Ballina Kultura “Esat Pashë Toptani”, biografia e ftohtë e Ilir Ikonimit

“Esat Pashë Toptani”, biografia e ftohtë e Ilir Ikonimit

SHPËRNDAJE

U promovua sot në UET libri i gazetarit të Zërit të Amerikës, Ilir Ikonomi, mbi figurën kontraverse të Esat Toptanit, botim i UET-Press

Kur Esat Pashë Toptani e shtypi lëvizjen haxhiqamiliste me forcë një gazetar amerikan që e intervistoi në atë kohë e pyeti; ju cilësojnë si diktator? – dhe Toptani iu përgjigj: “Shqipërinë e qeveris si mundesh, jo si duhet”. Ky është vetëm një detaj nga 500 faqe libër me foto dhe dokumente që publikohen për herë të parë dhe që autorit i është dashur mbi 4 vite punë për t’i sjellë në një monografi mbi një nga figurat më kobntraverse shqiptare të fillimshekullit të 20-të. Ilir Ikonomi thotë se është munduar të jetë i ftohtë, neutral dhe besnik ndaj dokumenteve të kohës, për të sjellë në dritë këtë figurë me gjithë dritë-hijet e tij. Shtëpia Botuese UET-Press promovoi sot librin e Ikonomit në prag të çeljes së Panarit të Librit 2016.

Ikonomi ishte në një bisedë me studentë dhe pedagogë të UET-it nën moderimin e pedagoges Belina Budini.

“Jam treguar i kujdesshëm që të jap një portret të paanshëm sepse shumë historianë kur kanë shkruar për të e kanë nxjerrë jashtë kontekstit të kohës, por nuk duhet të harrojmë në çfarë Shqipërie jetoi Esat Pasha, në një Shqipëri ku nuk kishte asnjë institucion, ku kishte pushtues në të gjithë zonat kufitare. Ai është një figurë komplekse, interesante dhe jam munduar që ta sjell ashtu siç ishte pa pasur si qëllim që t’i bëj një rehabilitetim figurës së tij, të them ishte patriot apo tradhëtar”, tha ndër të tjera Ikonimi.

Historiani Romeo Gurakuqi e vlerësoi autorin për punën e bërë dhe dokumentet e shfrytëzuara për të sjellë këtë libër për një figurë të cilin Gurakuqi e cilësoi si “përfaqësues i botës së vjetër që tentoi të krijonte një principatë otomane në Shqipëri”.

I pyetur për një nga momentet më të rëndësishme të jetës së Toptanit, pikërisht dorëzimin e Shkodrës ushtrisë malazese, Ikonomi tha se “duhet të kuptoni kontekstin e situatës për të vlerësuar nëse kjo ishte një njollë në jetën e tij, pasi shumë nuk e dinë se si ishte situata në Shkodër. Toptani me ushtrinë e tij po luftonte në Shkodër për ta mbrojtur, por Shkodra u dorëzua në kushte ekstreme, ku njerëzit po vuanin nga uria dhe ushtria po rebelohej ndaj tij. Ai ishte një negociator dhe e bëri dorëzimin pas negociatave, nuk e di se ç’do të bënte një gjeneral ushtrie tjetër në këto kushte ku ndodhej pushtimi i Shkodrës, por nuk duhet gjykuar pa kuptuar situatën”.

Ky është libri i tretë në këtë zhanër i Ikonomit pas librit për Faik Konicën, botim i vitit 2011 dhe  librin për Ismail Qemalin botim i vitit 2012.  Libri për Esat Pashë Toptanitn është fryt i një studimi katërvjeçar dhe i sjellë për lexuesin me një rrëfim gazetaresk.

Parathënia e librit është shkruar nga studiuesi Bejtullah Destani, i cili shprehet se “libri është i derdhur në një stil transparent, inteligjent dhe të përmbajtur, ku asnjë fjalë nuk është e tepërt. Ai ndërthur parashtrimin e qartë të dokumentit historik me rrëfimin konciz dhe tërheqës.”

Biografia përmban rreth 60 fotografi të cilësisë së lartë, disa prej të cilave publikohen për herë të parë.

Gazetari Blendi Fevziu e vlerëson këtë libër duke e futur në listën e më të mirëve të librave historikë. “Librat e mirë artistikë janë aq pak sa të merr frika ta mendosh. Ndoshta një në njëmijë. E megjithatë janë të mjaftueshëm. I njëjti pohim vlen edhe për librat e mirë historikë tepër të rrallë, një prej të cilëve është ky libër i Ilir Ikonomit”, shkruan ai. Ndërsa botuesi Henri Çili e cilëson këtë libër si një film ku lexuesi nuk has vështirësi në lidhjen e ngjarjeve. “Historia jonë është e shkruar në libra që kanë një të metë fatale. Eventet janë të rreshtuara si “foto” statike. Çka lexuesit i shkakton bezdi, sepse që leximi të marrë kuptim i duhet që “fotot t’i lidhë vetë”. Libri i Ilir Ikonomit bën përjashtim. Duke e lexuar nuk ndjen asnjë vështirësi, sepse rrjedh si një film”, shkruan Çili.

Pyublicisti Edison Ypi e përcakton si një “një libër të vërtetë Historie”. “Nga ata më të mirët. Që gjatë leximit të jep ndjesinë se po e sheh me sytë e tu qiellin nën të cilin po luftohet, po dëgjon zërat e protagonistëve, gjëmimin e topave, urdhërat e komandantëve, thirrjet e luftëtarëve, krrokamën e korbave mbi kufomat, po nuhat erën e barutit dhe aromën e pyllit aty pranë”, shkruan Ypi.

Loading...