Ballina Bota Analiza Çfarë na ka treguar 2016-a. Mësime nga një paradë rraskapitëse e shëmtisë...

Çfarë na ka treguar 2016-a. Mësime nga një paradë rraskapitëse e shëmtisë në SHBA

SHPËRNDAJE

The New York Times

Ky vit zgjedhor ka qenë një paradë rraskapitëse shëmtie. Ai ka nxjerrë gjithashtu në pah disa të vërteta themelore për SHBA në 2016, mësime që udhëheqësit politikë duhet t’i kenë nxjerrë para zgjedhjeve të sotme.

Urrejtja shet. Racizmi, fanatizmi, misogjinia mund t’i japë energji një fushate kombëtare, gjë që na e ka treguar Donald Trumpi. Ky i fundit ka treguar se mund të rekrutosh të djathtën ekstreme, ndjekësit e teorive konspirative, supremacistët e bardhë dhe antisemitët, si aleatë të paepur, dhe e gjithë kjo, pa i armiqësuar votuesit e besueshëm republikanë.

Ankthi për ekonominë është i lartë. Amerikanët e të gjithë formimeve – të bardhë, me ngjyrë, latinë, burra, gra, njerëz në komunitetet rurale dhe urbane – kanë këtë gjë të përbashkët: Ata janë të shqetësuar për të ardhmen e tyre ekonomike. Vendi ka përjetuar kohët e fundit recesionin më të gjatë që nga koha e Depresionit të Madh, të ardhurat kanë rënë prej vitesh dhe pabarazia në të ardhura në vitet e fundit ka qenë më keq, se sa në çdo kohë tjetër, qysh prej vitit 1920. Të gjithë kandidatët, republikanë dhe demokratë, janë përpjekur ta bëjnë këtë çështje, qendrore në fushatat e tyre.

Por Trumpi ia ka kaluar edhe Bernie Sandersit në shfrytëzimin e këtij ankthi. Ndërkohë që shqetësimet ekonomike shkojnë përtej gjithë linjave demografike, ai ia ka dalë të shfrytëzojë shqetësimet reale duke sulmuar imigrantët dhe marrëveshjet tregtare, por ndërkohë pa ofruar politika për krijimin e vendeve të punës dhe rritjen e pagave. Propozimet e tij për ekonominë dhe taksat do të dëmtonin punëtorët e zakonshëm dhe do të hapnin një gropë në buxhetin federal. Ndryshe nga ai, Hillary Clintoni ka ofruar ide praktike që mund të përmirësojnë situatën ekonomike për shumicën e amerikanëve.

Mediat mundësojnë kandidatë ekstremë dhe partitë janë shumë të brishta për t’i ndalur. Faqet e mediave sociale dhe lajmet televizive transmetuan çdo fyerje që ka dalë nga goja e kandidatëve në 18 muajt e fundit. Por ato kanë patur shumë pak kapacitet për të përcaktuar të vërtetat e pranuara gjerësisht, apo ushqyer debatin konstruktiv në lidhje me çështje si, ndryshimi i klimës apo drejtësia. Duke demokratizuar median, Tuiteri dhe Fejsbuku kanë bërë gjithashtu të mundur për amerikanët që të marrin vetëm mesazhet që duan të dëgjojnë. të dëshpëruar për klikime dhe numra shikuesish, Fox, CNN dhe rrjete të tjerë i dhanë Trumpit një mikrofon të hapur që në krye të herës. Dhe pasi kishin ndezur flakët e partitizmit për shumë vite me radhë, udhëheqësit republikanë ishin të pafuqishëm në primare për të ndalur ngjitjen e Trumpit, dhe më pas kishin frikë të armiqësonin mbështetësit e tij duke iu kundërvënë në zgjedhjet e përgjithshme. Trumpi përdori zhdërvjelltsinë e tij mediatike dhe vlerat argëtuese – shpesh herë në forma fyerjesh – për të mbajtur mbi vete sytë e të gjithëve. Imagjinoni se sa shumë më larg se Trumpi, mund të shkojë një demagog i disiplinuar, duke përdorur të njëjtën formulë.

Pjesëmarrja e hispanikëve po rritet. Ja një gjë pozitive. Votimi i hershëm gjatë ditëve të fundit ka treguar se në shtete si Nevada dhe Florida, hispanikët po marrin pjesë në numra shumë më të mëdhenj në zgjedhje, krahasim me herën e fundit. Kjo tregon se vota e latinëve mund të mobilizojë, dhe mund të jetë shumë e rëndësishme për t’i dhënë Trumpit humbjen që meriton. Imagjinoni sa do të shkonte kjo gjë.

Qytetarët po kërkojnë zgjidhje lokale. Zgjedhjet presidenciale nuk janë e vetma gjë që u parashtrohet votuesve. Në fakt, dhjetëra miliona njerëz në të gjithë Amerikën sot kanë një shans që të marrin gjërat në duart e tyre, duke votuar për propozime që u ndryshojnë jetën dhe komunitetet. Votuesit në nëntë shtete do të konsiderojnë masat për të ndrequr luftën e dështuar ndaj drogave, duke lejuar përdorimin e marijuanës për qëllime mjekësore. Qytete dhe konte, duke përfshirë Los Angelesin dhe Seattle, do të votojnë për financimin e hekurudhave si dhe projekte të tjerë transporti për të cilët ka shumë nevojë. Shteti i Uashingtonit do të votojë për taksimin e ndotjes nga karboni. Në vende të tjerë votuesit do të votojnë për politika më të forta të kontrollit të armëve si dhe rritje të pagës minimale.

Këta propozime janë një përgjigje e fortë kundër të zellshmëve antiqeveritare që e kanë zhytur Kongresin në mosveprim. Për qytetarët e zhgënjyer thellësisht, ky anashkalim i një politike jofunksionale mund të jetë e vetmja lëvizje për ta shtyrë vendin përpara.

www.bota.al