Ballina Kultura Çelet Panairi “Tirana 2016”, vlerësohet si festë e librit

Çelet Panairi “Tirana 2016”, vlerësohet si festë e librit

SHPËRNDAJE

Edicioni i 19-të i Panairit të Librit “Tirana 2016” çeli dje dyert me anë të një ceremonie të mbajtur në Pallatin e Kongreseve, në ambientet e të cilit shtëpitë botuese prezantojnë dhe ofrojnë për publikun botimet e tyre për disa ditë me radhë. Organizatorët dhe shkrimtarët të vetëdijshëm për problemet e shumta, preferojnë ta quajnë festë e librit gjatë këtyre ditëve. Lexuesit janë të parët që vizitojnë stendat e shumta për të blerë libra më lirë. Petrit Ymeri, kryetar i Shoqatës së Botuesve Shqiptarë, gjatë ceremonisë së hapjes u shpreh se gjatë panairit do të organizohen edhe disa aktivitete. “Shifrat flasin vetë. Është Panairi i 19 i Librit. Vitin e ardhëm kemi vitin jubilar , të 20-in. Jemi pothuajse të njëjtët ‘aktorë’: botuesit, autorët, përkthyesit, institucionet e tjera botuese, shoqata të ndryshme, përfaqësues të institucioneve kulturore të huaja, që marrin pjesë në Panairin e Librit e që të gjithë bashkë i japin një bukuri të veçantë kësaj festë: festës së librit. Është ndofta një frazë e konsumuar kjo, por është e pashmangshme, pasi Panairi i Librit është vërtetë një festë e bukur e kulturës shqiptare dhe mund të them pa hezitim që është aktiviteti më i madh kulturor që bëhet në Shqipëri”, tha Ymeri. Në këtë panair marrin pjesë shtëpitë botuese nga Shqipëria, Kosova, Maqedonia dhe më gjerë. Shkrimtari Besnik Mustafaj theksoi se panairi është me një rëndësi të veçantë, por në fjalën e tij ai u ndal dhe te problemet, ku sot kemi dhe mungesën e rrjetit të librarive. “Unë e konsideroj, sidomos në kontekstin shqiptar, një ngjarje këtë panair, e konsideroj të një rëndësie shumë të veçantë, një mungesë me pasoja të mëdha të rrjetit të shpërndarjes së librit, kemi një mungesë të rrjetit të librarive jashtë Tiranës, brenda Tiranës ka shumë pak librari, pra është një event që ka kuptim feste, sepse mua më ka pëlqyer gjithmonë karakteri entuziast, pjesëmarrja dhe vizitat e shqiptarëve të të gjitha moshave që nga fëmijët e shkollave e deri tek pensionistët, pjesëmarrja e shumë grave që vijnë e vizitojnë dhe blejnë libra me këtë rast. Është një rast që rrëzon atë që “lexuesit kryesorë në shoqërinë e sotme numerikisht janë shtëpiaket”, gratë që nuk angazhohen me aktivitet profesional jashtë shtëpisë e që kanë shumë kohë. Do të thotë që do të  përputhej edhe letërsia që ato lexonin me serialet televizive. Unë këtu në panair në vazhdimësi kam parë zonja të ftilluara kulturalisht, dinamike profesionalisht, është një moment kur edhe ne si shkrimtarë kemi rastin të shihemi me botues të huaj e me shkrimtarë të huaj”, tha Mustafaj i pranishëm në ceremoni.