Ballina Aktualitet Rajoni Takimi me Erdoganin në Turqi/ Bushati: Për ne Turqia është vend mik...

Takimi me Erdoganin në Turqi/ Bushati: Për ne Turqia është vend mik dhe partner strategjik në rajon

SHPËRNDAJE

Bashkëpunimi Shqipëri-Turqi ishte në qendër të diskutimeve mes ministrit të Jashtëm Ditmir Bushati dhe Presidentit të Turqisë,  Recep Tayyip Erdoğan.

Në njoftimin që zyra e shtypit të ministrit Bushati ka sjellë për mediat thuhet se “Gjatë takimit me Erdogan, bashkëbiseduesit shprehën vlerësim për punën e kryer drejt thellimit të bashkëpunimit në të gjitha fushat me interes të përbashkët, si dhe vlerësuan angazhimin mbi punën e nisur për konsolidimin e partneritetit strategjik. Palët vlerësuan rëndësinë e veçantë të marrëdhënieve dypalëshe si dy vende mike,  partnere strategjike në rajon dhe aleate në NATO.”

Ministri Bushati dhe Presidenti Erdoğan evidentuan rëndësinë e thellimit të bashkëpunimit në fushat e infrastrukturës, energjisë, bujqësisë dhe turizmit, të cilat kanë një impakt të drejtpërdrejtë në ekonominë e vendit dhe forcimin e bashkëpunimit në sektorin e mbrojtjes dhe sigurisë. Presidenti Erdoğan shprehu mbështetjen e pakushtëzuar të Turqisë për forcimin e marrëdhënieve dypalëshe nëpërmjet projekteve konkrete, në kuadër të angazhimeve të Turqisë në rajon.

Ministri Bushati dhe Presidenti Erdoğan diskutuan gjithashtu mbi zhvillimet më të fundit në vendet respektive dhe situatën në rajon. Ministri Bushati shprehu solidaritetin dhe mbështetjen e plotë me popullin dhe qeverinë turke për angazhimin në vendosjen e rendit kushtetues në vend.

“Takim i përzemërt me Presidentin Recep Tayyip Erdoğan. Diskutim i frytshëm mbi hapat konkrete për thellimin e marrëdhënieve shqiptaro-turke në fusha me interes të ndërsjellë, sikundër angazhim për konsolidimin e partneritetit strategjik. Për ne Turqia është vend mik, partner strategjik në rajon dhe aleat i çmuar në NATO”, shkruan Bushati në rrjetet sociale. /Citynews