Ballina Kryesore Plani B për zgjidhjen e krizës politike në Maqedoni

Plani B për zgjidhjen e krizës politike në Maqedoni

SHPËRNDAJE
Abdulla Mehmeti

Nga Abdulla Mehmeti

Zgjedhjet e parakohshme parlamentare në Maqedoni, të planifikuara të mbahen më 11 dhjetor të këtij viti, ka gjasa reale të mos mbahen.

Një nga arsyet kryesore dhe objektive për mosmbajtjen e këtyre zgjedhjeve është mosplotësimi i kushteve formale juridike dhe standardeve për mbajtjen e tyre, për të cilat janë të vetëdijshëm edhe faktorët e brendshëm, organet e pushtetit dhe palët e interesuara për pjesëmarrje në zgjedhje, si dhe institucionet ndërkombëtare kompetente për mbikëqyrjen e zgjedhjeve, sidomos në vendet pretendonte për integrime euroatlantike.

Arsyeja tjetër është se, asnjëra nga subjektet politike, si ato që janë në pushtet edhe ato që duan të vinë në pushtet përmes këtyre zgjedhjeve, nuk janë të sigurta për epilogun e tyre, duke marrë parasysh përmasat e krizës politike në vend dhe thellimin e saj dita-ditës më tepër. Kjo reflektohet edhe në sjelljen e papërgjegjshme të organeve të pushtetit për daljen nga kriza politike aktuale, siç është rasti me mosvotimin e ligjeve nga Parlamenti, të cilat janë ndër kushtet kryesore të marrëveshjes mes subjekteve politike kryesore në vend, me ndërmjetësim ndërkombëtar; tentimi për destabilizimin e vendit, siç ishte rasti i provokimit nga një njësi e forcave speciale të sigurisë në afërsi të Ambasadës së SHBA-ve në Shkup dhe çështje të tjera pak të njohura për opinionin, sidomos për atë të brendshëm.

Ndër kushtet elementare për zgjidhjen e krizës politike në Maqedoni është edhe zgjidhja e çështjeve të hapura ndëretnike, sidomos mes palës shqiptare dhe maqedonase, të përkeqësuara nga vetë organet e pushtetit në vend dhe nga disa qarqe politike të jashtme, që nuk ia duan të mirën e këtij vendi.

Vetëm para disa muajsh, Maqedonia ndodhej para një bankroti financiar, por falë institucioneve ndërkombëtare kjo situatë u tejkalua përkohësisht, ndërsa tani, kur është në pyetje stabilizimi i situatës politike, me përkrahje ndërkombëtare, faktori politik vendës nuk shpreh as gatishmërinë më të vogël për kooperim.

Një faktor jo më pak i rëndësishëm është edhe opinioni publik, i cili gjatë muajve të fundit është polarizuar tej mase, si në baza partiake dhe ideologjike, po ashtu edhe në baza etnike dhe fetare.

Disa qendra politike nga jashtë, para së gjithash për t’i ruajtur interesat e veta strategjike në vend dhe rajon, por edhe për shkak të dominimit në sferën ekonomike, kanë filluar të luajnë në karta shumë të rrezikshme, në polarizimin e interesave të qytetarëve të Maqedonisë, mbi baza nacionale, ideologjike, fetare, pa edhe gjeostrategjike.

Nëse deri para disa kohësh, opinioni i brendshëm dhe institucionet ndërkombëtare kishin njëfarë besimi tek subjektet politike në pushtet, se janë të përkushtuara për integrimin e vendit në strukturat euroatlantike, kësaj përralle nuk i beson më askush, si brenda edhe jashtë vendit.

Nga ana tjetër, dy blloqet e partive politike maqedonase, të pozitës dhe opozitës, shpresat për ardhjen e tyre në pushtet i lidhin kryesisht në faktorin shqiptar. Mes tyre zhvillohet një betejë e ashpër, se cila do të sigurojë më tepër përkrahës nga radhët e partive politike të shqiptarëve edhe nga radhët e personaliteteve me ndikim, përgjithësisht në votuesit shqiptarë, të cilët e kanë dëshmuar gjatë viteve të kaluara se mund të manipulohen shumë lehtë, me qëllim të përfshirjes së tyre formale në organet e pushtetit, ose për realizimin e interesave individuale, para së gjithash ekonomike e sociale.

Një fenomen i ri në skenën politike vendëse paraqitet edhe implikimi dhe manipulimi me elementet fetare. Kjo është karta më e rrezikshme që përdorin qarqet politike nga brenda dhe jashtë, jo për zgjidhjen e krizës politike në vend, as për zgjidhjen e çështjeve të ndjeshme ndëretnike, por për thellimin e tyre sa më të madh në të ardhmen, me tendenca të implikimeve edhe në rajonin më të gjerë të Ballkanit. Këtu, në Maqedoni dhe disa shtete të tjera përreth, si në Kosovë dhe Bosnje e Hercegovinë, veç më kanë filluar të rishfaqen polarizime të interesave gjeostrategjike me përmasa globale: lindje-perëndim, islamizëm-katolicizëm, etj.

Në konstelacion të këtyre zhvillimeve, faktori shqiptar shfaqet si faktor kryesor për zgjidhjen e krizës politike në vend, por edhe në tërë hapësirën ballkanike. Shqiptarët, si një ndër kombet më të fuqishme të Ballkanit, me shtrirje në tetë shtete të rajonit, Shqipëri, Kosovë, Maqedoni, Serbi, Mal të Zi, Greqi, Turqi dhe Italinë fqinje, si dhe me një diasporë të fuqishme disa milionëshe dhe me aleatë natyrorë me ndikim të madh në arenën ndërkombëtare, duhet ta luajnë rolin historik që ia imponojnë rrethanat e reja. Me këtë, shqiptarët duhet që sot o kurrë, ta fillojë hapur betejën e vet për marrjen e këtij roli, me veprime konkrete dhe konstruktive, në interes të ruajtjes së një baraspeshe të qëndrueshme në Ballkan dhe përgjithësisht në kontinentin e Evropës.

Sot, kombi shqiptar duhet të rirreshtohet me popujt dhe demokracitë perëndimore, ku e ka vendin e vet të natyrshëm, nga i cili pritet edhe në të ardhmen të jep kontributin e vet në interes të qytetërimit modern botëror.

Këtë mision të ri nuk kanë as gjasat më të vogla ta marrin përsipër partitë dhe lëvizjet politike të shqiptarëve, në Maqedoni, e as në Kosovë dhe Shqipëri, për shkaqe që pritet të sqarohen së shpejti nga Gjykatat speciale dhe Prokuroritë speciale, me mandat ndërkombëtar, të themeluara në këto vende.

Në këtë situatë, patjetër të lindin lëvizje të reja politike dhe të dalin në sipërfaqe liderë të ri, të cilët do ta çojnë përpara çështjen e papërfunduar shqiptare, si dhe të krijojnë raporte të reja paqësore dhe me perspektivë mes të gjithë popujve dhe shteteve të Ballkanit.

Sa i përket Maqedonisë, në gjithë këtë projekt madhor ndërkombëtar, shqiptarët kanë një zgjidhje të vetme: të ndërpritet menjëherë qasja e derisotme e subjekteve dhe liderëve politikë shqiptarë ndaj këtyre çështjeve, për t’u hapur rrugë zhvillimeve të reja politike në vend dhe në rajonin më të gjerë, me krijimin e frymës së re të zgjidhjes së probleme, hapjes së perspektivave të reja përmes integrimeve euroatlantike të rajonit.

Mbajtja, ose mosmbajtja e zgjedhjeve të parakohshme parlamentare në Maqedoni, të planifikuara për 11 dhjetor të këtij viti, nuk do të luante asnjë rol në këto zhvillime, nëse paraprakisht nuk do të merr rrugë të mbarë zgjidhja e problemet që e futën Maqedonisë në këtë krizë politike, në të cilën gjendet sot.

Për momentin janë në lojë disa plane, të cilat do të krijojnë klimë të re pozitive për një të ardhme më të mirë të këtij vendi dhe të rajonin në përgjithësi.

Mos mbajtja e zgjedhjeve, bojkotimi i tyre, i tërësishëm ose i pjesshëm, ose plane të ngjashme, nuk janë opsione që ndihmojnë në zgjidhjen e problemeve të grumbulluara me dekada në Maqedoni. Janë pjekur kushtet që përfundimisht të hapet Kutia e Pandorës dhe nga ajo të dalin në sipërfaqe për t’u zgjidhur të gjitha padrejtësitë dhe të neutralizohen djallëzitë e fshehura nga e kaluara e afërt dhe e largët.

Nëse nuk ndërmerren masa përkatëse dhe me kohë, si nga faktori i brendshëm edhe nga faktori ndërkombëtar, hap i parë drejtë zgjidhjes së çështjeve të heshtura për vite e dekada me radhë, ose të ,,fshehura nën tavolinat diplomatike”, do të jetë ndeshja e pushtetit në Maqedoni me protesta të fuqishme nga forcat përparimtare në Maqedoni, që nga Kumanova e Shkupi deri në Strugë, edhe atë, as një ditë para, e as një ditë më vonë, por ditën e mbajtjes së zgjedhjeve të parakohshme parlamentare, më 11 dhjetor, për t’ia bërë me dije gjithë botës se për shqiptarët ka përfunduar shumë më herët koha e carëve dhe sulltanëve!

Loading...