Ballina Aktualitet RUSHITI: UNIVERSITETI “NËNA TEREZË”, MANOVËR PARAELEKTORALE

RUSHITI: UNIVERSITETI “NËNA TEREZË”, MANOVËR PARAELEKTORALE

SHPËRNDAJE

Edhe zyrtarisht është regjistruar Institucioni i Arsimit të Lartë, Universiteti “Nëna Terezë” në Shkup. Ishte ky postimi i djeshëm i ish-ministrit të Arsimit dhe Shkencës nga radhët e BDI-së, Abdilaqim Ademi, në rrjetin e tij social Facebook. Postim ky që vjen rreth dy javë pas publikimit të konkursit online të studentëve në këtë Universitet dhe një javë pas deklaratës së fundit të  ministrit aktual të Arsimit dhe Shkencës, Pishtar Lutfiu, i cili informoi se ka arritur në 150 numri i studentëve të paraqitur.

Ndërkaq, sipas ish ministrit të Arsimit dhe Shkencës, Sulejman Rushiti, ideja për hapjen e Universitetit “Nëna Terezë” është një manovër paraelektorale, një tentativë e dëshpëruar e partisë në pushtet e cila duke mos pasur asgjë ¬çfarë të ofrojë, duke qenë se po fundoset edhe nga brenda  edhe nga jashtë, tentuan që të bëjnë një mashtrim, duke dashur që të tërheqin pjesën më vitale të shoqërisë, që është rinia.

“Një tentativë për mashtrim dhe një lojë me fatet e të rinjve, një lojë me fatin e studentëve të cilët jam shumë i bindur se i kanë lënë në një kaos, për shkak se në kohën kur universitetet e tjera tashmë kanë filluar ligjëratat, studentët të cilët kanë shpresuar se do të regjistrohen në Shkup, respektivisht në Universitetin e ri, të cilin e pagëzuan me emrin e Nënës Terezë, kanë mbetur me shumë pikëpyetje. Unë besoj dhe shpresoj se në të ardhmen do të vijë një kafkë tjetër politike dhe siç duhet t’i përmirësojë të gjitha gabimet e tjera, t’a përmirësojë edhe këtë gabim në Universitetin Nëna Terezë, por edhe në sferat e tjera, sidomos edhe në nivelet e tjera të arsimit”, ka deklaruar për TV SHENJA, Sulejman Rushiti, ish ministër i arsimit.

Kujtojmë se Universiteti Nëna Terezë, fillon punën me një numër të madh të mangësive, disa nga të cilat janë mungesa e stafit të mjaftueshëm akademik, fillimi i vitit akademik me vonesë, mungesa e një objekti dhe ndarja e hapësirave të një universiteti me një tjetër.

Ajnur Bafqari /SHENJA/