Ballina Lifestyle HISTORI E JASHTËZAKONSHME: Kroati që i mbijetoi rrëzimit të avionit, gjashtë herë...

HISTORI E JASHTËZAKONSHME: Kroati që i mbijetoi rrëzimit të avionit, gjashtë herë i iku vdekjes dhe fitoi lotarinë! (VIDEO)

SHPËRNDAJE

Vdekja nuk mund t`i bëjë asgjë! Ai është vetëm një mësues i zakonshëm muzike, 85-vjeçar dhe në pension. Jeton në një lagje të Petrinjes. Emrin e ka Frano Selak, kurse historinë e jetës së tij e ka xhiruar Discovery Channel dhe të gjitha mediat më të mëdha botërore. Ai, në fakt, nuk është i impresionuar, sepse gjatë jetës ka pasur shumë sfida. Kjo është historia e njeriut më të lumtur në botë, i cili gjatë vitit të fundit shëtiti gjithë botën.

Historia e pabesueshme e jetës së tij fillon në dimrin e vitit 1962, kur treni i linjës Sarajevë – Dubrovnik, ku ishte edhe ai, doli nga binarët dhe përfundoi në lumin e akullt. Ndërsa shumë bashkudhtarë u mbytën ose vdiqën nga plagët, Frano me shpatullën e thyer notoi deri në breg dhe shpëtoi. Ky është vetëm fillimi i asaj që do të ndodh në 40 vitet e ardhshme të jetës së Frano Selak, transmeton Tetova News.

“Njeriu më me fat në fatkeqësi që ka jetuar ndonjëherë” është titulli i filmit të animuar treminutësh që mund ta gjeni në YouTube. Miliona njerëz e kanë parë “njeriun më fatlum” në botë.

– Amerikanët nuk kanë ide. Më vunë mustaqe dhe të gjitha fatkeqësitë e mia i bënë mishmash. Ndoshta do fitojnë shumë para, kurse unë jetoj nga pensioni. Së paku të më dërgojnë nja një mijë dollarë që të kem edhe unë pjesën time – thotë Frano dhe shpjegon se si ka kërkuar ndihmë ligjore dhe se si do të ngre padi ndaj tyre.

Frano, jeta e të cilit është e vërshuar nga fatkeqësi të pabesueshme me fund të gëzuar, tregon se në vitin 2014 kishte atak në zemër dhe u desh të shtrihet 18 ditë në spitalin e Sisakut. Edhe kjo fatkeqësi i ndodhi kur ishte shumë afër spitalit. Në fakt, gjithë jeta e profesorit të muzikës, me dy akademi muzikore, ushtarake dhe “civile”, mund të quhet një mrekulli. Frano, si professor muzike, shpesh ka ndërruar qytetet ku ka punuar, prandaj një pjesë të jetës e kaloi edhe në Modriç të Bosnjes. Ekskurzioni shkollor i vitit 1957 në Oxhak u kthye në një makth për Franon dhe shoferin me emrin  Ahmet.

– Duke iu falënderuar zotit që fëmijët i lamë në Oxhak dhe në autobus ishim vetëm unë dhe shoferi. Shkuam në drejtim të Modriçit për të pirë diçka kalimthi, kurse Ahmeti kishte namin e shoferit që nuk ulet në timon pa një gjysmë litre raki pranë vetes. Megjithatë, autobusit i dha pa asnjë gabim. Në një kthesë, në vend të shkojmë në të djathtë, shkuam drejtë edhe pse Ahmeti e ktheu timonin. E goditëm dhe e kaluam rrethojën e urës duke rënë në lumen Bosnja. Për fat, në atë vend lumi nuk ishte i thellë dhe nuk u mbytëm. Përfytyroj skenën kur unë dhe Ahmeti ishim në lum, kurse ai vazhdonte ta mbante timonin. Kishim disa gërvishtje, por asnjë lëndim serioz – kujton ai, transmeton Tetova News.

Menjëherë, në vitin tjetër, ai përjetoi edhe fatkeqësinë e dytë të madhe. Ishte njëri nga udhëtarët në trenin Sarajevë-Dubrovnik. Po udhëtonte me “Çirin” e atëhrshëm të popullarizuar. Në “kupenë” e trenit ishte me një plakë, kur për shkak të stuhisë një shkëmb gjigand ra në hekurudhë dhe treni doli nga binarët duke rënë në Neretvën e ftohtë. Uji filloi të futet në vagonët e trenit. – Asnjëherë nuk kam thënë se jam i fuqishëm. Më parë do kisha thënë se jam qyqar dhe se jam llahtarisur. Më vinte keq edhe për atë plakën, nënë e miqve të mi nga Stoni. E theva disi xhamin e dritares dhe uji vërshoi në vagon. E kapa plakën dhe arritëm disi të notojmë në sipërfaqen e ujit. Me njërën dorë notoja, kurse me tjetrën e mbaja plakën derisa ndjeva duart që na tërhoqën jashtë rrezikut. Ishin banorët e Grabovcit, fshat afër Jabllanicës ku ndodhi fatkeqësia.

Kur iu sëmur e ëma në vitin 1962 në Rijekë, punonte në shkollën e Daruvarit, prandaj vendosi që nga Zagrebi për në Rijekë të fluturojë me avion. Për herë të parë në jetë.

Sigurisht se ky është aksidenti më i pabesueshëm nga ku ai mbeti përsëri gjallë. Kur avioni fluturoi, ai ishte ulur në bishtin e tij, pranë derës për dalje emergjente dhe bufesë së vogël nga ku stujardesat shpërndanin pije freskuese për udhëtarët. Syri i Franos kapi stujardesën e bukur Rozika nga Futogi i Vojvodinës. Ai zgjidhi rripin dhe bisedoi disa minuta me Rozikën, kur papritmas u dëgjua një goditje e frikshme.. Pas tre ditëve në njësinë e kujdesit intensiv të Klinikës Traumatologjike në Zagreb, ai e mësoi se çka kishte ndodhur.

Më treguan mjekët, por e lexova edhe në Vjesnikun e atëhershëm se aeroplani goditi malin dhe se vdiqën të gjithë anëtarët e ekuipazhit dhe udhëtarët, 20 veta. Mbijetuam unë dhe Rozika e bukur. Pas përplasjes në kodër të avionit, Rozika fluturoi përmes derës në bishtin e avionit, kurse pastaj ajri më tërhoqi edhe mua. Rozika ngeci në degët e një bredhi apo pishe, kurse me ndihmën e helikopterëve arriti të tërhiqet pa asnjë lëndim, kurse unë rashë në një kapicë të madhe kashte në një fshat pranë Çabarit në Gorski Kotar. Hetimi zbuloi se unë i shpëtova rrënies nga aeroplani nga 800 metra lartësi. Nuk kam pasur asnjë thyerje dhe lëndime serioze, transmeton Tetova News.

Pas këtij rrëzimi, i cili është pothuajse i pabesueshëm, për disa vjet me radhë Rozika dhe Frano kishin marrëdhënie shumë të mira, sepse besonin se ky fat në fatkeqësi u lidhi të ardhmen. Më vonë, fatkeqësitë e tjera ranë nën hijen e rrëzimit nga avioni. Ai dy herë i iku vdekjes në momentet e fundit. Herën e parë, Lada e tij, mori flakë duke e ngarë, kurse herën e dytë mori flakë dhe shpërtheu. Ai me kohë e ndaloi makinën dhe arriti të shpëtojë pa lëndime.

Para 19 vitesh, në kthesat për në Karlobag, makina e tij u godit nga një kamion i UNPROFOR-it. Në fakt, rimorkio e kamionit ia zuri rrugën dhe makina e Franos ra në humnerën e thellë 150 metra. Frano ra nga makina, pasi që nga rënia nga avioni ai ishte betuar që të mos lidhej kurrë, prandaj mbeti i varur në një pemë dhe shkëmb sipër greminës. Edhe kjo makinë shpërtheu dhe u dogj, kurse Franon e tërhoqën zjarrfikësit dhe policët.

Në prill të vitit 2002 Frano fitoi një milion euro në lotari.

Frano bleu shtëpi në Petrinje dhe ndërtoi një faltore kushtuar Shën Mërisë, të cilës i falënderohet për shpëtimin nga të gjitha situatat që i kanë sjellë titullin “njeriu më me fat në botë”. 20 vjet më vonë, ndërsa pret ditëlindjen e 85-të, e pranon se jeton nga pensioni prej 400 eurosh. Dhe kur e pyesin se si është e mundur që për 12 vjet të harxhohen një milion euro, Frano e pranon se nuk ka shpirt tregtari. Të gjithëve u ka huazuar para, por nuk ia kanë kthyer. Bleu 25 (!) automjete për miqtë, farefisin dhe të njohurit. Njerëzve u ka blerë lopë dhe mobilje, instrumente muzikore për orkestra të tëra…Nga investimet më të mëdha është blerja e shtëpisë në Senjë për 120 mijë euro, kurse e shiti për 70 mijë euro.

Dy apartamente në Çiov i bleu për 100 mijë euro, kur e kuptoi se nuk kishin dritare, i shiti për 30 mijë euro…Dhe mbetet pyetja e fillimit të historisë për të cilën as Frano nuk ka përgjigje: a është ai në të vërtetë njeriu më me fat në botë?/Flurudha

Loading...