Ballina Aktualitet (VIDEO) TË PREKURIT NGA VËRSHIMET NË HASANBEG ENDE NUK JANË KOMPENSUAR

(VIDEO) TË PREKURIT NGA VËRSHIMET NË HASANBEG ENDE NUK JANË KOMPENSUAR

SHPËRNDAJE

Më shumë se dy muaj nga vërshimet shkatërruese në Hasanbeg dhe ky vend ende po vazhdon të rimëkëmbet sikur thuajse në ditët e para pas vërshimeve. Banorët kanë nisur me iniciativa të veta ti rindërtojnë shtëpitë, me mjetet e tyre poashtu, pasi që pohojnë se shumicën e mjeteve që në fakt iu premtuan nga Qeveria ende nuk i kanë marrë. Ka disa prej tyre që kanë arritur të marrin një pjesë të kompensimit të dëmit por ka shuma që janë qesharake.

Sipas pohimeve të banorëve ekzistojnë familje që u janë ndarë vetëm 400 denarë, 1 mijë denarë, apo 50 euro si kompensim për dëmin. E kjo ata i revolton tejmase pasi e konsiderojnë si tallje e pushtetit me fatin e tyre.

“Shteti nuk na ka dhënë asgjë, vetëm familja na ka ndihmuar me dashamirët. Dikujt i kanë dhënë e dikujt jo. Na kanë shkruar në lista dhe na kanë thirur dy herë në komunë. Kemi plotësuar letrat. I kemi marrë 4 mijë denarë por na detyruan t’i paguajmë 12 mijë denarë për shtëpinë që si kisha të paguara, prandaj edhe ato 4 mijë nuk i kam marrë. Dikush 4 mijë, dikush 5 mijë dikush 7 mijë e dikush hiq”, thotë njëri nga banorët e këtij vendbanimi.

Një banori të Hasabegut i janë caktuar 60 mijë denarë kompensim për shtëpinë e vërshuar por ai thotë se me ato para nuk mund të vendosen as themelet.

“Nuk jemi të kënaqur. Dikush ka marrë më shumë edhe pse ndoshta nuk ka pasur fare dëm ndërsa dikush që ka pasur dëm nuk e kanë vlerësuar sa duhet dëmi. Nuk jemi të kënaqur me vlerësimin e dëmit. Ky e ka nisur ta ndërtojë por sa ti ndihmojë Zoti pasi me 60 mijë denarë nuk ka mundësi ti paguajë as punëtorët. Nuk jemi të kënaqur me vlerësimet”, thotë një banor tjetër.
“Unë po habitem, seriozisht po habitem. E kam një kusheri te kanalit, saherë që bie shi grumbullohet tek shtëpia e tij. Ka shkuar komisioni e ka kontrolluar por e ka heq nga lista. Unë jam  në komunën e Stajkovcit por më mirë mos të kisha qenë. Më mirë të kisha qenë Trubarevë, mos të isha këtu sepse Trubareva ka diçka kurse këtu nuk ka asgjë”, thotë njëri nga banorët e anketuar.

Këta banorë shtëpitë e të cilëve u vërshuan tërësisht apelojnë deri tek pushteti që t’i qaset më seriozisht problemit tejet serioz që e kanë pasi të vetëm nuk do të mund t’i bëjnë ballë kësaj sfide. Me gjithë pastrimin dhe largimin e disa deponive ilegale,  Hasanbegu ngelet fole e papastërtive të shumta.

Ferikan Iljazi /SHENJA/


Të prekurit nga vërshimet në Hasanbeg ende nuk… by tvshenjaofficial