Ballina Aktualitet TETOVË, SËRISH PROBLEM ME TRANSPORTIN E NXËNËSVE

TETOVË, SËRISH PROBLEM ME TRANSPORTIN E NXËNËSVE

SHPËRNDAJE

Rreth 6000 nxënës të rrethinës së Tetovës që mësojnë në shkollat e mesme të këtij qyteti nga e mërkura rrezikojnë të ngelen përsëri pa transport. Zgjidhja e cila u arrit javë më parë me të cilën ju dha fund bojkotit dhe protestave të nxënësve ka qenë e përkohshme dhe në kurriz të transportuesve.

Këta të fundit konfirmojnë ekskluzivisht për Televizionin Shenja se për 20 ditë kanë transportuar nxënësit më shpenzimet e tyre dhe pa asnjë mbulesë, por nga kompania “Nerashti Kompani” thonë se kjo nuk mund të zgjasë më shumë pasi ata nuk kanë asnjë mbulesë, as kompenzim në para e as kontrata që do t’u jepnin garanca për mbulimin e shpenzimeve.

Neshat Ismaili, drejtues i kompanisë “Nerashti Kompani” thotë se herën e fundit kishin premtime nga Komuna e Tetovës së do të gjindet në zgjidhje shumë shpejt, por deri më sot nuk ka asnjë përparim në këtë temë. Ai thotë se për më shumë se një javë kanë marë përsipër vetë transportin me qëllim që të mos i lënë nxënësit pa mësim, por siç shpjegon ai kjo situatë i rëndon dhe nuk mund të zgjasë edhe gjatë.

“Gjendja momentale është se nuk kemi mbulesë, nuk kemi marrëveshje të nënshkruar, por kemi marrëveshje gojarisht. Po ashtu, mbulesë për transportin nuk kemi ende. Jemi në pritje e sipër. Sot kemi pasur një takim. Nëse do arrihet diçka, transport do të ketë, nëse nuk arrihet, nga e mërkura nuk do të ketë transport për nxënësit”, ka deklaruar Neshat Ismaili, “Nerasht Company”.

Ismaili thotë se shpallja e fundit për transport të nxënësve ishte shpallur i pavlefshëm dhe ligjërisht rrezikojnë që shpalljen e fundit ta presin deri në dhjetor. Deri në këtë ata duhet që të transportojnë nxënësit pa kompensim dhe pa asnjë mbulesë me kontratë që do t’u siguronte marrjen parave.

Nga “Nerashti kompani” konfirmojnë se Komuna ju ka ngelur pa paguar edhe një shumë të konsiderueshme nga kontrata e vjetër dhe transporti i deritanishëm i nxënësve, por sipas transportuesve problem edhe më i madh se ky mbetet periudha në vazhdim kur ata duhet të transportojnë nxënësit pa asnjë marrëveshje me çka rrezikojnë të mos marrin asnjë qindarkë për këtë shërbim.

“Kanë mosmarrëveshje komunë- ministri. Presim njëfarë pëlqimi nga ana e ministrisë. Nëse ata kthejnë përgjigje pozitive për kërkesën që ka bërë komuna ndaj ministrës atëherë do të ketë ndonjë marrëveshje që ne mbulohemi me transportin, përndryshe nuk jemi të mbuluar financiarisht” , tha më tej ai.

Përndryshe, transporti i nxënësve të shkollave të mesme në Maqedoni ligjërisht është falas dhe mbulohet nga buxheti shtetëror. Mjetet i transferohen si bllok dotacione Komunës, e cila më pas duhet të paguajë kontraktuesit.

Arben Zeqiri /SHENJA/

Loading...