Ballina Futboll “Top i Artë” rikthehet te “France Football”. Ja çfarë ndryshon

“Top i Artë” rikthehet te “France Football”. Ja çfarë ndryshon

SHPËRNDAJE

Ceremonia e “Topit të Artë” po merr rolin e protagonistit në median sportive. Tashmë, dhënia e këtij trofeu aq shumë të dëshiruar nga futbollistët është kthyer në duart e “France Football”, pas 6 vitesh bashkëpunimi mes revistës transalpine dhe FIFA-s.

“France Football” bëri të ditur normat e reja për dhënien e “Topit të Artë” për vitin 2016 dhe atyre që do të vijnë në vazhdim. Një nga ndryshimet e këtij viti është se do të përcaktohen 23 kandidatë, nga 30 që përzgjidheshin deri më tani. Duke nisur nga ky vit nuk do të ketë një eliminim të dytë për të përcaktuar 3 finalistët, siç ndodhte në këto 6 vite.

Ceremonia e “Topit të Artë” të “France Football” do të zhvillohet në Paris brenda këtij viti. Ndërsa ceremonia e çmimit të “Lojtarit më të mirë të Vitit të FIFA-s” do të mbahet në Zyrih në fillim të vitit 2017.

Po kështu, duke nisur nga ky vit do të ndryshojë edhe procesi i votimit. Për “Topin e Artë” të “France Football” do të votojnë vetëm gazetarët sportivë, nga një për çdo vend. Në total do të jenë 211 gazetarë, që do të japin preferencat e tyre për futbollistin më të mirë të vitit.

Më parë, këtë përzgjedhje e bënin trajnerët dhe kapitenët e skuadrave përfaqësuese.

Loading...