Ballina Bota Rusia tall Evropën ‘pederaste’, Karpushin: Shqipëria humbi shansin

Rusia tall Evropën ‘pederaste’, Karpushin: Shqipëria humbi shansin

SHPËRNDAJE

Rusia kërcënon NATO-n dhe vendet e BE-së jo vetëm ushtarakisht, por edhe i provokon me karikatura në rrjetet sociale.

Ambasada ruse në Britaninë e Madhe postoi dy karikatura, që shkaktuan shumë debat në mediat evropiane, pasi ishin një tallje me Europën.

Në njërën prej karikaturave shihet një ari i fortë dhe i vetëdijshëm për fuqinë e tij, që pozon si fitimtar përballë një Europe nervoze.

“Nëse Rusia është në rënie, pse shqetësohemi? Ndoshta, shqetësimi real është rënia e Perëndimit dhe fakti që ne i menaxhojmë gjërat më mirë”,- thuhet në diçiturën e karikaturës.

Europa paraqitet si një zonë e rrethuar me gardh, ku jetojnë derrat e kursimit, që shajnë ariun rus.

Në portën e Eurpoës shkruhet E-Zone, një vlerësim se paraja është vlera kryesore e Europës.

Në sfond shihet edhe një flamur i lëvizjes së homoseksualëve.

Sipas “Bild”, simbolika është e qartë: Rusia është fuqia në rritje, perëndimi me vlerat liberale si ajo e homoseksualëve, është në rrënim.

Ndërkohë ambasadori i Rusisë në Shqipëri, Aleksandër Karpushin, gjatë një interviste ekskluzive të dhënë për “RTV Ora News”, thekson se, Shqipëria humbi një shans duke iu bashkuar sanksioneve të Bashkimit Evropian për shkëmbimet tregtare.

Ai thotë se, Rusia ishte e detyruar të shtrinte kundërmasat e saj në bazë të reciprocitetit edhe ndaj Shqipërisë, duke nënvizuar se për këtë fakt, importi i produkteve shqiptare është ndaluar. Për pasojë, thekson ambasadori, Shqipëria i mohoi vetes një mundësi për t’u futur pa konkurrencë të madhe në tregun rus.

Duke folur për situatën në arenën ndërkombëtare, përfaqësuesi i Moskës në Tiranë ka fajësuar Uashingtonin për situatën e krijuar në Siri, duke thënë se, në përshkallëzimin e krizës kanë ndikuar politikat e SHBA-ve, që sipas tij janë të gabuara.

Sa i përket marrëdhënieve me NATO-n, Karpushin nënvizoi se, Rusia e sheh me shqetësim rritjen e prezencës ushtarake të Perëndimit pranë kufijve të saj, ndërkohë që u shpreh se Aleanca ishte tërhequr nga dialogu me qeverinë ruse në mënyrë të njëanshme.

Në tërësi, ambasadori rus në Tiranë, gjykon se nëse NATO dhe Shtetet e Bashkuara nuk do të marrin në konsideratë interesat e Rusisë, atëherë çdo përpjekje për dialog do të jetë e kotë.

Karpushin është pyetur edhe në lidhje me pavarësinë e Kosovës, ndërsa ka theksuar se, qëndrimi i Moskës vijon të mbetet i pandryshuar, në mbështetje të rezolutës 12-44 të Këshillit të Sigurimit të OKB-së.

Pjesë nga intervista:

-Zoti ambasador, javët e fundit kemi ndjekur një ftohje të marrëdhënieve Rusi-ShBA në arenën ndërkombëtare, ndikuar sidomos edhe nga pezullimi i negociatave që kishin për qëllim gjetjen e një zgjidhjeje për konfliktin në Siri? A mendoni se ky tension që ka ekzistuar gjithmonë mund të përshkallëzohet edhe më tej?

Në fakt ftohja e marrëdhënieve ruso-amerikane ka filluar shumë kohë më përpara përshkallëzimit të krizës së Sirisë dhe madje përpara shpërthimit të luftës civile në Ukrainë. Ne jemi të bindur që ky proces ftohjeje ka filluar jo për fajin tonë. Në një nga intervistat e fundit, Ministri ynë i jashtëm Sergei Lavrov u shpreh se aktualisht raportet tona me Shtetet e Bashkuara në të vërtet janë më të tensionuara se sa në kohën e luftës së ftohtë. Shkaku kryesor i kësaj situate të krijuar sipas ministrit tonë të jashtëm Lavrov është fakti se amerikanët po e përdorin rusofobinë si një parim bazë të politikës së tyre ndaj Rusisë.

Kjo politikë është shoqëruar gjithashtu edhe me disa hapa agresivë që kanë impakt të drejtpërdrejtë në interesat kombëtare të Rusisë dhe vënë në rrezik sigurinë e vendit tonë. Dhe këta këta hapa jo-miqësorë përfshijnë shtrirjen e NATO-s dhe të infrastrukturës së tyre ushtarake drejt kufijve të Rusisë, tërheqjen e njëanshme të ShBA-ve nga traktati sovjetiko-amerikan i vitit 1972 mbi shkurtimin e sistemeve anti-raketë dhe në të njëjtën kohë, instalimin nga amerikanët të një mburojë anti-raketë në Evropën lindore. Nuk mund të lëmë pa përmendur edhe vendosjen nga perëndimi të sanksioneve të paligjshme kundër Rusisë, përfshirë këtu edhe Krimenë.

Sa i përket ftohjes së re të muajve të fundit, shkaku i saj është i njohur, dhe është mosdashja ose paaftësia e Shteteve të Bashkuara për të zhvilluar një dialog të hapur dhe të sinqertë për zgjidhjen e krizës në Siri. Siç dihet, koalicioni i udhëhequr nga ShBA ishte i pari që e shkeli marrëveshjen e armëpushimit të vendosur sipas marrëveshjes ruso-amerikane të 9 shtatorit. Ata e shkelën akordin vetëm tre ditë pas shpalljes së armëpushimit, duke sulmuar forcat qeveritare siriane në Deir al-Zour. Më pas, Uashingtoni u përpoq të justifikohej duke deklaruar se sulmi u bë gabimisht. Gjëja më interesante është se fill pas këtij sulmi të gabuar që zgjati meqë ra fjala për afro një orë, Shteti Islamik u hodh në ofensivë kundër qytetit Deir Al Zour.

Pra, kemi të gjitha arsyet të besojmë se partnerët tanë amerikanë kujdesen për disa grupe terroriste. Kjo konfirmohet edhe nga refuzimi i vendosur i ShBA-ve dhe i aletaëve të tyre për të ndarë opozitën e moderuar siriane dhe luftëtarët terroristë të frontit Al-Nusra. A mund të ketë rritje tensionesh në të ardhmen?! Ne nuk e dëshirojmë aspak një gjë të tillë.

Në qasjen tonë, kjo mund të shmanget. Për këtë dëshmojnë edhe kontaktet e vazhdueshme për Sirinë në nivele të ndryshme, si takimi i fundit i Presidentit Putin me kancelaren Merkel dhe Presidentin Hollande në Berlin, ministeriali i Lozanës më 15 tetor ku morën pjesë, Rusia, ShBA, Irani, Turqia dhe vendet e tjera që mund të ndikojnë në situatën në Siri. Dhe këtu duhet të vë në dukje se pala ruse bashkë me të gjithë pjesëmarrësit e tjerë të këtij ministeriali konfirmojnë angazhimin për ruajtjen e Sirisë si një shtet unik të pavarur dhe laik, për të ardhmen e të cilit duhet të vendosin vetë sirianët në kuadër të një dialogu gjithëpërfshirës politik. Dhe kjo qasje konstruktive e përbashkët ngjall optimizëm.

Loading...