë të sfidohet sovraniteti i tij, e refuzoi sërish Warrenin.

1829

Në muajt e parë të vitit 1829, mbështetësit e Andrew Jackson, kudo ku ndodheshin, shkuan në kryeqytet për ditën e Inaugurimit. Washingtoni ishte mbërthyer nga revolucioni demokratik, por heroi i New Orleansit qëndroi jashtë vëmendjes. E shoqja kish vdekur në dhjetor (pas një fushate të ndyrë që kish ulur reputacionin e saj) dhe në pjesën më të madhe të tranzicionit, Jacksoni ishte duke e vajtuar, i izoluar në zyrat e tij në Hotel “Gadsby”, ku priste vizitorë vetëm tri orë në ditë.

Një turmë e madhe u mblodh për Inaugurimin dhe më pas u derdh drejt Shtëpisë së Bardhë. Jacksoni kish hapur dyert për të gjithë dashamirësit, të cilët shumë shpejt u shndërruan në një turmë të papërmbajtur në sallën e tejmbushur. Shumë prej tyre nisën të grinden apo t’u bjerë të fikët. Ndihmësve iu desh të krijojnë një rreth human përreth presidentit për të mos lejuar që ta shtypnin. Dritaret e hapura ishin e vetmja rrugë largimi, por turma vazhdonte deri jashtë. Ndihmësit përdorën akullore e shampanjë për të zbutur turmat që ishin përjashtë. Margaret Bayard Smith, një zonjë nga shpoqëria e Washingtonit ka shkruajtur në lidhje me këtë skenë: “Në këtë okazion ishin ftuar vetëm zonja e zotërinj, dhe jo njerëz në masë. Por ishte Dita e Popullit, ishte Presidenti i Popullit dhe njerëzit do të urdhëronin”.

1800- 01

Administrata e George Washingtonit ishte jopartiake, por ndërkohë që mandati i tij i dytë përfundonte në 1796, u përvijuan dy filozofi kundërshtuese. Federalistët donin një qeveri qendrore të fortë, po kështu edhe bankat, ushtrinë dhe gjyqësorin, ndërkohë që republikanët ishin për të drejtat e shteteve si dhe një qasje federale laissez-faire. Zgjedhjet e 1800 nuk u vendosën deri në shkurt, por John Adamsi e dinte që në fillim se ishte jashtë gare. Që nga dhjetori deri ditën e inaugurimit në mars (ku Adamsi refuzoi të marë pjesë) u shtuan 16 gjykatës federalë. Presidenti në detyrë nxorri gjithashtu Ligjin e Gjyqësorit, që u jepte më shumë kompetenca gjykatave federale – sidomos për çështje trojesh dhe ato financiare. Me ardhjen në detyrë, Jeffersoni e shfuqizoi dhe pezulloi shumë prej komisioneve të gjykatësve.

1797

John Adamsi u betua si President i dytë i SHBA në mars 1797 dhe brenda pak javësh u largua nga shtëpia presidenciale, një bllok larg Independence Hall. Presidenti Washington kish lënë të tijët të merreshin me tranzicionin. Këta zhvilluan një seri festash në periudhën që nga largimi i Washingtonit deri në mbërritjen e Adamsit. Pajisjet ishin shkatërruar dhe pjesa më e madhe e sendeve të argjendta, si dhe të tjera ishin marrë. Ai i shkruajti bashkëshortes, Abigail në 22 mars: “Nuk ka as karrike ku të ulesh. Shtretërit dhe dhomat janë në gjendje të vajtueshme. Kjo shtëpi ka qenë skenë e festave më skandaloze mes shërbyesve, që mund të kem dëgjuar ndonjëherë. Nuk do të marr në konsideratë as edhe njërin prej tyre”.

The Atlantic/ Bota.al

Loading...