Ballina Bota Tension mes Rusisë dhe Spanjës – Anulohet kërkesa për furnizimin e 3...

Tension mes Rusisë dhe Spanjës – Anulohet kërkesa për furnizimin e 3 luftanijeve ruse në Spanjë

SHPËRNDAJE

Zyrtarët e Moskës kanë tërhequr kërkesën e bërë ndaj qeverisë spanjolle për të lejuar që tre luftanijet e saj të ankoronin dhe të furnizoheshin me karburant në brigjet spanjolle. Megjithatë, Rusia ende nuk ka dhënë shumë detaje për këtë vendim të marrë së fundmi. Më herët, NATO kishte ushtruar presion ndaj Spanjës, duke argumentuar se luftanijet janë nisur drejt Sirisë dhe se kanë për qëllim të ndihmojnë ushtrinë e Presidentit, Bashar Al-Assad, në luftën kundër rebelëve.

Rusia ka tërhequr zyrtarisht një kërkesë të bërë ndaj Spanjës për ankorimin dhe furnizimin me karburant për tre luftanijet e saj që janë nisur drejt Sirisë, ndërkohë që situata vijonë të mbartë shumë paqartësi.

Kërkesa e bërë nga Moska kishte hasur fillimisht kundërshti të shumta nga ana e NATO, por edhe nga disa zyrtarë të tjerë europianë, por ishte pranuar paraprakisht nga Spanja.

Megjithatë gjatë orëve të fundit, Ministria e Jashtme spanjolle deklaroi se po merrte në konsideratë refuzimin e kërkesës.

Me sa duket, ky dyshim i nxjerrë nga Spanja nuk është pritur mirë nga Moska, e cila anuloi menjëherë kërkesën.

Megjithatë, për të patur një pasqyrim më të qartë të asaj që ka ndodhur do të duhet të pritet për një komunikatë të dytë nga palët.

Furnizmi i luftanijeve ruse në brigjet spanjolle ka qënë një praktikë mjaft e shpeshtë përgjatë viteve të fundit.

Aleanca e Atlantikut të Veriut kishte shprehur shqetësimin se luftanijet ruse, të cilat janë nisur drejt Sirisë, do të mbështesin qeverinë e Presidentit Bashar al-Assad, në luftën kundër rebelëve që kundërshtojnë qeverinë aktuale.

Palët vijojnë të kenë qëndrime të kundërta për sa i përket luftës së Sirisë.

Shtetet e Bashkuara dhe vendet perëndimore, ku shumica prej të cilave janë antare të NATO-s, mbështesin idenë se Presidenti Assad duhet të largohet nga drejtimi i vendit në mënyrë që t’i hapet rrugë një proçesi politik.

Megjithatë, nuk është e të njëjtit mendim Moska, e cila e sheh atë si të vetmin lider legjitim të vendit.

Gjithashtu, palët kanë akuzuar vazhdimisht njëra-tjetrën, se sulmet e tyre kanë prekur qytetarët e pafajshëm.

Rusia dhe Perëndimi kanë papajtueshmëri të theksuara edhe sa i përket krizës së Ukrainës.

Loading...