Ballina Aktualitet (VIDEO) RRETH 1400 NXËNËS KANË IKUR NGA MAQEDONIA

(VIDEO) RRETH 1400 NXËNËS KANË IKUR NGA MAQEDONIA

SHPËRNDAJE

Shpërnguljet masive të popullsisë jashtë Maqedonisë, nuk kanë të ndalur. Kjo gjë tanimë vërtetohet edhe nga të dhënat e Entit Shtetëror të Statistikave, nëse shohim numrin e nxënësve të shkollave fillore që janë çregjistruar gjatë vitit shkollor 2014-2015.

Të dhënat thonë se vetëm gjatë vitit të kaluar akademik, për 2334 nxënës që janë çregjistruar, shkak i çregjistrimit ka qenë shpërngulja. Prej tyre, 1389 janë shpërngulur jashtë shtetit apo në vend të panjohur, ndërsa të tjerët kanë migruar brenda Republikës së Maqedonisë.

Këto janë të dhëna alarmante, duke pasur parasysh se bëhet fjalë vetëm për nxënësit e shkollave fillore, pra këtu nuk përfshihen edhe nxënësit e shkollave të mesme, studentët, apo shtresat tjera të popullsisë. Të paktën nga këto të dhëna, mund të thuhet se mbi 1000 familje janë shpërngulur jashtë Maqedonisë vetëm për një vit.

Të dhënat e Entit Shtetëror të Statistikave, nuk japin detaje për përkatësinë etnike, apo rajonet nga të cilat kanë ndodhur shpërnguljet, por sigurisht që në mesin e qytetarëve të shpërngulur, një përqindje e konsiderueshme janë shqiptarë. Sigurisht, gjendja e rënduar ekonomike dhe shkalla e lartë e papunësisë, janë ndër faktorët kyç që ndikojnë në shpërnguljen e popullsisë. Shumë prej qytetarëve, fajin për këtë e hedhin tek koalicioni në pushtet, VMRO-BDI.

Ajo që është më shqetësuese në këtë rast, është shpërngulja e të rinjve. Ndryshe, 50% nga personat e papunë, u përkasin grupmoshave të reja. Gjithashtu, duke u bazuar edhe në të dhënat e Entit Shtetëror të Statistikave, shqetësues është edhe fakti se tanimë shpërngulen familje të tëra, bashkë me fëmijët.

Abdulla Berisha /SHENJA/

Loading...