Ballina Opinione Gazetari i vertet nuk mund ta kete mire me te gjithe!

Gazetari i vertet nuk mund ta kete mire me te gjithe!

SHPËRNDAJE

Nga Kristo Mërtiri  

-Atë ditë që do arrish ta kesh mirë me të gjithë, dëgjo mua, hidhe penën nga Ura e Dragotit ! Gazetari profesionist mund të ketë kundërshtarë, por kurrë armiq…                                                                                          Kështu më tha 40 vjetë më parë, gazetari penëmprehtë e plot çika stërralli, miku im i dashur, Arshin Xhezo. E kam kujtuar shpesh atë këshillë të çmuar. Ato pak herë që e harroja gjatë punës si korrespondent, redaktor, kryeredaktor, qytetar e refugjat fatgremisur, gjithmonë zhytesha në pellgje irritimi, revolte e dëshpërimi. E kujtova edhe ditët e fundit në Tiranë me një mikun tim Profesor e i braktisur rrugëve nga pushtetet që vijnë e shkojnë, kur më tregonte i mërzitur për ca minj interneti (anonimë të përjetshëm) që shajnë e fyejnë pa doganë në fund të shkrimeve të botuara. E kujtova edhe dje në mëngjes, pranë monumentit të Partizanit të Panjohur. Atje, pak hapa larg nga “Kafe Evropa”, ku të dy prisnim të takonim qerpikdridhur, Xhevahir Spahiun tonë. Por unë kisha gati 9 muaj pa zbritur andej. Qysh atë ditë të nëmur shkurti, kur Arshini mbylli sytë e na iku papritur, pa na thënë “lamtumirë”. Dhe zemrën ma griu trishtimi. Cigaret i ndizja me njera-tjetrën. Dje, shikoja vesën e shkrirë mbi trupin e bronxtë të Partizanit. Ishte vërtet vesë, apo dhimbje, mall, brengë e lotë ?…Nuk janë lirika, jo. Janë psherëtima vjeshte që kullojnë pikë-pikë si pikëllim therës për njeriun e dashur. Pikojnë bashkë me fletët e frutat e fundit të kësaj stine të bekuar. Dhe kujtoja rubrikën tënde të famshme në gazetën më të madhe të kohës:”Gjëmon Historia”! Vetëm ti mund ta mbaje ashtu, të kolme e plot dinjitet. Të lexueshme nga Jugu në Veri. Hynin e dilnin bukur copëza Shqipërie nëpër reportazhe, portrete, përshkrime e skica. Copëza Historie e Lirie të shkruara me pathos, me shpirt, me gjuhë e stil elegant. Me fjalë të gdhendura si gurë qosheje nga një usta i heshtur e modest. Që mua, sot e kësaj dite, më ngjajnë edhe me gurët e Monumentit…

E njoha të urtë katër dekada më parë. E njoha të sertë. E njoha nga afër si një bujk kokëulur mbi brazda në blloqe e letra. Asnjëherë shtirak. Asnjëherë fjalërrumbullak. I drejtpërdrejtë e hiç dredharak. Mua sapo më kishte dirsur mustaqja. Më rrëmbyen tinëzisht e më degdisën 3 vjetë ushtar ! Më rrëmbyen nga Pedagogjikja emërmirë e Gjirokastrës. Atëhere e pashë portretin e tij. Kur Xhevua më redaktoi e më botoi shkrimin e parë. Dhe ku ? Në atë gazetë ku afroheshin e donin të promovoheshin maja të Letërsisë e të Gazetarisë, të Kulturës, Arsimit, Bujqësisë, Industrisë etj. Pa bërë fjalë këtu për shtypin Ushtarak dhe njerëzit e tij të mrekullueshëm. Pasi konkurova dhe fitova në degën që ëndërroja herët (vetëm 13 vetë gjithsej), fillimi i studimeve po na jepte një shans jo të vogël : Një ditë në javë do bënim praktikë mësimore nëpër redaksi gazetash, revista, radio e televizion. Katedra e Fakultetit organizoi shpërndarjen. Isha caktuar te “Zëri i Popullit”, nën kujdesin e Arshinit. Pranë një pene që dikur bënte mjaft ziliqarë. Pranë një fati dhe brenda një zyre në katin e dytë, mes emrave të shquar. Deri atëhere njihnim vetëm firmat e tyre, kur dilnin nga shtypshkronja me shkronja plumbi e bënin udhë ne fusha, kodra e male. Në qytete e fshatra… Shkonim e rrinim të drojtur. Flisnim pak e dëgjonim shumë. Por Arshini i kishte zët raportet “mësues-nxënës” në praktikën tonë mësimore. Nuk tendosej e as krekosej si nga katedra. Përkundrazi. E pashë, e preka nga afër sedrën e tij profesionale, seriozitetin e veçantë mbi çdo rresht e paragraf, mbi çdo shkrim të tij e të bashkëpunëtorëve. Nuk e shpërdoronte dhe as e lëshonte kuturu firmën si autor a redaktor. I përgjegjshëm e kërkues i pashoq. Kush nuk e njihte mirë Arshinin gazetar, aty për aty e quante “njeri vesves” apo me huqe. Veçse përballë padrejtësive, mediokritetit e ligësive, ishte antikonformist i bindur. I falej të vërtetës lakuriq. Po ta gënjeje sadopak në biseda e shkrime, sidomos te rubrika tjetër e paharruar “Temë shoqërore”, mund të bëheshe hasëm me të. Ndërsa çdo lajkë e jargavitje e neveriste natyrshëm, e hidhte prapa shpine dhe largohej fytyrëvrenjtur e nofullashtrënguar. Gati 3 vite studentore, të tillë e njoha unë. Punëtor e korrekt si ai ! Aspak koprac e aspak megaloman për të ndihmuar studentët, gazetarët e ardhshëm. Kur më niste me shërbim për reportazhe e tema shoqërore në Kukës, Shpirag, në malin e Tragjasit e gjetkë, asnjëherë nuk shkova me duart në xhepa. “Arkiva” e tij ishte e pasur dhe kurrë e kyçur pë rata që e donin punën, profesionin. Prezantimin e emrit në publik e vlerësonte si diçka të shenjtë. Dhe jo më kot ngulte këmbë te cilësia. E as vetëm “bëni si them unë”. Sepse ca kërkesa në fillim na dukeshin “teprime”. Por kur ulej e riulej mbi shkrimet e veta përpara syve tanë dhe i ripunonte deri vonë në mbrëmje, pikëpyetjet e hamëndjet tona djaloshare veniteshin e shuheshin…

Mirëpo fati, siç thotë poeti, “na ka hedhur në lumë e na ka pritur në breg”. Ishin ditët e fundit të studimeve të larta universitare. Ankth e ëndrra të reja. Për “emërimin e ç’emërimin” tim në gazetë, Arshini u mërzit jo pak. Sepse karakteri i tij nuk e duronte kulpërimin e fjalës e të firmës tek zyrtarët e lartë. Më thanë se qe grindur keqazi me ta, por mua nuk ma rrahu gjoksin sa ish gjallë. Ama, i mbeti peng në vite. E shprehte hidhur edhe pak muaj para se të ikte në atë botë, atje, pranë Bibliotekës Kombëtare. Por unë nuk ia thashë kurrë të vërtetën e plotë të atij pisllëku e veprimi burracak rrotull “majës së Olimpit” partiak e shtetëror. Dhe mërmërij vargjet agolliane : “Por s’mund ta them ngaherë të plotë/ Se ishte zuskë kjo botë…”.(Madje, ditët e fundit, mësova rastësisht edhe për një intrigë tjetër të fëlliqur pas katër dekadash!). Ligësia prapa krahëve e me letra anonime, pas një shkrimi kritik në Universitet, nuk ngopej së vjelluri vrer e zeher. Bile ndonjëri ndërroi kostumin e Bllokut famëkeq dhe arriti të zinte kolltuk jo të ulët qeveritar gjatë pushtetit të parë të PD-së(?!). O Zot, na mbaj gojën lidhur e mendjen në kokë !… Kur po lija Tiranën e po shkoja korrespondent në Përmet, dinjitozi Arshin Xhezo më foli para stacionit të trenit, më uroi, më përqafoi fort e më tha zemërdridhur : “ Atë ditë që do arrish ta kesh mirë me të gjithë, hidhe penën nga Ura e Dragotit…Bashkëpunimin me gazetën mos e ndërpre…”. Sinqeriteti i tij mu bë vërtet krah jo vetëm në Përmet, por edhe në Tepelenë, Gjirokastër, Sarandë, Lushnjë, Durrës, Krujë, Tiranë, kudo ku punova e shkrova. Sepse taksën e të qënit gazetar i lirë e kam paguar herët. Dhe jo në një rast. Megjithse një miku im i vjetër nga Bregu i Detit, Hero i Punës, kur më shpëtoi nga një “pushkatim politik”, më thoshte shpesh me zemër:”-Tani të njoh mirë…Ti, jo vetëm e dashuron Gazetarinë, por edhe e adhuron atë. Ky është “mëkati” yt !”…

Por dje, më theri një dhimbje. Dhe rashë në pusin pikëllimtar të mendimeve të mia. Dje paradite nuk u shtrydhën retë. Ikën 9 muaj pa ty, Arshin i dashur ! Hija e trishtimit nuk më shqitet as në këtë fundvjeshte. Ike dhe siç thotë Xhevua ynë, nuk prite as “një borë shkundadimri” (plakat e marsit). Më dukej se do dilje te “Kafe Evropa”. Fjala vjen, fare pak mund ta dinë, se përse rrënqetheshe i tëri kur shikoje në rrugë vërshimin gazavaj të vogëlushëve të klasave të para fillore… Dhe kujtoja kohën kur u bëre Kryeredaktor. Kujtoj edhe ankesat thartirë të ndonjë kolegu të nxituar : “Ka mbetur i mirë, por është bërë vesveseli i madh…Ndodh që afër mesnatës, na përmbys faqe gazete në shtypshkronjë. Nuk do gjëra “frigoriferi”… Kurse unë e shfajësoja gjithnjë atë lloj nervoziteti, nisur nga sedra e tij e lartë profesionale. Por mbi të gjitha, i kish ikur përjetë “një nga sytë e ballit”, djali i shtrenjtë. Por edhe miku i vërtetë duhet dashur me gjithë huqe… Me kokën në duar, rri e shikoj foton e vetme me Arshinin, shkrepur para 3 vëllezërve të mëdhenj të kombit, në Frashër të Dangëllisë. Më pyeti për shumë gjëra. Dhe në fund derdhi prapë brengën psherëtimë rreth pengut të mosemërimit tim në “Zërin e Popullit”… Kur i tregova për një hakmarrje të vockël të njerëzve shpirtvegjël në ish Komitetin Ekzekutiv(pas botimit të një shkrimi problemor e fshikullues), mblodhi vetullat, u ngrys i gjithi dhe shprehu gatishmërinë për të ndihmuar menjëherë. Por Qemal Bregasi korrekt e i ndershëm (drejtuesi kryesor në rreth) e zgjidhi në kohë rekord dhe brenda moralit të Drejtësisë. Vetë Arshini nuk kërkoi kurrë favore e privilegje të merituara. Në monizëm e në pluralizëm. Gjatë Tranzicionkaosit shqiptar, pa qarje e fodullëk i hyri punës së mësimdhënies; redaktimit skrupuloz të librave të Agollit, Kadaresë e Xhuvanit; bashkëpunimit me gjuhëtarë të shquar; kritikës letrare e shkrimeve pasionante për shpëtimin e hebrenjve etj. Nuk e harroj : Kur ish partizani trim e i mençur mallakastriot, figurë e shquar dhe e nderuar e Luftës Antifashiste Nacionalçlirimtare në atë krahinë erë baruti e më gjerë, Qemal Klosi, u nda nga jeta në Durrës, vajta e përgatita një shkrim të posaçëm që u botua në “Kombi”. Ishte koha (1995-96) kur nuk po mbaronte hedhja e baltës me lopatë mbi atë Luftë të shenjtë Çlirimtare. Xhaxhai im punëtor komunist i vjetër, pastë ndjesë, e kish patur shok e mik “babën Qemal”(kështu e thërrisnin hamenjtë e Portit Detar) dhe banonin fare pak metra larg njeri-tjetrit. Por unë, në ato çaste mortore mora vesh se ai burrë ishte ishte edhe vjehrri i mikut tim publicist. Të nesërmen, pranë Sheshit “Skënderbej” dikush më kap për krahu. “Kristo, e kishe qarë shkrimin. Edhe unë nuk do ta bëja më mirë nga ty. Faleminderit !…”. Ishte Arshin Xhezo, njeriu që nuk iu nda shtypit gjersa iku papritur. Madje edhe ziente përbrenda. “Fyerja është më e rëndë se varfëria”, shprehej jo rrallë kur lexonte broçkulla e këllira nga disa kalemxhinj “kopjativë” të Pluralizmit që e pagëzuan veten fët e fët me emrin “Gazetar” pa asnjë shkollim përkatës dhe pa botuar asnjë shkrim gjëkundi. Ndiehej i fyer jo vetëm ai. Ndonjë “karçin vjeshte” i politizuar kokë e këmbë nëpër llogoret partiake, mjerisht ende përpëlitet duke lëshuar jargë e topa lecke të lyer me baltë edhe mbi patriarkë të publicistikës shqiptare !…

Ti nuk e di, miku im i paharruar, që unë kaloj gati përditë te një rrugicë e vogël te Brryli me një emër të madh : Vexhi Buharaja. Bashkëqytetari yt beratas që u dhuroi brezave “gojëmjaltin Saadi”, gjeniun humanist të papërsëritshëm. Atë orientalist e përkthyes të rrallë që shqipëroi mjeshtërisht nga Naimi e Hasan Tahsini, nga letrat e Ismail Qemalit e të tjera xhevahire kulturore, ti e ngrite bukur e ndershmërisht në piedestal rreth dy vite më parë. Faleminderit, Arshin ! Bëre mirë që dëgjove urtësinë e Saadiut : Kush nxuri dituri dhe nuk e nxori në shesh, është si ai njeri që pendën e ngau, por farën s’e përndau…

Loading...