Ballina Sport “Rusi 2018”, Shqipëria dhe Kosova ndajnë edhe hotelin

“Rusi 2018”, Shqipëria dhe Kosova ndajnë edhe hotelin

SHPËRNDAJE

Pas stadiumit “Loro Boriçi” në Shkodër, që do të përdoret gjatë kualifikueseve të Botërorit 2018 pa pagesë dhe deri në ndërtimin e një impianti që plotëson parametrat e FIFA-s dhe UEFA-s, përfaqësuesja e Kosovës do të ndajë edhe hotelin me Kombëtaren shqiptare.

Bëhet fjalë për një resort në hyrje të qytetit të Shkodrës. Ishte vetë hoteli, që në faqen zyrtare në “Facebook” njoftoi se do të jetë i mbyllur për klientët e tjerë, pasi nga data 4 deri më 9 Tetor do të jetë ekskluzivisht në shërbim të Kosovës dhe më pas të Kombëtares kuqezi.

Duke vlerësuar se skuadrat kanë nevojë për qetësi për të përgatitur ndeshjet dhe entuziazmin që pushton rrugët e Shkodrës nga tifozët, dy federatat vendosën që skuadrat të akomodohen jashtë qytetit, për t’u përqendruar vetëm te futbolli.

Një leksion të cilin Shqipëria dhe stafi teknik i Kombëtares e nxorrën gjatë sfidës së parë kualifikuese ndaj Maqedonisë, ku vetëm pak orë përpara ndeshjes tifozët vërshuan pranë hotelit të ekipit, duke përshëndetur futbollistët.

Loading...